Viola Davis do ta publikojë një libër me kujtime në prill 2022

21 Korrik, 2021 - 10:29 pm

Aktorja e njohur hollywoodian, Viola Davis, do ta publikojë një libër kujtimesh vitin e ardhshëm.

Ylli 55-vjeçar i kinematografisë ka bërë të ditur se do ta publikojë librin me titull, “Finding Me”, më 19 prill 2022 përmes shtëpisë botuese “HarperOne”. Libri e rrëfen historinë e ngritjes së saj, nga një fëmijë i rritur në një familje të varfër dhe të dhunshme në Rhode Island, në shndërrimin e një prej aktoreve më të suksesshme dhe të kërkuara në botë.

“Unë besoj se tregimet tona dhe guximi për t’i ndarë ato me publikun, janë mjeti më i fuqishëm që e posedojmë. Kjo është historia e jetës sime, e rrëfyer drejtë dhe pa rezerva”, ka deklaruar Davis përmes një komunikate për media.

“Finding Me” do të publikohet në bashkëpunim edhe me shtëpinë e botimeve “Ebony Magazine Publishing”.

Botuesja dhe drejtoresha e shtëpisë “HarperOne”, Judith Curr, tha përmes një tjetër komunikate: “Viola Davis është një rrëfyese e fuqishme e së vërtetës, përmes punës së saj në skenë, ekran por edhe në jetë. Mezi pres të punojë me të në realizimin e këtij libri, i cili në mënyrë të fuqishme i zbulon rreziqet me të cilat përballet një grua afrikano-amerikane, e cila e jeton jetën me një talent të jashtëzakonshëm dhe aftësi të mahnitshme”.

Ndërkohë, në të kaluarën Viola Davis ka treguar se kur flet me vajzën e saj 8-vjeçare, Genesis, ajo është gjithmonë e sinqertë për të kaluarën e saj dhe të gjitha gjërat që i ka përjetuar në jetë.

Ylli i filmit “Ma Rainey’s Black Bottom” thotë se mundohet t’ia kujtojë së bijës, se teksa rritet ajo patjetër do t’i bëjë disa gabime trashanike në jetë.

Davis rikthehet shumë shpejt në ekran të madh me filmin e mbushur me aktorë yje, “The Suicide Squad 2”, i cili fillon së shfaquri nga 6 gushti i këtij viti. / koha.net / KultPlus.com

@Invision/AP/REX/Shutterstock

Të fundit

Të ngjajshme