Vdes suedezi që me paratë e tij botoi libër për helmimin e shqiptarëve

16 Nëntor, 2017 - 11:09 am

Ka vdekur suedezi Göran Wassenius. I ndjeri ishte interesuar, kishte shkruar libër për helmimin e nxënësve shqiptarë gjatë viteve të nëntëdhjeta, botimin e të cilit e kishte bërë me paratë e veta, ka thënë publicist që jeton në Suedi, Shqiptar Oseku, i cili edhe e ka dhënë lajmin për vdekjen e tij.

Më poshtë është reagimi i plotë i Shqiptar Osekut

Më fal, miku im!
In memoriam Göran Wassenius
(9 shkurt 1939 – 14 nentor 2017)
Göran Wassenius ishte mësues gjimnazi këtu në Suedi kur mbërrimë ne, vala e parë e ikanakëve shqiptarë nga Kosova, në fund të viteve 1980. Ishim të traumatizuar, tē varfēr, të dezorientuar. Të çuditshëm. Mendoj nganjëherë, athua si u jemi dukur popullit qē na dha strehë.
Göran Wassenius ishte nga ata humanistë grasroot që pikasi saktë dhunën prapa traumës, padrejtësinē prapa varfërisë, e izolimin prapa dezorientimit. Ai na pa jo ashtu siç ishim, por ashtu si na kishin bërē.

Në dekadën që pasoi, kur u vendos fati i Kosovës, Göran Wassenius ishte zë i fuqishëm i humanizmit dhe arsyes në opinionin suedez. Ai u angazhua në pritje sa më humane të ikanakëve kosovarë, shkroi artikuj pa numër për ne ikanakët dhe për terrorin që sundonte në Kosovë, e kundër paragjykimeve sociale, etnike e fetare që ngrejnë kokën kudo ka dyndje ikanakësh.
Pas çlirimit të Kosovës, Göran Wassenius iu përkushtua me vite zbardhjes së helmimit të qēllimshëm të nxënësve e personelit shkollor në Kosovë nē mars 1990. Bëhet fjalë për një ndër episodet më të errëta e më morbide të terrorit serb mbi shqiptarët e Kosovës, të cilin, mjerisht, nuk e njohin as shumë shqiptarë dhe sot e kësaj dite.

Ai bëri hisen që i kish ngarkuar vetes, megjithatë. Më 2009 ai botoi librin Den mystiska sjukdomen (shqip përaf. Sëmundja.e mistershme) dhe pagoi nga xhepi i vet një sajt interneti me të njëjtin emër, ku përshkruan saktë helmimin e qëllimshëm të fëmijëve shqiptarë nga Serbia.
Ai aty identifikon 7421 pacientë, nga mosha 2 vjeç gjer 66 vjeç. Shqyrton llojin e helmit të gjetur, analizat toksikologjike, arsyet dhe kontekstin politik të kohēs, reagimet e botës, propagandën serbe për gjoja “psikozë histerie masive”. Por me pedanterinë e mësuesit të gjimnazit, përmend edhe faktin se ndër të helmuarit ishte edhe një pacient serb. Një polic.

Kisha rasti tē bashkëpunoj ca me zt. Wassenius rreth asaj pune dhe më kujtohet si ankohej për mosinteresimin qē haste te shqiptarët. “Ky helmim duhet të ketë muze, monografi, të jetë pjesë e kurrikulave nē shkolla”, më thonte netve të vona në telefon. Çfarë t’i thoja. Nuk dija çfarë t’i thoja. Nuk do të dija çfarë t’i të them as sot.

Më vjen turp por duhet ta pranoj, se ajo kauzë e tij ishte dhe arsye pse unë i rrallova kontaktet me të. Ndieja siklet tē madh kur dëgjoja kërkesat e tij të arsyeshme, ndërsa e dija mosinteresimin e autoriteteve tona. Më thyente përbrenda ai siklet. Sikur tash qē më thyen ndjenja e fajit. Duhej të të kisha ndenjur pranë, miku im. Duhet ta kishim ndarë atë siklet bashkë. U tregova i lig ndaj teje, pse kisha dhe kam një atdhe të lig.

Jo, nuk e di as sot se çfarë do t’i thoja z. Wassenius. Mirëpo, e di fort mirë se çfarë dua t’u them autoriteteve në Kosovë, e në Shqipëri. Dua t’ju them se emrin Göran Wassenius meriton ta ketë një një shkollë, a një rrugē, a një sokak diku në Kosovë, e në Shqipëri.
Dua t’u them se i keni shumë borxhe historisë sonë, qytetarëve tanë. Por ju lutem shumë të keni dinjitet, që të mos u mbetemi borxh atyre qē dhanë për ne pa na patur gjë borxh.
Më fal, miku im! Sa rroj do të të kujtoj.
Libri për helmimet nga G Wassenius https://www.bokus.com/…/97891862071…/den-mystiska-sjukdomen/
Sajti për helmimet nga G Wassenius
http://denmystiskasjukdomen.se/sv/
Një nga artikujt pro Kosovës nga G Wassenius
http://www.fria.nu/byline/goran-wassenius/KultPlus.com

Të ngjajshme