займ на карту онлайн потребительский кредит

Z. Postier, mund t’ia çosh këtë babait në parajsë?

3 Dhjetor, 2018 - 11:30 am

7-vjeçari Jase (i dyti nga e majta), i kërkoi postierit t’i dërgonte një letër të atit James, shumë larg, në parajsë. James vdiq papritur në 2014, në moshën 28-vjeçare. Në foto, Jase me të ëmën Teri, babain James dhe të motrën Nieve.

Ka prekur zemrat e qindra mijëra britanikëve letra e një djali 7-vjeçar nga Skocia, i cili i dërgoi një kartolinë ditëlindjeje të atit në parajsë. Por edhe më shumë ka prekur njerëzit përgjigja që Posta Mbretërore i ka kthyer djaloshit Jase Hindman, kur postieri ka parë të shkruar mbi zarf kërkesën e pazakontë: “Zoti Postier, mund t’ia çosh këtë babait tim në parajsë?”.

Jase i kishte shkruajtur mbi zarf postierit një kërkesë, që letrën t’ia dërgonte të atit në parajsë, por familja nuk mendonte se do të merrnin ndonjë përgjigje.

Punonjësi Sam Millgan i Postës Mbretërore i ka kthyer menjëherë përgjigje 7-vjeçarit nga Bathgate i Skocisë: “Desha vetëm t’ju bëja me dije se si ia arritëm ta çonim letrën tuaj në vendin e kërkuar. Ishte një sfidë vërtet e vështirë të shmangie yjet dhe galaktikat rrugës për në Parajsë. Por mund t’ju siguroj se kjo dërgesë kaq e rëndësishme, mbërriti në destinacion!”

Përgjigja që Posta Mbretërore i ktheu 7-vjeçarit i habiti të gjithë

E ëma e Jase, Teri Copland, i postoi fotot e letrave në Facebook, dhe menjëherë gjithçka u bë virale, pasi postimi u rishpërnda të paktën 260 mijë herë. “Nuk e keni idenë sa u lumturua kur besoi se i ati e kishte marrë kartolinën… Ju më rikthyet besimin tek njerëzit”, shkruan Copland, e cila humbi papritur të shoqin James, në vitin 2014, në moshën 28-vjeçare.

Nëna e Jase thotë se i biri dëshironte t’i dërgonte një kartolinë të atit pasi, sipas tij, “të gjithë duhet të marrin të paktën një kartolinë ditëlindjeje edhe nëse nuk janë më mes nesh”.

“James ishte një baba i mrekullueshëm dhe një njeri fantastik. Xhesi e mban mend shumë mirë të atin dhe i ngjan në shumë detaje të karakterit. Atij i pëlqen shumë të shohë fotografitë e tij dhe të lexojë historitë që kanë shkruar miqtë e James në një libër kujtimesh”, thotë Copland.

“Ju mund të mos e kishit marrë mundimin të bëni një gjest kaq njerëzor dhe ta kishit injoruar letrën”, i është drejtuar Teri Copland, Postës Mbretërore. “Por përpjekja që bëtë për një djalë që as që e njihnit, ma ngrohu zemrën dhe ktheu besimin tim te njerëzit”, shkruan ajo. “Veprimi juaj do të thotë shumë për Jase”, komenton Copland, e cila u ka kërkuar miqve të saj në Facebook ta ndajnë sa më shumë këtë histori, me qëllim që të gjithë punonjësit e stafit të Postës ta marrin vesh këtë gjest njerëzor. “Ju jam shumë mirënjohëse Posta Mbretërore! Gëzuar Krishtlindjet”.

“Kjo është një histori kaq prekëse. Nuk i mbaj dot lotët… Faleminderit të gjithëve ju që ia bëtë jetën përsëri të lumtur këtij djali të vogël. Engjëjt zbresin në Tokë në forma nga më të ndryshmet!”, shkruan një nga qindra mijëra komentuesit në Facebook.

“Sa gjë e bukur për të ngrohur zemrën e një fëmije që deshte vetëm të mos harronte ditëlindjen e të atit! Faleminderit Posta Mbretërore! Ju ma kthyet edhe mua besimin tek njerëzit”, shkruan një tjetër komentues.

marrë nga: gazetasi.al

Të ngjajshme