Vdes shkrimtari e gazetari Ramadan Musliu

22 Tetor, 2020 - 9:27 am

Poeti, gazetari dhe studiuesi i letërsisë, Ramadan Musliu ka vdekur sot, për të lënë pas vetes gjithë krijimtarinë e tij të bujshme për kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur shkrimtari Jusuf Buxhovi, i cili Musliun përtej miqësisë e kishte pasur edhe redaktor.

“Lamtumirë miku im, Ramadan Musliu. Kultura jonë mbeti pa krijuesin dhe intelektualin e madh. Ndërsa vepra ime mbeti pa redaktorin dhe mentorin e fjalës së fundit…”, ka shkruar Buxhovi në profilin e tij në Facebook.

Ramadan Musliu ka lindur në Begunca të Vitisë më 31 maj 1954, për të mbetur një emër që do të kujtohet gjatë për kontributin kulturor të vendit. Ai ishte student i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, teksa vazhdoj edhe me studimet pasuniversitare në po këtë vatër.

Pati një veprimtari të begat, që nga mësimdhënësi e deri te gazetari i kulturës në “Rilindje”, nga anëtari i redaksisë së Revistës kulturore “Fjala” te redaktori dhe drejtuesi i të përditshmes “Rilindja” si botim i Tiranës dhe revistës letrare “Kalendari letrar”. Profesionalizmi i tij u shfaq edhe në Kuvendin e Kosovës si deputet dhe më vonë edhe si këshilltar politik i ministrit të kulturës.

Mirëpo, ajo që mbetet më me vlerë nga Musliu janë veprat, të cilat do të mbeten një kujtim i vyeshëm ndaj tij.  Ai shkroi librat “Shqisa e gjashtë”, “Pasqyra e të rrëfyerit”, “Kënga e sibilave” dhe “Në zemrën e gjërave”; ndërkaq botoj edhe shumë libra me studime e kritikë letrare.

Krijimtaria e tij e morri edhe vëmendjen e përkthyesve, ku poezitë e tij mund të lexohen edhe në gjuhën angleze, rumane, frenge, serbe, maqedone dhe sllovene.

Ramadan Musliu u vlerësua me çmime të ndryshme, të cilat ngritën lartë veprën e tij, një ndër ta edhe çmimi “Beqir Musliu”. Kujtimi për të do të rrojë shumë gjatë./KultPlus.com

Të ngjajshme