Vetëvarja me gërshet në lis

21 Shkurt, 2022 - 1:08 pm

Tregim nga Binak Kelmendi  

Pak pas luftës, dy gra me flokë të shpupurisur dhe me fytyrë të djegur nga dielli, flisnin me zë të vogël:

-Të kujtohet ai trupi lakuriq i asaj gruas me flokë të verdhë e të përbaltur që u zbulua krejtësisht i padekompozuar në ditën e parë të zhvarrimit në luginë? e pyeti e para të dytën tek kujtonte dhe rrëfente një pas një ngjarje të luftës e të pasluftës.

-Jo vetëm që më kujtohet, por tepër shpesh më bie ndërmend për të. Edhe natën zgjohem me kujtimin dhe makthin e trishtë për të. Dhe, në ato momente kujtese e vegimi, ndihem tepër, tepër keq. Ngjante shumë e re, e virgjër, më duket pa asnjë plagë në trup, ose të paktën ato nuk i vëreheshin, me duart e shtrënguara shumë ndërmjet këmbëve dhe me flokët e shtrirë në gjoksin e bardhë dhe po të mos kishte nga pak dhé nëpër flokë e nëpër trup, do të thoshe se ajo sapo kishte dalë nga banjoja. Madje, kisha përshtypjen se ajo po buzëqeshte, e vdekur ose e vrarë, sado që nuk na u lejua ta shikonim më gjatë dhe se si mbetem pastaj të gjithë gojëmbyllur. Nuk kam dëgjuar më saktësisht ndonjë gjë për të, por më duket se është bërë identifikimi i saj dhe tashmë është rivarrosur, u përgjigj gruaja e dytë.

-Bute është quajtur më duket, vazhdoi pas pak ajo që e çeli bisedën.

Gruaja tjetër e shikoi sikur të kërkonte edhe më sqarime.

Ajo vazhdoi: 

-Ndoshta është rivarrosur, por identifikimi i saj nuk është bërë. Askush nuk e pranon për të veten në atë gjendje që u gjet. Unë e kam bërë identifikimin dhe unë do të them kush ka qenë. Ndoshta duhet të na  pëlqejë e vërteta jonë edhe kur ajo është e hidhur. Nëse jo të mos na pëlqejë, duhet ta prnaojmë, t’i besojmë, të paktën. Dhe e vërteta është se atë, tash, askush nuk po e pranon për të veten, ose ndoshta nuk ka mbetur asnjë i gjallë nga familja e saj.

-Si? pyeti gruaja e dytë.

Gruaja e parë përsëriti atë që tha dhe shtoi:

-Lufta i prish njerëzit. Shpeshherë i bën më kot krenarë dhe më kot kokulur. Edhe për gjëra që nuk ia vlejnë. Nuk është turp të vritesh në luftë. Madje, as të përdhunohesh nuk është turp. Përdhunimin, fundja, e bëjnë humbësit.

Pastaj, ato të dyja bashkë, evokuan ngjarjen që i kishte ndodhur Butes.

Butja kishte bërë të ikte drejt gardhit që po digjej flakë ndanë oborrit me gropa e me buçilla uji. Nga lodhja gjoksi i digjte zjarr në lugun e gjinjve, rrëzë zemrës e nëpër tërë kraharorin, deri në kokë. Fryma po i ndalej në fyt, gjuha i kishte mbetur e ngjitur në qiellzë dhe zëri nuk i dilte më dot nga goja.

Ndali, o Zot, thoshte më vete tek vazhdonte vrapin nga flakët që kishin nxjerrë gjuhët jashtë shtëpisë nëpër drunjtë që ngriteshin shumë sipër gardhit.

Zoti nuk e dëgjonte, ndërsa ajo i dëgjonte ata:

-Ndal! i thanë, e urdhëruan, e kërcënuan, duke shtënë në flakë të gardhit me flakë të pushkëve.

Me gjasë ata nuk kishin shtënë për ta vrarë.

Ishte teknikë dhe taktikë e ushtarëve dhe e policëve të Serbisë për të frikësuar dhe për të përshpejtuar dorëzimin.

“Të duam të gjallë, engjëllushë”, i thanë dhe vrapuan pas saj me pushkët që mbanin në duar dhe me sharjet që nxirnin nga goja.

Butja vazhdonte vrapin duke i bërë flokët bistekë. “Mund të varem me këto gërsheta në lisin ose në pemën e parë”, mendonte tek thurte bistekët duke provuar me duar fortësinë e tyre dhe duke besuar shumë se do t’ia mbanin trupin varur në degë. Por, o Zot, sa larg që ishte mali, lisat, drunjtë, krejtësisht në anën tjetër të luginës, andej nga më së pari arrinte terri i mbrëmjes dhe sa afër që ishin ata, te këmbët e asaj ishin ata. Nata po vononte shumë për të ardhur, ndërsa ajo, tek vraponte, besonte më kot në errësirën shpëtimtare pasi  ata i kishin hapat shumë të gjatë tek e gjuanin herë pas here, lart mbi kokë, me shpresën e madhe se do t’iu dorëzohej.

Butja kishte vendosur: “E gjallë në dorë nuk do t’iu bie”.

-Ndal, vazhdonin të klithnin ata me tërë zërin, dhe, “lëvizi më shpejt gishtërinjtë Bute”, i bërtiste vetes ajo me tërë mendjen.

Te lisi i parë që iu duk më i përshtatshmi, në gjysmën e shpatit pak sipër luginës, si një kitër e zhdërvjelltë, u ngjit këmbadoras nëpër trungun e tij. Pastaj, me të dy duart shpejt e shpejt, të dy gërshtetat e thurur shumë trashë, i solli rreth qafës, i shtrëngoi aq sa mendonte se do t’ia mbanin trupin dhe si një litar me disa fije, bistekët i lidhi nyjë në degën nga iu duk se nuk se do ta prekte tokën më duke e lëshuar tërë peshën e trupit në flokët e veta zinxhir lidhur shumë fuqishëm në fyt. Koka i kërciti përnjëherë bërram ose dhe me një zhurmë tjetër, iu bë se qafa iu këput mu aty ku ia mbante kokën, sytë iu mbyllën ose i pëlcitën, sepse një terrimë e madhe shumë e zezë e mbushi gjithë pjesën e luginës e të shpatit afërt lisit, ndërsa shtati i mbuluar me një fustan të bardhë, si një vello nusërie, jo jo, nuk pati më kohë të mendonte kështu, nisi të pehatej ngadalë dhe rëndë ndërmjet tokës dhe lisit të gjatë duke u ndeshur herë pas here për trungun me myshk të ritavtë. Ashtu, tek era dhe trungu loznin me trupin e saj mbajtrur për gërsheta, duke ndier se qielli po i hypte gjithnjë e më shumë sipër duke ia rënduar plumb kokën dhe toka po ia zinte këmbët e po ia fuste gjithnjë e më thellë në dhe, o Zot sa shumë thellë që i sharronin këmbët në tokë, bashkë me një zjarr që ia kishte kapluar gjithë gjoksin e kraharorin, ajo nuk dëgjonte më ata që e kishin ndjekur dhe që me gjasë ende po e ndiqnin: Zërat e tyre, as të beftë e as kërcënues, nuk i shkonin te veshët që përfunduan ushtimën dhe çdo gjë tjetër.

“E pafytyra, e pashpirtja, si na e bëri këtë, është dashur ta vrisnim si bushtrën, me një plumb në kokë”, bënë ata pothuaj njëzëri me shumë pendim duke shikuar trupin e saj hollak që ende tundej nën degën që kërciste.

-Hiqjani, rrobat, zhvisheni! bëri njëri nga ndjekësit që dukej të kishte qenë komandanti.

Ata filluan ta zhvishnin.

Në ato çaste trupi i Butes ose kushedi se çfarë, i çoi duart te pjesa e mesme e shtatit dhe aty i ngurtësoi përnjëherë.

-Zhvisheni të tërën, vazhdoi urdhrin serbisht komandanti.

Ata, nga poshtë këmbëve, ia tërhoqën fustanin e bardhë duke ia prerë herë pas here me bajonetë dhe duke grisur me shumë zemërim.

Trupi lakuriq i Butes qëndronte i bardhë, tamël, pa asnjë shenjë në turp.Ata mbeten pa zë duke e shikuar bardhësinë varur pak nën trungun e lisit të gjatë. Pastaj e shikuan me sy eprorin, sikur të kërkonin ç’duhej të bënin më tej me atë trup.

-Lart në lis, urdhëroi ai.

Ata hipën.

-Këputeni litarin!, urdhëroi ai

Ata e shikuan nga lart.

-Ç’më shikoni ashtu, këputeni atë litar, ku djallin e paska pasur me vete.

-Nuk është litar, komandant!

-Si? Nuk është litar? E ç’është?

-Bistekët e flokëve të saj, komandant!

Komandanti tërfëlliu.

Ata bënë disa lëvizje me duar sipër në degë ndërsa dy ose tre të tjerë e shtynin shtatin e Butes lart.

Trupi i Butes lakuriq kërciti në bar dhe ata pothuaj u trembën nga kjo kërcitje. Flokët e verdhë, si ar, o Zot, sesi iu kishin shpërndarë sipër gjoksit dhe përposhtë barkut duke ia mbuluar edhe duart që i kishin zënë vend në mes të trupit. Ata e shikonin të habitur dhe pothuaj të frikësuar. “Varje me flokë të veta, me bistekë”, ata nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për këtë.

-Lijeni kështu, le ta hanë bishat e malit ose qentë, bëri me hidhërim komandanti që sillej rreth trupit të saj të plandosur.

-Kontrolluat gjë, mos ka pasur ar?

-Kontrolluam, nuk pati ari, komandant.

-Mos të ju kontrolloj unë tani, tha komandanti duke i shikuar të gjithë në sy.

Ata qëndruan gatitu dhe nuk lëvizën.

-Në rregull, tha pasi u bind.

-Përpara për atdheun, “napred”, bëri ndërsa ata e ndoqën nga pas.

Të dy gratë tashmë kishin filluar dënesat e vajit./ KultPlus.com

Të ngjajshme