Volter: Iluministët duhet të kryesojnë betejat e lirisë së shpirtit

21 Nëntor, 2022 - 9:50 am

Sot 328 vite më parë, më 21 nëntor 1694, lindi Fransua Mari Aruet, Volter. Djaloshi rebel i lindur dhe rritur në një familje të kamur, s’mund të dakordësohej me çka shpirti dhe zelli i luftëtarit të paepur iluminist ballej.

Prej zanafillës deri më të shuar 30 majin e vitit 1778 ai vetëm në arenë e gjente vullnesën kumtuese. Çapat e para i nis me një satirë kundër Regjencës së Filipit të Orleanit, që iu atribua djaloshit të ri, i kushtoi një qëndrim prej njëmbëdhjetë muajsh në burgun famkeq të Bastijës. Gjashtë muaj pas lirisë, Volteri dorëzoi në teatër tragjedinë Edipi, që rroku një sukses si autor tragjik. Më 1723, botimi i La Henriades, epope e ngjizur në skutat e terrta të Bastijë, kushtuar Francës së Hanrit III e ngjiti në apogje famën. Vringjëllima e vargonjve të burgut e detyroi atë që të marrë rrugën e ikanakut për në Angli. Gjatë dy viteve që kaloi përtej Manshit, Volteri u interesua për teoritë e reja të Isak Njutonit mbi shkencat fizike dhe natyrore, si dhe për filozofinë politike të Xhon Lokut.

Kjo periudhe do të ishte vendimtare për jetën dhe veprën e tij të ardhshme. Letrat filozofike, të shkruara në mërgim dhe të botuara më 1734 në Francë, u sekuestruan nga Parlamenti i Parisit, u dënuan si armike të fesë dhe të shtetit dhe u dogjën publikisht. Për t’i shpëtuar një burgimi të ri, Volteri u strehua në Sirei, në Lorenë, në kështjellën e markezes së Shatëlesë, ku iu kushtua studimeve të tij filozofike, historisë dhe shkencave fizike dhe natyrore. Një lidhje e lumtur prej pesëmbëdhjetë vjetësh me “Emilinë hyjnore” i dha mundësinë të punonte – në shoqërinë e markezes – mbi komente të gjata mbi shkrimet e Njutonit dhe të Laibnicit. Më 1749, vdekja e zonjës së Shatëlesë e goditi rëndë dhe e bëri të pranonte një ftesë në Potsdam të Frederikut II të Prusisë, me të cilin kishte letërkëmbim që nga viti 1736. Pas prishjes së miqësisë me Frederikun e Madh më 1753, Volteri u nis për të banuar në Gjenevë.

Aty, brenda disa javëve, shkroi novelën filozofike Shpirtkulluari ose Optimizmi (1758-1759). Më 1758, bleu fshatin dhe senjorinë e Femeit, në mes të rrugës midis Gjenevës dhe Francës, ku shkroi dhe iu përkushtua konkretisht përmirësimit të kushteve të jetës të fshatarëve, që ishin “shtetasit” e tij. Volteri vdiq në Paris më 30 maj 1778.

Deistët njihnin ekzistencën e një zoti krijues, por nuk besonin që ai merrte pjesë në jetën e botës jashtë ligjeve natyrore të fiksuara nga krijimi fillestar. Manifesti i parë i deistëve është një vepër e Xhon Tolandit, Krishtërimi pamister 1696). Kjo mënyrë të menduari u përhap në shekullin XVIII midis intelektualëve falë, mes të tjerash, shkrimeve të Volterit.

Rreth së njëjtës kohë, si Volteri, edhe filozofi dhe juristi Monteskjë (1689-1755) qëndroi për një kohë më të gjatë në Angli. I ndikuar thellë nga Loku, por edhe i impresionuar nga realiteti i Kushtetutës angleze, ai riformuloi një teori të së drejtës natyrore dhe përpunoi atë të ndarjes së pushteteve midis pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe juridik Mendimi antiabsolutist i Monteskjësë, paraqitur te Për shpirtin e ligjeve (1748), pati një jehonë të madhe në gjithë Europën.

Për Volterin, progresi i iluministëve nuk u kufizua në shkencat e natyrës. Iluministët duhej gjithashtu të kryesonin betejën për lirinë e shpirtit dhe në luftën kundër obskurantistëve fetarë, sidomos atyre të Kishës Katolike, që kërkonin të pengonin idenë e vizionit modern të botës.

Ajo që ne kuptojmë me fjalën “filozof ” ndryshon nga një vend në tjetrin. Në vendet anglo-saksone dhe në Gjermani, një filozof është një profesor universiteti, specialist i filozofisë; në Francë, mund të jetë edhe një shkrimtar që ndërhyn në debatin publik, duke botuar libra dhe artikuj shtypi mbi çështjet politike dhe morale dhe që ndihmon në këtë mënyrë për të formuar një opinion.

Modeli nistor i këtij lloji të dytë filozofi është Fransua Mari Arue, që u pagëzua vetë “Volter” (ose më mirë “Dë Volter”, për të mos mbetur i vulosur nga inferioriteti i klasës së tij të origjinës, borgjezisë). Lindur dhe rritur në Paris, Volteri (Voltaire) u njoh që në rininë e tij si shkrimtar teatri, redaktor artikujsh dhe autor pamfletesh në vargje satirike kundër disa personaliteteve të rëndësishme të Oborrit. Lavdinë e parakohshme e pagoi me një qëndrim prej pothuaj një viti në Bastijë, burgu i shtetit të monarkisë. Aty iu fut redaktimit të një epopeje në vargje mbi mbretin Hanri IV, që u kishte dhënë fund luftërave fetare në Francë nëpërmjet ligjit të Nantës (1598). Ai po tregohej shumë guximtar duke i thurur lavde një mbreti tolerant, në kohën kur sapo kishte vdekur Luigji XIV, që kishte shfuqizuar ligjin e Nantës (ligji i Fontenblës, 1685) dhe i kishte dhënë Kishës Katolike statutin e fesë së shtetit. Beteja për tolerancën mbeti për tërë jetën një mendim i ngulët vetjak i Volterit, sepse toleranca qe themeli edhe i lirisë së mendimit që e kërkonte si shkrimtar. Ai pati kështu deri në vdekje një kundërshtar të caktuar: Kishën, që mbronte me thonj e me dhëmbë monopolin e shpjegimit të zanafillës së botës dhe që kishte çuar rregullisht në turrën e druve botimet e kundërshtarëve të saj, madje edhe botuesit dhe autorët e tyre, kur kishte rast t’i shtinte në dorë dhe t’i dënonte për herezi, siç ndodhi me tmerrin e paharruar të ekzekutimit të filozofit italian Xhordano Bruno (1548-1600), torturuar dhe djegur i gjallë, si dhe i shumë të tjerëve.Britma e luftës e Volterit, e përmendur shpesh në fund të letrave të tij, qe gjithmonë “Ec L’inf.” (“Të shtypim të poshtrën!”).

Liria e mendimit ka kuptim vetëm kur shoqërohet me lirinë e të botuarit, kur njerëzit mund të debatojnë lirisht për mendimet e tyre dhe pa përdorur mjete për t’i imponuar ato me dhunë. Volteri punoi për këtë me botimet e tij, por edhe me anën e një letërkëmbimi të bollshëm, që mbush njëqind e shtatë vëllimet në botimin e fundit të plotë të veprave të tij. Këto letra i dhanë mundësi të ndikonte mbi grupet më të rëndësishme të opinionit publik francez, domethënë të fisnikërisë dhe të borgjezisë së lartë, që ishin shumë të hapura ndaj ideve të iluministëve. Në kohën e Volterit, në Francë borgjezia ende nuk ishte e bindur se idetë vlejnë sipas peshës së arsyetimeve dhe jo në funksion të rangut të personit që i paraqet. Nga ana tjetër, në Angli, ku arsyeja e shtetit kërkonte telorancën duke patur parasysh thërrmimin e feve dhe të sekteve dhe ku fisnikëria sipërmarrëse filloi të përzihej me borgjezinë tregtare, formimi i këtij opinioni publik “borgjez” ishte shumë i përparuar dhe liria e mendimit e kishte ndjekur natyrshëm të njëjtën udhë.

I kërcënuar për të përfunduar përsëri në Bastijë dhe i urdhëruar të zgjidhte midis burgut dhe mërgimit të përkohshëm, Volteri parapëlqeu të nisej për në Angli. Ai mësoi të njohë sistemin mekanist të Isak Njutonit dhe të filozofit Xhon Lok, nxënësit e të cilit e kishin zhvilluar drejt deizmit duke punuar mbi marrëdhënien midis arsyes shkencore dhe fesë. Volteri e pranoi përparësinë e anglezëve në fushën e iluminizmit dhe nxitoi t’u tregonte francezëve vonesën e tyre në Letra mbi anglezet (1728). Ai e ndjente se Franca nuk ishte e gatshme për të zhvilluar sistemet e reja filozofike, por mund të popullarizohej përparimi i mendimit, siç ishte arritur ndërkaq në Angli. Talenti prej shkrimtari i jepte atij më shumë se kujtdo aftësinë për t’i përhapur këto ide.

I kthyer në Francë më 1729, Volteri iu fut përhapjes së shkencës njutoniane dhe teorisë deiste të botës: edhe pa vënë në dyshim ekzistencën e një zoti, fetë e tjera ishin flakur si naive dhe të rrezikshme.Volteri i cilësonte “paragjykime” të gjitha paraqitjet metafizike apo morale tradicionale për të cilat nuk ekzistonin themele të arsyeshme, duke u dhënë kështu një koncept beteje “ala franceze” iluministëve. Paragjykimet sundojnë shkencat fizike dhe natyrore, veçanërisht mjekësinë; ato janë në themel të të gjitha pabarazive shoqërore; dhe janë përsëri paragjykimet që karakterizojnë fenë zyrtare, kasta e priftërinjve duke u mbështetur mbi faktin se njerëzit që nuk janë të arsimuar me arsyen, besojnë gjërat më të errëta.

Volteri luftoi po ashtu për dinjitetin dhe lirinë e individit, në radhë të parë për vetveten: marrëdhëniet e tij me mbretin Frederiku II i Prusisë e bënë të besonte – por vetëm për një kohë – se një filozof dhe një monark absolut mund të flasin si i barabarti me të barabartin. Në betejën e tij kundër Kishës, u bind se një njeri nuk ka nevojë për bekimin e një prifti për t’iu njohur merita e tij. Më 1791, revolucionarët mbartën triumfalisht eshtrat e filozofit – që ishte varrosur jashtë Parisit – në Panteon, në kishën e vjetër Sentë-Zhenevievë, e shndërruar në mauzole kushtuar “njerëzve të mëdhenj” të “atdheut mirënjohës”./ Albert Vataj / KultPlus.com

Të ngjajshme