“Loti i të varfërit, plagë për shoqërinë”

28 Janar, 2020 - 2:21 pm

Ese nga Rigona Sefa

Më thuaj, si mund të jetosh në paqe kur vendi ynë është i mbushur përplot me njerëz që janë të ulur në qoshe të trotuareve duke kërkuar lëmoshë për të mbajtur shpirtin gjallë?

A mundet ndërgjegjja juaj të jetë e qetë kur një njeri i moshës tënde jeton në mjerim e i nëpërkëmbur nga jeta?

Kjo pjesë e shoqërisë çdo ditë e përjeton tmerrin më të madh që mund ta përjetojë një njeri, e këtë gjë ne nuk e dimë sepse nuk e kemi përjetuar. Pra varfëria është gjendje në të cilën mungon një sasi e caktuar jetike e pasurisë materiale e përveç kësaj mungon edhe pjesa më e rëndësishme që mund ta plotësojë një njeri siç është lumturia. Shkaqet që na sjellin deri tek kjo mungesë si shpirtërore ashtu edhe materiale janë të ndryshme si p.sh: padrejtësia e një sistemi social, papunësia, korrupsioni, krimi i organizuar ekonomik e shumë e shumë faktorë të tjerë…

Më së miri këtë varfëri që ka kapluar vendin tonë mund ta dëshmojnë statistikat në të cilat sipas AKS ( Agjencisë kosovare për statistika) në bashkëpunim me Bankën Botërore në vitet 2012-2017 rezulton se 18% e popullsisë janë nën kufirin e varfërisë ndërsa 5.1% nën kufirin e varfërisë së skajshme. Por çfarë mund të bëjmë ne si shoqëri për ta zbutur varfërinë ndonëse nuk mund ta zhdukim tërësisht atë?

Një ndër metodat më të mira për uljen e varfërisë është integrimi dhe arsimimi i këtyre fëmijëve në shoqërinë tonë, sensibilizimi i shoqërisë për t’iu japur shpresë me ndihmën tonë këtyre familjeve që njohin vetëm dëshpërim, lotë e frikë për të ardhmen.

Në vendin tonë shumica e këtyre personave janë të përbuzur e të fyer, e ne si shoqëri duhet ta parandalojmë këtë sepse një gjë e tillë mund të shpie deri tek vetëvrasja. Atëherë, pse ne të mos e bëjmë ndryshimin, të zhdukimin pabarazinë e t’i trajtojmë të gjithë njëjtë pavarësisht mjeteve monetare që ata posedojnë. Atëherë pse ne të mos bëjmë diçka që një fëmije t’i ndalen lotët e t’i kthehet buzëqeshja e humbur me vite, një nëne e një babai t’i ndalen dhimbjet që iu ushtrojnë trysni çdo mëngjes kur hapin sytë e çdo mbrëmje kur dëshirojnë të flenë mbi lagështirën që shkakton sëmundje.

Ejani, të gjithë së bashku të bëjmë një familje të frymoi lirshëm e pa frikë për të ardhmen, t’i ndihmojmë për realizimin e ëndërrave të tyre që është dëshira e madhe për një kulm mbi kokë e stomakun të mbushur plotë.

“Shumë persona flasin për të varfërit, por pak flasin me ta” – Nënë Tereza /KultPlus.com

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.

Të ngjajshme