Vdiq Uran Kostreci, shkrimtari që i rezistoi komunizmit

12 Korrik, 2021 - 6:36 pm

U nda sot nga jeta, në moshën 83-vjeçare, pas  një varg sfidash shëndetsore, me të cilat u përball gjatë dy viteve të fundit, Uran Kostreci,  një prej qëndrestarëve të rrallë,  luftëtari i përjetshëm ndaj regjimit dhe ideve komuniste, njeriu i veçantë që e jetoi jetën në çdo fazë të saj me hov dhe energji djaloshare, dëshmitari i rrallë i viteve të vuajtjes gjatë epokës së errët të regjimit komunist dhe poeti i veçantë që la një varg librash të vyer me poezi…

Me kostum të zi, kapelë republike dhe një cigare të ndezur gjithmonë në duar, Uran Kostreci ishte një burrë simpatik, që kush e kish njohur një herë do ta donte përgjithmonë. E donin për oratorinë, humorin dhe shpirtin fisnik që kishte duruar kaq shumë vuajtje, por nuk ishte mposhtur.

Uran Kostreci ishte 83 vjeç, por e jetonte jetën me një pasion rinor. Ai ishte një shpirt i ri, ndërsa vitet më të bukura të rinisë i kishte kaluar nëpër burgjet e diktaturës komuniste. I arrestuar që në moshën 23 vjeçare ai do të dilte prej qelive të burgut, nga Tirana në Burrel, vetëm pas 20 vitesh.

“Fara e komunizmit çel vetëm një bimë: terror dhe gjak, por një shpirt i fortë e shpëton edhe një trup të dobët” – thoshte Uran Kostreci, i cili e luftoi komunizmin me shpirtin e tij të fortë dhe me poezi.

Kostreci ishte një dëshmitar i rrallë i krimeve të komunizmit. Përjetoi që në fëmijërinë e hershme burgosjen e të atit. Ishte viti 1946, kur ai 6-7 vjeç, përjetoi vuajtje ekstreme, që nga uria deri tek privimet e shumta në shkollë, për të përfunduar po në qelinë, ku kishte vuajtur i ati në burgun e Burrelit.

Uran Kostreci lindi më 1938, në Sarandë dhe  u rrit me ndjenjën e antikomunizmit e cila e nxiti të arratisej në moshën 23 vjeçare. Por u arrestua më 5 gusht 1961 dhe më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi.

Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi që t’i botonte për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në copa gazetesh në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh. /kujto.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme