Vlora Konushevci: Ky ishte babai im, Abdullah Konushevci, rebeli i të gjitha sistemeve

1 Korrik, 2020 - 7:36 pm

Arbër Selmani

“Kujtimet ma të hershme me babin janë të moshës fëmijërore, kur m’qojke në ëmbëltoren “Elida”. Përjetim në vete, se atëherë nuk ka pas mundësi njeriu me dalë çdo ditë në kafe e në restorant. Rrugës gjithmonë mi recitonte poezitë e Nolit, më mbante sipër në qafë edhe më sfidonte me i përsëritë vargjet. Unë hala, edhe sot i di përmendësh poezitë e Nolit. Prej asaj kohe, jam rritë në këtë frymë. Edhe mami e ka dashtë shumë poezinë dhe debatet mbi poezinë kanë qenë pothuajse gjithmonë prezente në shtëpinë tonë. Babi, zakonisht ka qenë duke shkru ose lexu, ndryshe nuk është pa nëpër shtëpi. Më vonë, ne si fëmijë u rritëm, nisëm me punu e ai nisi me u relaksu pak, nuk ka qenë fans i futbollit, por këqyrke futboll veç kur luante Shqipnia, ose kur insistonim me këqyrë ndonjë film bashkë”.

Vlora Konushevci, e lindur në vitin kur kthesat do të bëheshin beteja, e betejat do të nisnin për të përfunduar më vonë në luftë, viti 1981, fillon dhe e kujton babain e saj, shkrimtarin Abdullah Konushevci. Si 21 vjeçar, poeti kishte takuar gruan Hanëmshahen në një prej situatave tipike të asaj kohe, teksa të dytë prisnin në radhë për bursat studentore. Ky takim ishte prelud i një dashurie të mëvonshme.

Poetët jo vetëm shkruajnë për dashurinë, por edhe dashurojnë. Abdullahu nisi jetën bashkëshortore fillimisht në lagjen e Kacallarëve, njëra nga më tipiket të Prishtinës së vjetër, aty ky gërshetohen mrekullisht elemente të orientit e oksidentit dhe ku shpërfaqet më mirë se kudo fryma e Prishtinës! Ky rrugëtim më pas vazhdoi në Kodrën e Diellit, aty ku poeti u përpoq t`i bashkojë pikat e rrugëtimit të tij jetësor, si në titullin e libri të tij “Pikat A-D”.

Më 1981, Abdullahu ishte studenti më i dalluar në Jugosllavi. Këtë moment të veçantë, Vlora e kujton me pasion teksa mban në dorë diplomën, me të cilën poeti shpallej student shembullor.

Asgjë nuk përfundoi këtu. Abdullah Konushevci la për një kohë Prishtinën, duke ia mësyer Zagrebit, ku ndoqi studimet pasuniversitare në letërsi krahasimtare.

“Më dhimbset shumë kjo periudhë jetësore, sepse kur asht kthy babi ka pas mundësi me punu në Fakultet, si asistent, apo dhe në “Rilindje”. Aty ia premtuan një banesë, së cilës iu bë kurban. Jetoi në bashkësi familjare, ndaj ndoshta sakrifikoi karrierën akademike, duke e njohur shpirtin krijues dhe gjurmues të tij. Ai ishte ngulmuesi, studiuesi e poeti, i cili nuk reshti gjithë jetën. Babi është thjesht ëndrra jetësore e papërfunduar. Ai është edhe pse nuk është. Një sërë dorëshkrimesh e korrespondencash janë testament i tij i parealizuar. Sido që të jetë, babi mbetet për mua kryengritësi, vetvetja”, vazhdon Vlora.

*

Abdullah Konushevci lindi në vitin 1958 në Prishtinë. Një shkrimtar i shquar dhe i kujdesshëm në detaje, ai do të shkruante tërë jetën e tij, deri në frymën e fundit. Konushevci botoi me qindra artikuj dhe recensione për letërsinë e shkruar dhe gojore, për gjuhën shqipe, si dhe përgatiti për shtyp një numër të madh veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer në anglisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Falë tij, në shqip na ka ardhur Hemingway, Tagore e Hupperts, por edhe Shufflay, Teofrasti e Slaviçek.

KTHIMI I DRITËSORËVE

Dritësorët do të kthehen
Me leshra të kërleshur
Me thonj të paprerë
Me trup-duar-fytyrëdheu

Do të përplasen brenda
Do të na zënë për fyti
Do të na shkulin për flokësh
Dhe ne s’do t’i shohim

Se ata janë prej drite
Se nuk bëjnë hije mbi dhé
Ata e kanë pushtuar
Zemrën e tokës

Dhe kupën e qiellit
Dritësorët do të kthehen
Të na mësojnë zejën e vdekjes
Të na japin pak zemër të tokës
Pak kupë të qiellit

Të dehemi dhe ne
Me hirin e zjarrit
Të mos jemi vetëm hije mbi dhé

*

Konushevci mbetet një nga poetët më elitarë të poezisë bashkëkohore shqipe. Që prej viteve 70’të ai u dallua si penë e mprehtë dhe sy i pangopur. La pas vetes, mes tjerash, edhe veprat poetike ‘Pasqyrë dhe diell’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1979), ‘Rënia e mollës’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1981), ‘Qerrja e diellit’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1983), ‘Loja e strucit’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1987), ‘Të qenët të mosqenë’ (poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1990), ‘Pikat AD’ (poezi, “Papyrus”, Prishtinë,2002), ‘Dashni dhe vdekje’ (poezi. “Nositi”, Prishtinë, 2011), kurse ndër shkrimet studimore e kritiko letrare: ‘Demaçi, vepra letrare’ (monografi, “Nositi”, Prishtinë, 2008), ‘Për poezinë’ (kritikë letrare, “Nositi”, Prishtinë, 2008), Romani ‘Gjarpinjtë e gjakut’ i Adem Demaçit (artikuj të zgjedhur letrarë nga Abdullah Konushevci, kritikë letrare), NOSITI, Prishtinë 2011). Konushevci do të kishte kancer në fazën e fundit të jetës së tij, dhe për këtë fazë më vonë na tregon Vlora.

*

“Ka qenë kohë e demonstratave edhe e orës policore, kur kam lindë unë. Ishte 12 prilli i vitit 1981. Ardhjen në këtë botë e kisha në një gjendje jonormale. Është dashtë që mamin me e dërgu në spital me ndihmë të shpejtë shkaku i orës policore. Pas mesnatës së 12 prillit shkela në këtë botë. Babi ka pasë qef me ma lanë emrin Aulona. Por propozimi i axhës tim që unë të quhesha Vlora u votua. Të nesërmen babi sapo kishte hy në ambientet e Qendrës Spitalore kishte pa disa shokë të tij, të rrahur në demonstratat e 81-shit. Ai s`u mor me mua, duke vrapuar pas shokëve të tij. Atë kohë është marrë me protesta”, tregon Vlora, nëpërmjet së cilës do të përpiqemi ta zbërthejmë opusin krijues të poezisë së babit të saj.

“Leximi e ka përbë një pjesë të madhe të rinisë time. Kemi pas në banesë libra plot edhe në gjuhë tjera si anglisht dhe serbokroatisht të cilat kanë qenë kryesisht përkthime të kryeveprave, kemi pas edhe shumë libra të fushës së psikologjisë, ato kanë qenë pjesë e dhomës time, si Frojdi e Jungu. Unë i kam lexu në versionin serbokroatisht. Banesa jonë e vjetër, në Kodrën e Diellit në Prishtinë, ka qenë pothuajse krejt bibliotekë: në sallon ka pas bibliotekë, sikurse edhe në dhomat e gjumit. Përjashtim bën korridori. Gjithkah, të rrethuem me libra”, rrëfen Vlora.

“Pas meje kanë lindë edhe Driloni, Dritoni e Blenda. Motra e vogël është cilësu prej babit ‘kryevepër’. -Ty t’kemi ba kadal dale, nuk jemi ngutë si me këta tjerët”, citon Vlora poetin Abdullah Konushevcin, i cili shquhej për goditjet e tij sarkastike.

“Blenda tash bahet 25 vjeçe, me mu ka dallim 14 vjet. Ajo ka qenë 17 vjeçe kur ka vdekë babi. Ajo e ka njoftë një version tjetër të babit, të njeriut më të përmbajtur e më të pjekun. Unë saherë me humor i kam nguc mamin e babin se Blendën po e rrisnin me standarde të tjera. Ajo ka shku në deti veç me babin. Mandej, të dytë e kanë vizitu panairin e librave, kanë marrë pjesë në tubime letrare etj. Për mua ka qenë “Elida”, teksa për Blendën “Edi 2”. Kur e pati përfundu Blenda leximin e romanit të parë në anglisht të Hemingway: “To have and have not”, babi u pat tregu të gjithëve. Kur na shihte tu lexu, kënaqej. Ka pasë shumë qef me ecë, autobusat nuk i ka dashtë e me vozit nuk ka ditë. Ai e ka dashtë shumë peshkun, prandaj është i vetmi që ka ditë me e përgatitë”.

“Nana ka qenë shumë ma e kujdesshme edhe ka dashtë krejt me i ditë, ku je, me kë. Babi ka qenë shumë liberal, kur u rrita më pati thanë -Nuk domethënë me njeriun e parë që të takohesh me e kalu krejt jetën edhe kurrë mos mbaj gajle çka thonë hallku”, rrëfen Vlora.

SKICË PËR NJË ELEGJI

Ja
Kjo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe kjo këtu
Dhe kjo pranë saj
Dhe kjo tjetra
Dhe kjo dhe kjo dhe kjo
Ja
Dhe ajo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe ajo atje
Dhe ajo pranë saj
Dhe ajo tjetra
Dhe ajo dhe ajo dhe ajo

(Kjo poezi recitohej nëpër manifestime proteste e kulturore gjatë viteve ’90, kur vriteshin shqiptarët nga milicia serbiane nëpër protesta.)

*

“Kam qenë në klasë të dytë, diku në vitet 89-90, kur babin e kanë marrë policia edhe e patën rrahë shkaku i një shkrimi kritik për Titon dhe regjimin e kohës, të publikuar në njërën nga gazetat e asaj kohe. Unë isha e vogël, mami m’pat qu te gjyshja që mos me e pa babin të mavijosun. Dikush ka qenë tu e lexu gazetën, te gjyshja, edhe unë e kam pa titullin ku përmendej babi edhe e dita që diçka nuk asht në rregull. Mësuesja ime, Shukrije Merovci, m’pyti në klasë – ‘Vlora, qysh asht babi?’, unë po i them mirë, pse?. Ajo tha:  “Jo, veç po pyes”, kur e pa që unë nuk e dija çfarë ka ndodhë”, tregon Vlora.

Ajo thotë se babai i saj ishte një rebel i të gjitha sistemeve, përfshirë edhe sistemim e pasluftës në Kosovë.

“Ka qenë i drejtë, atdhetar i madh. Me ish sistemin nuk ka pasë dëshirë me bashkëpunu, ishte në hasmëri të përhershme. Kojshinë e parë në Kodrën e Diellit e kemi pasë serb. Zhika e ka pas si ritual vendosjen e posterit të kriminelit Sllobodan Millosheviq mbi derën e banesës së vet. Babi nuk e duronte këtë pamje, ndaj saherë ia griste posterin. Gjatë luftës,  djali i Zhikës vinte në banesën e tij, i uniformuar dhe i armatosur. Prej dritares tonë shiheshin fqinjtë duke u armatos. Ishte ndjenjë e tmerrshme. E pata detyru babin me dalë prej asaj banese, gjatë asaj periudhe të luftës kur unë isha 17 vjeçe. E paramendoja Zhikën duke na vra të gjithëve. Nuk kemi pasë marrëdhënie me ata kojshi. Patëm shku në Tophane, te gjyshja, te dajtë, aty ishin krejt shqiptarë, derisa na dëbuan forcat paramilitare se militare jugosllave e serbe”, tregon tutje Vlora.

E, shkrimtarin mund ta harrojë vendi i vet, por jo edhe pena dhe lavdia e shkrimit.

“Më duket se të gjithë krijuesit e kanë një dozë të paranojës, nëse dikush nuk të përkrahë, menjëherë të duket që po ta bajnë për inati. Babi ka qenë poet i kalibrit të madh, dhe i vetëdijshëm për këtë gjë. Si fëmijë, i ka ndiku një histori e dhimbshme familjare, por megjithatë ka ditë me dashtë shumë, ai ose e ka dashtë dikë, ose nuk e ka dashtë, nuk ka pas shumë mes. I ka largu njerëzit që ndoshta i kishin kry punë në jetë, por kurrë interesin se ka pas prioritet”, tregon tutje Vlora.

*

Sikur çdo intelektual i kohës, në përballje me disa regjime dhe duke u përshtatur në disponime të ndryshme, Konushevci kohën do ta kalonte edhe mes figurave tjera të kohës. Me Ali Podrimën, do të shoqëroheshin shumë, njëjtë edhe me Milazim Krasniqin, Rexhep Shalën, Bajram Kosumin, Islam Veliun, Arif Demollin, Qerim Ujkanin, Ibrahim Kadriun, Teki Dervishin, e të tjerë. Me Adem Demaçin ka pasë një miqësi të madhe, ndërsa ka punuar në disa prej librave të Demaçit.

“Kur doli Adem Demaçi prej burgut, baba na jepte librat e tij me i shitë, na thoshte merrni me vete në çantat e shkollës. I futnim librat, shkonim nëpër mëhalla, e nëse në ndonjëra nga shtëpitë qëllonte e ndonjë serbi, i kërkonim falje, kurse shqiptarëve u kërkonim me i ble librat e Adem Demaçit. Babi thoshte: “edhe nëse nuk kanë pare, jepjani, veç le të lexohet Adem Demaçi”. E ka dashtë Demaçin, por  baba nuk i ka dashtë mitet. Tanë jetën ka luftu me i zhveshë ato!” vazhdon Vlora.

*

“Ka qenë gëzim i madh kur asht ba gjysh, me lindjen e djalit tem Malit. Kanë festu pothuajse gjithë natën. Kur u rrit pak Mali, derisa babi punonte në kompjuter, Mali avitej, ia prekte tastierën e ai me humor i thoshte: “Mal, s’je hiq fëmijë serioz”! Pas Malit ka lindë nipi im Narti, djali i vëllait që ndodhet në Suedi. Babi ka pas shumë mall edhe pse na vizitonte shpesh. Poezi ju ka kushtu të dy nipërve. Nipin e tretë, Aronin, babi nuk e priti! Iku pa e përjetu dashninë e tij dhe pa ia kushtu ndonjë varg.

KUSH I PARI BÂNI…
Nartit, në njëvjetorin e lindjes

Një ditë do të shkojnë të gjithë
Të gjithë një ditë nuk do të jenë
Dhe gjak i gjakut tënd
Dhe mish i mishit tënd

Buzë Baltikut
Do të bëjë banja dielli
Prapë do të ndeshesh fytafyt

Me Vetminë tënde të Madhe
Me mallin ta marrësh Nartin
Në kraharor një herë
Një ditë do të shkojnë të gjithë
Të gjithë një ditë nuk do të jenë.

*

Jemi në fund të tregimit të Vlorës për babain e saj, derisa kemi shijuar e reflektuar edhe në disa poezi të Abdullah Konushevcit. Abdullahu ka qenë i mirë në matematikë, gjithmonë, prandaj edhe e kanë këshilluar që të shkollohej për drejtim shkencor. Jeta do ta përplaste në tjera gajle e angazhime. Një libër mahnitës ia ka kushtuar Gjergj Fishtës, me ndihmën e Patër Ambrozit nga Kisha Françeskane në Gjakovë.

“Babi ka lëngu nga kanceri. Është tallë me sëmundjen, nuk ishte frikacak, mbase duke e konsideru vdekjen si një akt të natyrshëm. Përkundrazi ka qëndru si mohikan deri në fund, pa e ditë kurrë se ditëlindja e tij do të shndërrohej në mort. Atë ditë mami na la! E babi në atë kohë veç trajtohej prej kancerit pa dhanë shenja dorëzimi. Dhimbjen përpiqej me e kthy në humor, siç ka ditë shpesh. Prandaj, e shndërroi në batutë ditën e vdekjes së mamit, duke na thanë neve se ka me vdekë për ditëlindje të mamit- 8 dhjetor. Por, ja që nuk ia mbërrini…Gjendja iu rëndu së tepërmi, pavarësisht se shkonte fyt a fyt me sëmundjen. “Mos u tutni nuk e la pa jetu deri më 8 dhjetor”, na thoshte me shaka, duke iu referu ditëlindjes së mamit. Mbeti veç dëshirë e projektuar në çaste të zorshme, sepse babi ndërroi jetë më 1 dhjetor. Terapia pothuajse tre vjeçare nuk bëri punë. Iku si për çudi pikërisht në ditën botërore të duhanit, si një duhanxhi pasionant, të cilit shpesh nga shtëllungat e tymit kam përshtypje se i dilnin vargjet! Megjithatë, frymën e fundit e dha në shtëpi, aty ku krijoi sa ishte gjallë. Edhe në çastet e fundit jetësore, shpirti rebel nuk iu nda. I dërmuar nga sëmundja, mbase filloi ta thërrasë vdekjen. Humbi durimin edhe nga pajisjet e oksigjenimit që e mbanin në jetë, apo infuzionet. I refuzonte ato, sikur të dëshironte sa më shpejtë të ikte nga kjo botë. Ndoshta edhe ka pas të drejtë, sepse pati një fund rrëqethës”, rrëfen emocionuar Vlora.

“Kur ka qenë ma ligsht, vetes i referohej si Dullec, e kur ish ma mirë si Dullë… e patëm shndërru në batutë këtë shprehje, ndaj e pyetnim qysh po ndihesh sot, si  Dullë apo si Dullec?!”, rrëfen Vlora.

“Babi si i ri kish ditë mos me dalë me ditë të tana prej dhomës, kur ka qenë tu lexu dicka që i ka pëlqy. Gjyshja na pat tregu qysh ka shku me ja shkri një plumb se ka kujtu që s’asht mirë. Ai ka lexu shumë, një kohë edhe ka pi shumë, derisa shëndeti nuk e detyroi me e braktisë pijen”, thotë Vlora.

Me vdekjen e shkrimtarit, 55 vjeçar, familja ka pranuar shumë telegrame ngushëllimi nga autoritete të ndryshme nga fusha e politikës dhe e kulturës brenda e jashtë vendit.

Shkrimtari ka pas shije të hollë të humorit, teksa nga situatat ditore shpesh ka prodhuar perla. Siç krijoi poezi me stil unik në letërsinë bashkëkohore të Kosovës. Stil, të cilin pjesërisht e ka trashëguar edhe e bija Vlora.

“Si e re, ia dërgoja me email babit poezitë me i lexu. Ai e ka dashtë shumë kryelanën me misër e me presh. E korruptoja me kryelanë që me m’dhanë kritikë të mirëfilltë për poezitë, në mënyrë që mos me qenë subjektiv. Mandej hapej, më jepte kritika dhe më tregonte për figurat stilistike, të cilat nuk ish dashtë me i përdorë sepse janë harxhu, cilat janë gjetje të mira etj. Unë po vazhdoj me shkru, e kam gati librin e parë me poezi. Poashtu merrem me përkthime vazhdimisht. Kur lexoj poezi që më shijojnë shumë, them se kjo apo ajo duhet me u lexu në shqip”, tregon Vlora krejt në fund të këtij rrëfimi, të cilin nuk guxojmë ta përfundojmë pa një poezi të Abdullah Konushevcit kushtuar njëri nga figurat ikonike të UCK-së, Ilir Konushevcit, të rënë dëshmor më 9 maj 1998.

(Ilir Konushevcit)

Ty që ishe liria

Ti s’doje t’ia dije
Për rrezikun e të qenit i-lirë
Kur plehu donte të na zinte
Derën e shtëpisë

Ty që ishe liria
Ty aq të bënte
Për Llap e Shalë
Për Drenicë e Dukagjin
Kur me një frymë e lidhje
Durrësin me Prishtinë

Kur shtatin e murose në Tiranë
Kur shpirtin e le në Dardani
Ty, oh ty nuk të mbulon
As krejt një Iliri!

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Të ngjajshme