Vreshta në kujtimet e mia

12 Mars, 2019 - 6:40 pm


Mire Prenaj
11.02.2019
Prishtinë

E kam në mendje si sot atë kodrinë vreshte, bënte vapë, përcëllonte.

Në mes të vreshtave kishte pjeshkë të mbjellura aty këtu, ato ishin aq të shijshme saqë kur i fusje në gojë të shkriheshin nga ëmbëlsimi.

 Pjeshka rrushi u thonim.

Më pëlqente kur nëna ime më jepte leje të shkoja në vreshtë.

E kam në mendje gumëzhitjen, bisedat e të qeshurat e grave dhe burrave që vilnin rrush, e që gjyshi im e zgjidhte dhe përcaktonte me përpikmëri se vera që dilte nga ky rrush të ishte i klasit të parë.

Gjyshi im për mua ishte njeri shumë i dashur dhe shumë punëtor.

Mbaj mend se si në mbrëmje pas punës kur u kthente në shtëpi, unë merrja një krem me glicerinë të lartë dhe filloja të ja lyeja dhe të ja fërkoja ato të qara të mëdha të duarve nga puna që ai bënte. Më pas e fitoja një perqafim të ngrohtë nga ai për shërbimin që i kisha bërë, e që për mua ishte një lumturi e papërshkrueshme.

Kjo puna e vjeljes së rrushit zgjaste një muaj, ndoshta që për ne fëmijët ishte rekreacioni më i mirë i vitit. Fillonim të shoqëroheshim me fëmijët e vjelësve të rrushit, dikush nga ne e hante rrushin e bardhë të tjerët rrush të zi ndërsa unë pëlqeja rrushin e kuq dhe pjeshkat e rrushit që ishin ngjyrë të verdhë të qelët. Këtë lloj sorte të pjeshkave në atë kohë gjenim kudo ku kishte plantazhë rrushi dhe mendoj që mbilleshin vetëm për ti freskuar vjelësit e rrushit dhe fëmijët që prindërit i merrnin me vete nëpër plantazhe për aq kohë sa zgjaste puna e vjeljes së rrushit.

Mbaj mend gjyshin tim që ishte njëri prej burrave më të gjatë nga familja, hundë mprehur e sy të bukur e të thellë, i drejtë në trup dhe duar të mëdha nga puna, dita për të fillonte në agimin e hershëm dhe mbaronte në mbëmjen e vonshme. Periudha e vjeljes së rrushit për të ishte koha më e bukur e vitit dhe nuk mungonte buzqeshja në fytyrën e tij, që mua ajo buzëqeshje më jepte jetë dhe shpeshherë hidhesha në perqafimin e tij nga lumturija e buzëqeshjës tij. Ai më shikonte edhe më i buzëqeshur sikur donte të më thoshte, ç’ndodhi tani? Une nuk i tregoja se ishte pikërisht buzëqeshja e tij që më lumturonte, ajo buzëqeshje prej një gjyshi fisnik, human dhe më e bukura e të gjithave, njeri i urtë e i menqur.

Edhe sot, sa herë kujtoj gjyshin, është ajo buzëqeshje që më kthen në lumturinë e pafund që përjetoja në vreshtin e gjyshit.

Të ngjajshme