Xhevat Syla: Askund nuk jam ndi më mirë se në poezinë për fëmijë

5 Janar, 2021 - 2:19 pm

Arbër Selmani

“Babën e mbaj mend pak. Kam qenë trevjeçar kur ai ka vdekë. Ai ka qenë 51 vjeç. Ka vdekë nga kanceri në lukth. Në Shkup, pasi që e kanë operu’, mjekët i kanë thënë vëllait tim të madh, Fazliut, se baba i ka edhe pak muaj jetë. Kur erdhi në shtëpi, në kullë, sot objekt i trashëgimisë kulturore, lëngonte në shtrat dhe unë hyja nganjëherë aty, në dhomën e tij. Ai donte të më merrte pranë vetes për përqafim, e unë largohesha. E di një moment, ishte mbrëmje, iu bëra merak në pullat e një xhamadani të zi. Atëherë fëmijët kanë luajtë shumë me pulla. Ia lavdova ato pulla dhe më kujtohet që ai e mori një brisk dhe i këputi të gjitha pullat e m’i dha. Kur zbriste nga kulla, duke kaluar oborrit m’i lëmonte flokët.  E mbaj mend, po ashtu, se kur ka vdekë, të gjithë kanë qenë në vaje. Hallat më kanë thirrë me e përqafu’ për herën e fundit dhe më pas më kujtohet se si njerëzit morën udhën kah varrezat. Krejt rrugica, prej kullës e deri në kthesën e parë, ishte e mbushur me njerëz, kryesisht me plisa të bardhë. Ishte shkurti i vitit 1959.”

Lotët e parë dhe të vetmit gjatë kësaj interviste, shkrimtari Xhevat Syla i derdh në këtë pjesë, kur e kujton Hazir Ukë Sylën, babain e tij. Vetëm ata që janë rritur pa baba e kuptojnë mirë dhimbjen që edhe sot, një burrë në dekadën e gjashtë të jetës së tij, e përjeton dhe rezonon kur flet për familjen e tij, për një territor ku jeta do të ishte më e pamëshirshme. Pos Xhevat Sylës, të cilin unë e quaj axha Xhevat, prej respektit, por më shumë prej dashurisë dhe njohjes që e kemi prej vitesh, edhe një motër e tij atëherë gjashtë-muajshe do të jetonte po ashtu pa kujtuar asgjë prej figurës së babait. Fjalët e mira që ai thotë se i ka dëgjuar tërë jetën për babain e tij, për atë punëtor të madh që e krijoi një familje të fuqishme dhe mbajti stoik një kullë në Istog, e kanë ushqyer që ai të jetë gjatë gjithë jetës një njeri i përmbajtur, me edukatë, i kujdesshëm deri në detaje.

Shkrimtari Syla, me vëllaun Fazliun

Xhevat Syla, pa pritesë, trishtimin dhe dhimbjen e ka kthyer gjithmonë në poezi, në vjershë. Sot, Syla është një prej shkrimtarëve të rrallë ende gjallë që shkruan e kultivon letërsi për fëmijë. Ai është një prej vrapuesve më të mirë në maratonën e shkrimtarëve të cilët më të vegjëlve iu dhanë plot libra e personazhe, për t’u rritur më bukur e më hareshëm. Disa shkrimtarë i mori sëmundja, e disave thjesht u përfundoi ora e jetës, por sot Xhevat Sylës i mungojnë shokët e tij të botës letrare: Vehbi Kikaj, Agim Deva, Qamil Batalli, Rifat Kukaj, Teki Dërvishi, Arif Demolli, Ymer Elshani, Abdullah Konushevci, Rrahman Dedaj, Gani Xhafolli, Hasan Hasani, Zejnullah Halili, Odhise Grillo, Bedri Dedja, Skënder Hasko e të tjerë. Vazhdimisht më tregon sa shumë ndihet i varfëruar pa këta njerëz, pa takimet me ta, të cilat nuk janë të njëjta si takimet me njerëzit që nuk janë poetë, shkrimtarë.

*

Xhevat Syla ka vite që shkruan letërsi për fëmijë e të rinj, anipse e ka provuar veten edhe në letërsinë për të rritur, por duket se gjithmonë më shumë është pëlqyer për elegancën që e ka sjellë me poezitë për fëmijë. Fëmijëria është periudhë që gjithmonë të mbetet në kujtesë, thotë ai, dhe kohë e cila të shoqëron gjatë gjithë jetës.

“Nuk e kam pasë fëmijërinë as të rëndë, e as të lehtë. Kemi qenë familje e madhe, me tetë fëmijë, katër motra e katër vëllezër. Unë, si djali më i vogël, e kam gëzu’ kujdesin dhe dashurinë e të gjithëve. Ndoshta edhe për faktin se kisha mbetë i ri pa babë, edhe kam qenë i rrethuar me shumë dashuri. Më së shumti më kanë gëzuar ardhjet e vëllaut Fazliut nga Prishtina, si dhe rastet kur ai, si nxënës i fillores, më merrte tek ai në Prishtinë. Jam lindur e rritur në Istog. Kur isha 7 vjeç e disa muaj u regjistrova në shkollë, pra isha bukur i pjekur për moshën, dhe e gjeta veten shumë mirë në rrethin shkollor. Në Istog e kemi pasur një shtëpi të madhe, një kullë prej guri, tre katëshe, në të cilën një kohë kemi jetu’ me axhën por më vonë ai u nda nga ne, meqë mendonte të shkonte në Turqi, ku i kishte miqtë e tij, krejt të afërmit e gruas, të cilët ishin shpërngulur atje kur pushteti serb ua kishte hapur dyert dhe ua kishte krijuar situatën të merrnin atë udhë. Ai qëndroi një kohë të shkurtër në Stamboll dhe erdhi për të mos u kthyer më kurrë atje.Nuk i kishte pëlqyer fare jeta në Turqi.”

Ngacmimin e parë për të shkruar, Xhevat Syla e pati si 10 vjeçar, në klasën e tretë të fillores. Vjersha e parë e kishte për personazh lejlekun, ky shpend që do ta frymëzonte axhën Xhevat të shkruante e të çlironte nga vetja një mbushje emocionesh.

Shkrimtari në klasën e pestë

“Ishte syri i pranverës, fillimi i stinës. Jo larg shtëpisë në Istog, kanë qenë disa lisa. Aty, në ata lisa, pikërisht në majat e tyre disa lejlekë kishin ndërtuar çerdhet. Atë ditë moti ishte i ngrohtë, e unë tek shihja këto pamje, u mbusha disi, e pata një ngacmim për të shkruar. Shkrova një vjershë për lejlekun. Vjersha më pëlqeu dhe ua lexova familjarëve, të cilëve po ashtu u pëlqeu. Vëllau i madh, Fazli Syla, erdhi nga Prishtina, ku ishte profesor dhe u mahnit me atë poezi. Më pas, ai ma dha atë që unë e quaj kushtimisht mësimin e parë nga teoria e letërsisë: më tregoi si shkruhet vjersha, si vargnohet, si rimohen vargjet, si përdoret figuraciomi, metrika dhe mjetet e tjera, duke m’i marrë shembuj rilindësit, por edhe Migjenin. Nuk e kam harruar kurrë atë mësim. Vëllau, pa më thënë gjë, ma mori poezinë me vete. Një pasdite, në Istog, vëllau tjetër, Xhaferi, katër vjet para meje, kthehet nga shkolla me revistën “Shëndeti” në dorë, e cila e ka pasë edhe faqen e fëmijëve në fund, ku botoheshin krijime letrare të fillestarëve. Aty ishte botuar poezia ime për lejlekun. Shpesh e mendoj edhe sot se si nuk më është hapur koka prej gëzimit kur pashë vjershën time të botuar. Ishte një gëzim i papërshkrueshëm. Dola t’ua tregoj edhe në kojshi, edhe te fëmijët e axhës. Kjo ishte një shtytje për mua që të vazhdoj të shkruaj. Më pas nisa të botoja vjershat edhe në “Pioneri”, edhe te “Rilindja” e të “Zëri i rinisë” – te faqet e fëmijëve, botoja edhe në revistat për fëmijë që dilnin në Shkup (Gëzimi, Fatosi), e madje edhe ne “Flakën e vëllazërimit”, ku u bëra i rregullt me shkrime, me vjersha, por edhe me tregime. Në qytezën e Istogut, që i vogël njihesha si njëfarë shkrimtari” vazhdon e më rrëfen shkrimtari Xhevat Syla.

Prej të gjithë familjarëve, Xhevat Syla më shpesh përmend vëllaun, Fazli Sylën, si dhe nënën e tij, Fatimen. Kjo dyshe duket se e ka ndihmuar atë në vazhdimin e lëvrimit të letërsisë, anipse Xhevati do të rritej me një shpirt artistik, i cili do ta përplaste nga një fushë e artit në tjetrën.

“Vëllau i madh, Fazliu, i cili ndërroi jetë para pak muajsh, ka qenë profesor i letërsisë, intelektual, por është kujdesë për neve shumë. Unë kur kam lindur, ai veç ka qenë duke jetuar në Prishtinë. Më ka sjellë libra vazhdimisht. Librat i kam pasë një dashuri të madhe. Ka pasur një shkrim të bukur, sidomos kur shkruante me stilografin e tij Pelikan. Që në fëmijëri jam përpjekur t’ia imitoj shkrimin. Nana ka qenë një mrekulli, një njeri shumë i urtë, shumë e dashur. Nuk mbaj mend ta kem hidhëruar ndonjëherë. Ka qenë amvise, por ka qenë një rrëfyese e mrekullueshme e përrallave, e këtë e ka reflektuar më pas edhe tek unë. I dëgjoja me vëmendje përrallat dhe më pas edhe unë vetë u bëra një tregues i përrallave. Prej nanës i kam mësu’ edhe shkronjat e para. Nana e ka shfrytëzu’ atë dhunti me rrëfy’ përralla për me na qetësu, me na mbajtë afër vetes. Nana, me origjinë nga Jabllanica e Vogël e Pejës, ka qenë dominantja në shpërthimin tim, në frymëzimet e mia. Kur i përfundoja vjershat, asaj ia tregoja të parës dhe merrja një vlerësim nga ajo, por edhe e dija që shpirti i saj shkrihej nga gëzimi duke i dëgjuar apo kur i shihte vjershat të botuara. Ka qenë nxitëse e madhe dhe besoj zemra e saj bëhej mal prej lumturisë kur më shihte duke shkruar e duke u formuar. Na ka rritë me shumë durim e dashuri. Kam qenë 40 vjeçar kur më ka vdekë nana, e jam mërzitë si t’isha 4 vjeç. Ka qenë personi që ndoshta më së shumti e kam dashtë në jetë” vazhdon Xhevat Syla.

NËNA

Tik-tak i zemrës të është,
Mendje që t’ndjek në çdo hap,
Nëna është zemër e shtëpisë –
Mall që djeg kur je larg.

Sa këngë poetët i kënduan,
Po cili varg ia zë dashurinë?
Fjalë s’ka as figurë që shpreh
Zemrën që për ty drithërin.

Xhevat Syla, shkrimtari që librin e parë e botoi si maturant, deri sot ka publikuar gjashtë libra me studime për letërsinë për fëmijë, rreth tetë libra me krijimtari letrare, një libër me tregime, ndërsa është laureat i disa çmimeve të cilat e kanë njohur kontributin e tij në letërsinë për fëmijë, jo vetëm si shkrimtar por edhe si profesor e studiues i thuktë i saj. Në Panairin e Librit në Tiranë, në një prej edicioneve, ai mori çmimin shkrimtar i vitit në letërsinë për fëmijë, ndërsa në Kosovë e pranoi çmimin ‘Ymer Elshani’.

“Syri i pranverës”, “Hyrje në vjeshtë”, “Zilja e fëmijërisë” – tregime për fëmijë, “Mbreti nga Qerreti”, “Vel vjeshte”,  “Arti i porosisë: vepra letrare e Vehbi Kikajt”, “Kuvendim poetik”, “Vjersha e humbur”,  “Harmonika e Atdheut – Poezia e Xhevat Beqarajt”, “Universi i mirësisë” – jeta dhe vepra letrare e Ymer Elshanit – janë këta vetëm disa prej titujve që mbajnë vulën e dorës së Xhevat Sylës, shkrimtarit i cili për më tepër edhe doktoroi e magjistroi në fushën e letërsisë për fëmijë.

VEL VJESHTE

Sapo vilen pemët,
Gjethet i rrok mërzia:
Zverdhen, nxihen, bien
Lagshtës nëpër bar;
Fryn murrlan i egër,
Fushat – si tepsia;
Pyllit dalin n’gjah
Gjahtar’t me zagarë…

Vjeshta ecën fushës,
Bryma i prin n’çdo hap;
Lulet zënë murr’tisen –
Humbin aq shumë ngjyra,
Drunjtë i jepen gjumit,
Mjegullat kthehen prapë,
Me velin e vjeshtës
Vishet gjithë natyra.

Xhevat Syla ishte djalosh i ri plot jetë. Dikur, si fëmijë, kishte një zë të mirë, dhe për një kohë edhe këndonte sidomos kur gjendej në bahçen e shtëpisë. Këndonte këngë të repertorit që asokohe vinte prej Radio Prishtinës. Ato këngë, Syla i dinte përmendsh, dhe bile dikur mendonte se do të bëhej këngëtar. Në periudhë puberteti, zëri i poetit do të trashej shumë, ndaj më bukur dhe më qartë do të shprehej në letërsi sesa në këngë.

Shtojmë këtu edhe artin figurativ, të cilin shkrimtari për fëmijë edhe sot shpesh e praktikon. Ai thotë se rrethanat e jetës dhe të punës u servuan të tilla, se përndryshe ai do të donte t’i vijonte studimet edhe në pikturë, krahas letërsisë.

“Provohesha si i vogël në vizatime, ka qenë portreti i Skënderbeut të cilin e pata realizu’ në disa forma. Po flasim për kohën rreth viteve 1967-69, atëherë i pata vizatu’ edhe Marksin, Engelsin e Leninin, por edhe portrete të të afërmëve të mi. Potretet i doja shumë, por edhe peizazhet. Kam qenë më i dobët në punën me ngjyra. Ka ndodhë që në një orë të artit figurativ, profesori e ka marrë punimin tim dhe e ka treguar si shembull se qysh vizatohet, e në orën tjetër e ka marrë si shembull se qysh nuk duhet ngjyrosur. Më vonë, me ndihmën e mësimdhënësit të artit, e mësova më mirë ngjyrosjen, planin e parë, të dytë, u bëra piktor më i mirë. Kam pasë shumë piktura, dy më janë djegë gjatë luftës në Istog, sepse nuk i pata marrë me vete meqë iu pëlqenin atyre që ngelën të jetojnë aty” tregon Xhevat Syla.

Në qiellin artistik të Xhevat Sylës, mes reve të tjera, njëra do të pikonte më shumë. Shoqe kishte, por reja e letërsisë gjithmonë ishte më e fortë, më kaltëroshe, dallohej. 

Për letërsinë për fëmijë, Xhevat Syla thotë se është fusha ku janë fillimet e të gjithë shkrimtarëve, paçka se dikush largohet e dikush ngel brenda saj.

“Janë të paktë shkrimtarët që kanë mbetë përjetshëm të përkushtuar vetëm krijimtarisë në letërsinë për fëmijë, por ndoshta mund të themi që ata janë edhe më të mirët. Ymer Elshani ka shkruar vetëm poezi për fëmijë, Xhevat Beqaraj nuk ka shkruar madje as tregime e as roman, është i mrekullueshëm vetëm në poezi. Agim Deva është provuar edhe në poezinë për të rritur, edhe në roman, por vokacion kryesor e ka pasë poezinë për fëmijë. Vehbi Kikaj, po ashtu është marrë vetëm me letërsi për fëmijë, ku ka shkëlqyer. Po ashtu Abdullah Thaçi e të tjerë. Edhe te unë, pak a shumë e njëjta situatë. Jam provuar me libra dhe me shkrime në periodikun letrar edhe me tregime e me poezi për të rritur, por më ka mbetë gjithmonë e fuqishme dashuria për letërsinë për fëmijë, përkatësisht për poezinë për fëmijë”, pohon Xhevat Syla.

*

Tre fëmijët e shkrimtarit Xhevat Syla kanë qenë gjithmonë një oqean ku vetë ai, poeti, ka pirë ujë dhe ka marrë jetë e forcë për të shkruar. Dafina, vajza e vogël e shkrimtarit, shkruan po ashtu, i pëlqen edhe t’i interpretojë krijimet e penës së saj.

“Të kesh baba shkrimtar dhe të rritesh në frymën e artistit, padyshim që është fat për mua. Pse fat? Sepse, qysh në fëmijëri krijon bazën e perceptimit të botës me ngjyra, të zhvillimit më tepër të anës emocionale, pastaj të mësimit të drejtshkrimit, pasionit për të lexuar dhe eksploruar në vazhdimësi gjëra, gjithnjë duke pasur në vete versionin më të mirë, para së gjithash, atë të të qenit njeri.” më thotë Dafina.

“Si fëmijë mbaj mend përrallën “Kësulëkuqja”. Babi, sapo kthehej nga puna, më rrëmbente me përqafime, me shumë ngrohtësi, pa përtesë, çdo ditë, duke ma rrëfyer përrallën më të dashur për mua me aq mjeshtëri, më krijonte ndjesinë vizuale me protagonistët e përrallës, më të qartë se sa të një filmi vizatimor” thotë ajo.

Dafina i ka dedikuar babait të saj një poezi, me aq sa mund të portretizohet një baba plot sakrifica, të shprehet në disa rreshta.

BAB’,

Ti Bab’ ke emër,
je oqean i thellë i intelektit
rrallë kush si ti
mund të shikojë me sytë e Detit.
Modest nga natyra,
human nga shpirti
me tipare artisti.
Jo vetëm poet,
me një gamë të gjerë të dijes dhe shkrimit,
krenare t’i përjetoj
meritat e tua të ngadhënjimit.
Je forca ime, fjala ime e parë,
ndonjëherë kur të kam zhgënjyer kam qarë.
Dafina,
tani nuk është lule që qan,
ajo buzëqesh kur ti buzëqesh.
E lumtur që të kam në jetë,
të përballoj çdo sfidë që mund të më presë.
Nuk dua t’ia dal vetë,
ti je një Baba i vertetë.
Më edukove të jem e sinqertë, modeste,
të respektoj tjetrin,
por kjo botë e egër si duket
ka humbur sensin.

Se fëmijët e shkrimtarit janë ndikuar shumë prej tij, tregon edhe Blerta Syla Surroi, vajza tjetër e shkrimtarit. Ajo është motra e madhe e Dafinës dhe Mirakut. Poezi, vjersha, frymëzuar prej të treve, Xhevat Syla ka shkruar me bollëk.

“Babi, duke pasur pasione të ndryshme, ka ndikuar shumë në rritjen dhe formimin tim si artiste. Kishte talent edhe për vizatim, edhe për aktrim. Ka disa fotografi me kostume të ndryshme, i transformuar plotësisht në role, e unë si fëmijë shpesh i shikoja dhe humbesha në fantazi e imagjinatë. Duke pasur babi këtë pasion, ne ishim vizitorë të rregullt të teatrit dhe të galerisë së arteve” rrëfen Blerta kur flasim për babain e saj, shkrimtarin e vargjeve të njoma për fëmijë, Xhevat Sylën.

“Si fëmijë, kisha fatin e mirë që të mos ngarendja për kërkimin e lektyrave shkollore, i kisha të gjitha në shtëpi. Në shtëpinë tonë të vogël e të stërmbushur me libra, shpesh duhej hequr libra që gjendeshin edhe mbi tavolinën e bukës, për t’iu bërë vend pjatave me ushqim. Falë babit, jo vetëm librat për fëmijë por edhe autorët e tyre i njihja nga afër. Një nga librat e tij që më lidh emocionalisht është “Mbreti nga Qerreti”. Është një libër me poezi, i shkruar me shumë dashuri për nipat e tij. Pas jo shumë viteve, Deti, nipi i madh, shihet se ka pasion leximin e shkrimin. Ai është vetëm 9 vjeç, por diskutimi i tyre për gramatikën e stilistikën është i jashtëzakonshëm” përfundon Blerta.

“Unë nuk kam mundur t`i shpëtoj dashurisë për fëmijët e mi, dhe kam shumë poezi edhe për Mirakun, edhe për Blertën, edhe për Dafinën. Jam martuar bukur i ri dhe fëmijët kanë ardhë në jetë bukur herët, unë jam përpjekë me u kujdesë edhe për zhvillimin e tyre, sado që ata i kanë marrë rrugët dhe drejtimet e jetës. Më kujtohet, për shembull, djalin, Mirakun, kur e pashë në festën e Abetares, më erdhi frymëzimi për vjershën “Mirakut në Festën e Abetares”. Në një poezi tjetër, e krahasoj veten me kangurin i cili e mban në gji fëmiun e vet, dhe unë e kam ndje nevojën të jem si kanguri që nuk e largon nga gjiri asnjëherë krijesën e tij” më thotë Xhevat Syla.

MIRAKUT NË FESTËN E ABETARES

Ti, Miri, i mësove shkronjat,
Mbarimin e Abetares feston.
Kuptim tjetër t’kanë tash lojërat,
Jeta derte të tjera t’dikton.

Kokën – si çantën me libra,
Gjithnjë e më plot do ta kesh;
Me nxënie në t’jetës mynxyra
Më i fortë përditë do të jesh.

*

“Askund nuk jam ndi ma mirë se në poezinë për fëmijë, dhe kjo dashuri më ka bërë që të merrem edhe me studimin e saj. Letërsia për fëmijë i ka specifikat e veta, duhet kujdes, duhet të merret parasysh se i dedikohet një grupmoshe që ka një shkallë të caktuar të zhvillimit intelektual, ka nevojë të kënaqet por edhe të mësojë dhe të edukohet. Kohëve të fundit është edhe poezia, përkatësisht letërsa për moshën adoleshente, e cila po ashtu i ka kërkesat specifike.”

Xhevat Syla është njëri prej shkrimtarëve që e ka organizuar dhe mbajtur gjallë Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë, i cili që prej vitit 2000 e deri sot ka udhëtuar në tërë Kosovën, për të qenë më afër fëmijëve, me emrat e poetëve më të dashur për fëmijët e Kosovës.

“Karvanin e ka nisë Agim Deva në vitin 2000, dhe natyrisht që ne të gjithë iu bashkuam në këtë ide. Me të, natën e ditën jemi shoqëru’, i kam ndihmuar shumë në organizim. Agimi na la në vitin 2009 dhe meqë ai ka dashtë që Karvani me vazhdu’ ngase ishte mirëpritur aq mirë nga fëmijët dhe jo vetëm ata, unë i mora përsipër punët e organizimit. Fati i keq bëri që një pjesë e shkrimtarëve të Karvanit të na lënë, dhe jam varfëru’ edhe unë, por edhe letërsia për fëmijë me ikjen e tyre” tregon Syla. Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë çdo vit udhëton drejt shkollave fillore për të dhuruar libra, por edhe për t’i përqafuar më të vegjlit, për t’i inkurajuar talentet e reja për krijimtari. Një numër i konsiderueshëm i gjeneratave në Kosovë në një moment a tjetrin janë gjendur para këtij Karvani dhe shkrimtarëve që me shumë zell e me pafajësi fëmiu nuk hezitonin të rrugëtonin kilometrat e Kosovës po edhe në trevat e tjera shqiptare për të qenë më afër e për të mbjellë te fëmijët e vegjël një kulturë leximi e dashurie për librin.

Syla, siç e shpjegoi edhe vajza e tij Blerta, si i ri në Istog ishte edhe aktor, kishte luajtur në disa shfaqje e drama.

“Te drama “Cuca e Maleve” e kam pasur rolin e priftit Don Marku, ka qenë rol jashtëzakonisht bukur i realizuar. Unë isha me flokë të gjata, të zeza, ka qenë mrekulli. Bartja e flokëve të gjata m’u lejua në shkollë vetëm për shkak të këtij roli. Mirëpo, sapo u dha shfaqja, të nesërmen drejtori i shkollës më ftoi në zyre, më uroi për rolin dhe më tha që menjëherë të shkoja te berberi për t’i shkurtuar flokët. Kisha po ashtu rolin kryesor në dramën e Fadil Paçramit “Lagjja e varfër”, por luajta edhe në drama të tjera. Njerëzit pas çdo shfaqjeje më këshillonin që të regjistrohesha për studime veç në aktrim, askund tjetër. Nuk shkova në aktrim, por e vazhdova jetën me letërsi dhe duke e sprovuar veten ndonjëherë rrallë edhe në art figurativ. Gjithmonë edhe kam lexuar shumë. Më kujtohet, në një rast, vëllau Fazliu m’i solli 10 libra në Istog dhe mes tyre ishte edhe romani “I huaji” i Albert Kamysë. Unë isha në klasën e pestë ose të gjashtë fillore dhe e lexova edhe atë libër. Librin e kam rilexu’ edhe dy herë gjatë jetës, por asnjëherë me kënaqësinë e atij leximi të parë. Personazhet dhe ngjarjet kanë ngelë në kujtesën time nga ai lexim, sado që librin e kam kuptuar më mirë më vonë” tregon Xhevat Syla.

Syla, në një shfaqje si gjimnazist

Axha Xhevat më thotë të mos e harroj Vehbi Kikajn, një shkrimtar i mrekullueshëm, i cili vdiq i ri, 44 vjeçar, por i cili e nxiti shumë shkrimtarin në vitet e para të karrierës së tij. Madje, pikërisht Kikaj kishte qenë ai që i kishte thënë Sylës se ka ardhur koha të botonte edhe libër me poezi për fëmijë. I kishte thënë: tani ke botuar mjaft vjersha sa të bësh një libër.

Xhevat Syla ka ende plot vite para vetes, për të jetuar e për të shkruar e për të na sjellë më shumë libra. Kosovës, sot më shumë se kurrë i duhet letërsia për fëmijë, letërsia ndoshta si më shpëtimtarja e kësaj moshe të cilën shpesh e harrojmë ose e godasim keq, ne të rriturit.

Syla sot është profesor i letërsisë për fëmijë, me një tregim jetësor ku vijnë në pah “Rilindja”, revistat, redaktorët, dikur pak edhe politika, librat shkollorë në të cilët ai vazhdimisht e jep dijen e tij, shokët e shoqet e botës letrare, disa gjallë e disa në kujtime.

Në vitet 1975-1978 punoi kryetar i rinisë në komunën e Istogut, ku kontribuoi shumë në ngjalljen dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore. Në vitet 1979-1981 ka punuar kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re” dhe ka udhëheqë Komisionin për kulturë në rininë e Kosovës, ndërkaq në vitin 1982 ishte kryetar i rinisë së Kosovës. Që nga viti 1984 e deri në vitin 1998 punoi kryeredaktor i Entit të Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore të Kosovës, ndërsa tani punon redaktor në Shtëpinë botuese Libri shkollor dhe është profesor universiteti.

Si gjithmonë, në fund duhet shijuar vetëm mendja e shkrimtarit dhe vjershat e tij, për neve që jemi fatlumë t’i lexojmë e shijojmë këto krijime.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Të fundit

Të ngjajshme