Vjen numri 24 i revistës “Filologji” i pasur me studime, trajtesa e artikuj të ndryshëm

24 Tetor, 2019 - 11:45 am

Numri 24 i revistës shkencore “Filologji” të cilën e boton Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës vjen me materiale shumë interesante për lexuesit shqiptarë, shkruan KultPlus.

Nën drejtimin e kryeredaktorit Prof. dr. Sali Bashota, revista ka në përbërjen e saj personalitete të shquara nga bota albanologjike si: Prof. dr. Aurel Plasari (Tiranë), Prof. dr. Osman Gashi, Prof. dr. Françesko Altimari (Kozencë), Prof. asoc. Dr. Muhamet Hamiti, Dr. John Hodgson (Londër), Prof. asoc. dr. Nysret Krasniqi, Prof. dr. Russana Hristova Beyleri (Sofje), dhe Prof. asoc. dr. Rrahman Paçarizi.

Në numrin 24 të revistës, profesor Anton Nikë Berisha paraqitet me “Katër fusha të qenësishme të veprimtarisë së Françesk Altimarit”, kurse profesor Kujtim Shala vjen me “Mësim letrar e histori”.

Profesor Anton Berishaj prezantohet me “Mimesisin dhe metafiksionin në prozën e Martin Camajt”, ndërsa me “Aspekte të sintaksës në komunikim-elementet përbërëse të radhës” vjen profesoresha Majlinda Bregasi.

Me trajtesën “Kodi nacional te romani ‘Oh’ i Anton Pashkut” paraqitet Muhamed Çitaku, ndërsa Naser Mrasori me “Zemër e thyer e Stefan Cvajgut në romanin ‘Padurimi i zemrës’”.

Edhe numri 24 i revistës “Filologji” sikurse edhe numrat tjerë, është mjaft i pasur me studime, trajtesa e artikuj të ndryshëm.

Ndër të tjera, për këtë numër kanë kontribuar me punimet e tyre edhe profesorë e studiues tjerë si Fatmir Sulejmani me “Shpirti shqiptar në petkun e tjetrit”, Adil Olluri me “Një sprovë sociologjike”, Afërdita Imeri-Halili me ”Struktura narrative”, Shemsi Haziri me “Definimi i pjesëve të ligjëratës në disa gramatika të shqipes”, Albina Hoti me “Fokalizmi si teknikë narrative në romanin ‘Duke dhënë shpirt’ të William Faulknerit”, dhe Ardita Ibishi me “Marrëdhëniet prindër-fëmijë në romanin ‘I pangushëlluari’ i Kuazo Ishiguros”.

Revista shkencore “Filologji” e Fakultetit të Filologjisë do të botohet dy herë brenda vitit dhe si synim kryesor ka afirmimin e vlerave shkencore albanologjike brenda dhe jashtë vendit. /KultPlus.com

Të ngjajshme