30 Nëntor, 2024 - 1:54 pm
Yōko Tawada (1960), shkrimtare japoneze, me qëndrim në Gjermani. Shkruan në japonisht dhe gjermanisht. Është fituese e një mori shpërblimesh, ndër të cilat çmimin Akutagawa, çmimin Tanizaki, çmimin Noma Literary, çmimin Izumi Kyōka për Letërsi, çmimin Gunzo për Shkrimtarë të Rinj, medaljen Goethe, çmimin Kleist dhe një National Book Award
ASKUJT NUK MUND T’I THUHET SE EVROPA NUK EKZISTON
Nga Yoko Tawada
1.
Mbaj mend një bashkëbisedim me Xanderin, një personazh i tregimit tim Banja. Asokohe Xanderi shkonte me mendjen se ngjyra “e bardhë” e lëkurës është pjesë integrale e trupit të tij dhe jo metaforë.
“A mos po mendoni përnjëmend se lëkura ka ngjyrë?, e pyeta duke u mëdyshur, për ta shmangur tonin e njeriut të gjithëdijshëm.
Ma dhuroi një buzëqeshje të shpejtë dheu përgjigj:
“Ç’pyetje! A mos vallë po mendoni se ngjyra vjen nga mishi juaj?”.
Ia shpjegova si të isha docente e fizikës: “Mishi nuk ka ngjyrë. Ngjyra lind nga loja e dritës mbi sipërfaqen e lëkurës. Nuk ekziston asnjë ngjyrë te ne”.
Xanderi filloni të nervozohej dhe tha: “Po mbi lëkurën tuaj drita u sjellka në një mënyrë tjetër nga ajo mbi timen”.
Më befasoi që ai vinte theksin ashtu mbi dy fjalë, “juaja” dhe “jona”. Nuk arrija t’i kuptoja qëllimet e tij: nëse identiteti i “personit të bardhë” ishte për të aq i rëndësishëm, atëherë duhej të pohonte se asnjë “i bardhë” nuk kishte lëkurë me ngjyrë të letrës dhesë elementi i përbashkët mes të të ashtuquajturve “të bardhë” duhej të kërkohej në një rrafsh krejt tjetër.
Me dorën e majtë e përkëdheli krahun e djathtë, si të donte të sigurohej se lëkua e tij ishte njëmend e bardhë.
Replikova: “Drita sillet në mënyrë të ndryshme varësisht nga lëkura, personi, muaji dhe dita”.
Pa dritë s’ka ngjyrë e nëse jemi të zhytur në errësirë dhe nuk i atribuojmë asgjë negative, ajo na e ofron mundësinë t’i çlirojmë sytë tonë nga imazhet ditore.
Duke qenë se perceptimi optik na rezulton kaq natyror, në shumicën e kohës mbesim pasiv. Nga dembelia i shndërrojmë imazhet linguistike në vizion optik në vend se ta përkthejmë në gjuhë lojën e dritës. Është një e zezë, thotë truri, e atëherë sytë nuk janë më të zotë të perceptojnë realisht lëkurën e tij.
2.
Meqë nuk kam qenë e mësuar t’i kushtoj vëmendje ngjyrës së flokëve dhe syve, kurrë s’e kisha vërejtur se në dritën e diellit ngjyrat reflektohen tek evropianët dhe tek unë në mënyra të ndryshme.
Ndërsa ajo që më ka rënë kokës shumë është se trupi evropian është përherë në kërkim të një shikimi. Jo vetëm fytyra, por edhe gishtërinjtë apo madje edhe shpina pretendojnë një shikim. Për këtë arsye një person anon përherë të hedhë shikimin mbi një trupin e një tjetri. Jo vetëm: sytë kanë edhe obligimin të shfaqin një reaksion. Pranohet patjetër një reaksion negativ, por të mos ketë kurrfarë reaksioni nuk lejohet. Shpesh, në metro, ose në autobus, isha e detyruar të mbyllja sytë, aq isha e stërmunduar nga kjo detyrë. Jo rrallë më rastiste të dëgjoja në rrugë ndonjë vërejtje mllefqare, thjesht pse s’e kisha denjuar dikë për një shikim. Unë nuk dua të kem një perceptim optik për çdo person, aq më pak të kem një mendim për secilin, përndryshe kjo do të eshkonte procesin e kundërt: trupi im nga ana tjetër do të bëhej diçka ndërtohet në mënyrë konstante përmes shikimeve të të tjerëve.
Evropian është një trup që dëshiron dhe duhet të shihet. Dhe nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për narcizëm. Mbrapa kësaj nevoje fshihet për çdo rast droja se ajo që nuk shihet mund të zhduket nga një moment në tjetrin.
3.
Fjalës “Evropë” ia asocioj dy figura teatrale: njëra është femërore, tjetra mashkullore.
Figura mashkullore e Evropës dëshiron mbi të gjitha të merret në konsideratë nga publiku. Mund edhe të kritikohet, por në asnjë rast nuk duhet të thuhet se nuk ekziston. Nuk është e lehtë ta kritikosh, meqë e kritikon vazhdimisht vetveten dhe e bën me shpejtësi dhe mjeshtëri të tillë sa askush tjetër s’do të mund ta bënte më mirë. E kritikon madje edhe një kulturë tjetër, kur bie tepër nën ndikimin e saj. Në një rast të tillë shpreh kështu kritikën e saj: “Pse nuk mbetesh vetvetja? Pse dëshiron të më imitosh? Unë nuk jam shembull i mirë”.
Evropa është mjeshtre e kritikës dhe kjo është njëra prej karakteristikave të saj. Po qe se nuk shpreh kritikë, zhduket. Ajo që e ka frikë më së shumti është të mos ekzistojë. Edhe unë jam munduar ta kritikoj, duke qenë se e pretendonte prej meje, por s’ia kam dal mbanë. Më e shumta arrija të përsërisja vetëkritikën e saj. Nuk më vinte në mendje një kritikë më e mirë. Nuk e kam konsideruar kurrë kritikën si formë kreative për të shprehur vetveten dhe atë që më është e huaj. Ndërsa për Evropën është jo-korrekte, false dhe gati se imorale të mos e kritikojë veten dhe të tjerët. Kurrë nuk flet për një person, për një ndodhi, apo për një institucion pa i kritikuar. Jo se do që të denigrojë gjithçka, por vetëm ngase kritika është forma themelore e mendimit të saj.
4.
Figura femërore e Evropës është që duket të ketë humbur në një epokë mitike. Herë pas here, në një mejhane, shihja disa evropianë të veshur si kalorës që, në tavolinën e tyre të zakonshme, kuvendonin rreth Evropës së humbur. Përherë vinin në përfundimin se e kishte humbur rrugën dhe bisedonin mbi atë se si ta gjenin. Ndërkohë pinin verë të mirë, pastaj ktheheshin qetë-qetë në shtëpi. Ma ha mendja se kalorësit silleshin thua se një figurë e rëndësishme kishte humbur dhe e quanin Evropë. Ngase kishin nevojë për një figurë që ta idealizonin falë humbjes së saj.
Kur, në një poezi, shkruaja se Evropa nuk ekziston, nuk mëtoja absolutisht të thosha se kishte humbur. Doja thjesht të pohoja se qysh në zanafillë Evropa kishte qenë e sajuar si një figurë e humbjes.
Nganjëherë hetoj nevojën t’ia jap një trup kësaj figure të idealizuar. Por s’arrij dot. Kur them: “Evropa vuan nga otiti”, apo “gishti i vogël i Evropës është më i gjatë se gishti i unazës”, veshët dhe gishtërinjtë e saj shndërrohen në metafora dhe trupi i saj e humb sërish konkretësinë trupore.
5.
Ideja se veç muzika evropiane është muzikë e vërtetë me shumë gjasë është më e përhapur në Japoni se sa në Evropë. Shumë japonezë nuk hezitojnë fare ta konsiderojnë kulturën në mënyrë evrocentrike. Në sytë e tyre kultura evropiane nuk është në pronësi të evropianëve, ngase të gjithë mund ta imitojnë lehtësisht. Pohojnë se ajo kulturë që arrij të imitojë më së miri kulturën evropiane është kultura më e mirë, dhe sigurisht se e tillë nuk është kultura evropiane, por për shembull ajo japoneze. Sot ky nacionalizëm i kundërt është aktual si kurrë më parë në Japoni.
Japonia nuk ekziston në Evropë, por nuk gjendet as jashtë Evropës. Që të mund ta shoh Evropën duhet të vë një palë syze japoneze. Meqë nuk ekzistonte as nuk ekziston diçka si një “pikëpamje japoneze” – çka nuk më vjen keq fare – këto syze janë pashmangshmërisht imagjinare dhe më duhet t’i ndërroj vazhdimisht. Prandaj, pavarësisht se jam lindur dhe rritur në Japoni, vizioni im japonez nuk do të jetë në asnjë rast autentik.
Syzet e mia japoneze megjithatë nuk janë instrument që mund të blihen thjesht në dyqan. As nuk mund t’i vë a t’i heq në varësi të gjendjes sime shpirtërore. Këto syze kanë lindur nga dhimbja që kisha në sy dhe më kanë hyrë në mish, ashtu siç mishi im ka hyrë në syze.
6.
Evropa do të mund të shihej jo vetëm si figurë, por edhe si një shumë imazhesh. Do të mund të nxirrja ndonjë kartolinë të bukur të koleksionit tim dhe të ndërtoj me to një botë imagjinare. Po s’do ta bëj, se ka rrezik të prodhoj veç një orientalizëm kokëposhtë.
Drejtpërdrejt e tërthorazi, imazhet kanë të bëjnë përherë me perceptimin optik. Po unë s’do të doja më të perceptoj Evropën me sy, përkundrazi, me gjuhën time. Nëse gjuha ime e ndien shijen e Evropës dhe flet Evropa, mbase do të mund ta kapërceja kufirin mes observuesit dhe gjësë së observuar. Ngase ajo që hahet arrin në stomak dhe ajo që thuhet arrin, përmes trurit, në mish.
7.
Kur kam ardhur në Evropë nuk kisha asgjë për të treguar rreth Evropës, sepse nuk njihja asnjë gjuhë që do të mund të kuptohej nga të ngjashmit e mi të rinj. Pak e nga pak, duke e përsëritur atë që thoshte Xanderi, e kam mësuar gjuhën e tij.
Kjo gjuhë, me të cilën tash flas për Evropën, është në radhën e saj gjuhë evropiane. Jo vetëm gjuha, por edhe figurat e argumentimit dhe toni që përdor i përkasin Evropës dhe jo mua. E përsëris Evropën në Evropë. Sapo të nis të flas për Evropën, e përsëris. Atëherë resht së foluri. Duhet të gjej një mënyrë tjetër për t’u ballafaquar me të.
/Marrë nga Yoko Tawada, ‘Dove cominicia l’Europa’, Mimesis, 2021 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com