‘Zbritje atje ku ndodhte diskriminimi’

12 Janar, 2024 - 11:49 pm

Romani më i ri i Ibrahim Kadriut “Zbritje në dekada”, botim i “Faik Konicës” (2023) me temë nga koha e mbretërisë, të mbretit Aleksandër të Serbisë.

Në serinë e romaneve të botuara deri më sot, të autorit Ibrahim Kadriu, romani “Zbritje në dekada” i botuar kohë më parë, përkatësisht romani më i ri, paraqet vazhdimësi të të ndodhurave historike në mesin tonë, kur shqiptarët i kishin të kufizuara mundësitë e zhvillimit normal. Ishte ajo kohë e mbretërisë SKS, kur shqiptarëve nuk iu lejohej mësimi, ose kur fëmijët shqiptarë ishin të shtrënguar të mësonin lutjet fetare përmendsh në gjuhën arabe, duke mos kuptuar fare se çfarë ishte ai mësim. Edhe në këtë shkrim autori është shërbyer me mjaft dëshmi të kohës, natyrisht duke i shpërfaqur ato përmes pasazheve fiktive të cilat i ndihmojnë lëndës romanore të ketë përmbajtje të kapshme dhe tërheqëse.  

Në roman parakalojnë shumë personazhe, të cilat janë portretizuar efektshëm dhe si të tilla, qoftë përmes tragjikes, apo edhe përmes humorit – përvetësohen lehtë nga lexuesi. Në epiqendër të ngjarjeve që shtrohen me një dinamikë mjaft tërheqëse, del në pah edhe Medreseja e Shkupit, e cila, për ironi të kohës, mban emrin e mbretit të Serbisë, Aleksandrit, duke qenë e vetmja qendër ku shqiptarëve iu mundësohej të arsimoheshin për t’u bërë hoxhallarë. Ka në të edhe personazhe reale, siç është rasti i Zenel Hajdinit, studentit të mëvonshëm në Beograd, i vrarë nga çetnikët.  

Ky roman me përmbajtje atraktive zbret atje, në kohë, kur në ambientet shqiptare bëheshin diskriminime; përmban edhe shumë të dhëna dokumentare të cilat e bëjnë tërheqës për lexim. Janë në shënjestër raportet kontradiktore shoqërore, të njerëzve viktimë të ideologjisë së shtetit serb antishqiptar dhe të ngarkesave me përmbajtje të doktrinave fetare (islamike) si shtytje nga politika shoviniste  serbe e cila, edhe përmes ndikimit të fesë islame – synonte realizimin e qëllimeve hegjemoniste. Edhe në këtë roman autori nxjerr mbi sipërfaqe individë të maskuar, me misione të caktuara për qëllime meskine, duke shfrytëzuar prapambeturin e shqiptarëve të cilëve  ua kanë pamundësuar çdo lëvizje që do t’i çonte drejt zhvillimit dhe emancipimit. 

Romani “Zbritje në dekada” rrumbullakohet në tri pjesë, përkatësisht në 209 faqe.  /KultPlus.com

Të ngjajshme