Viti i Lasgush Poradecit, publikohet letra e rrallë e poetit

1 Mars, 2024 - 9:03 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit publikoi letrën e rrallë të dashurisë, shkruar 85 vite më parë, në qershor të vitit 1939 nga poeti i shquar Lasgush Poradeci për Nafijen, vajzën që i rrëmbeu zemrën.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli vitin 2024 si Vitin e Lasgush Poradecit, në 125-vjetorin e lindjes së poetit. Përmes mbrëmjeve poetike, konferencave, aktiviteteve në shkolla e librari, takimeve me të rinj, QKLL do të sjellë më pranë lexuesve figurën e poetit që e lartësoi gjuhën shqipe.

Zonjushës Nafije Mema, Durrës

Tiranë, më 27 Qershor 1939.

Nafija ime e dashur,

Edhe nuk kisha pushuar nga udhëtimi kur më ardhi pas dreke letra jote e dashur e shkruar në mëngjes. Ah sa e dua këtë letër! Ç’thua ashtu ti Nafije, ato fjalë aq të shtrenta për mua. Nuk do t’a harroj të Shtunën kur dualmë mbrëmave bashkë që isha aq i lumtur përkrah teje, as të Hënën në mëngjes, kur më solle ujin dhe më bëre këpucët. Nuk i harroj këto, po dita ime e madhe është e Djela, ajo njëzetepesë-qershorja e mbushur plot me dashurinë t’ënde kur në krahat e mija ti ishe Ylli im. Ti vashë shqiptare ëndr’e jetës s’ime, Nafije më fale një gas shumë të math atë paradreke dhe pasdarke. Vjersha jote e bukur e dalë drejt nga zemra jote, më bëri të punojmë bashkë ashtu me aqe zell të mbyllur vetë në dhomë. Unë nuk punoj shpejt, po siç më rinje pranë shtratit ashtu nër krahat e mija, siç t’i puthnja faqkat dhe syçkat dhe leshkat dhe gojën e vogël dhe gushkën t’ënde, nuk di pse aqe shpejt dhe aqe lehtë më vinin mendimet në fjalët e me harmoninë e poezisë. Sa i lumtur me të vërtetë jam Nafije, ashtu duhet të bëjmë shumë herë, të punojmë së bashku.

Strofën që më thua për “Yllin e Zemrës”?
“Yll’ i Zemrës” krejt e fare
Yll i vashës shqipëtare:
Vashëza me yll në ballë
Që më ka përndritur mallë
Ç’qënke-e më s’e gjenja vallë-
Ëndr’e jetës, ëndr’e gjallë.
Të puth me mall Lasgushi yt.

Letrat për Nafijen, vajzën që i rrëmbeu zemrën, do të lexohen të hënën në hapësirat e Torrës Veneciane në Durrës, në mbrëmjen letrare të titulluar: Orë për dashurinë dhe vargjet shqipe.

Lasgush Poradeci shkroi vargje që depërtuan thellë në shpirtin e shqiptarëve dhe la gjurmë të forta, aq sa njerëzit nisën ta quajnë qytetin ku lindi “Pogradeci i Lasgushit”. /ATSH /KultPlus.com

Të ngjajshme