Zef Pllumi: Ajo shka i karakterizon udhëheqësat asht guximi i tepërt

15 Janar, 2021 - 9:32 pm

Fragment nga vepra “Rrno vetëm për me tregue” nga Zef Pllumi:

… Simbas asaj historie që dij vetë, i thojshim Velkos, njerëzimi sundohet prej njerzve të dhunës, që nuk kanë mëshirë as dashuni, por vetëm dëshirë të pangopun për lavdi e pasuni. Natyrisht kanë dhelpninë që për mos me u thirrë “përbindsha” i paraqesin veprimet e veta në bazë të mbrojtjes të ndonjë feje, ideologjie, filozofie o ideali. Ajo shka i karakterizon udhëheqësat, asht guximi i tepërt. Kështu ata pa kurrfarë ndrotje kcejnë në shpinë të kalit me vrull e lshojnë kushtrimin:

“Kush asht trim le të vijë mas meje me vdekë për liri”.

Këtë fjalën e fundit këta heronj të historisë e kanë zëvendësue dikush me “fe”, tjetri me “ideal”, me “atdhe” e me proshka të tjera që u vijshin ma përshtat për me gënjye nji turmë të verbët e cila tue bërtitë “urra” i shkojnë mbrapa me turr, posi nji ortek bore, tue gjumue, tue marrë hov e sulm sa herë që “prijsi në kal” valëvit e tund nji copë leckë, nji, dy, ose tringjyrshe, pse ai nuk din të numërojë të katërtën. Ajo copë leckë thërret “simbol”, “ideal” etj. Shiko, shife në Spanjë se si demi i egër sulmon nji pecë të kuqe. Kjo asht “turma” ose “populli” dhe në krye të saj “heroi” që ban historinë…

Velko, tash sa mija vjetësh njerzimi vërtitet në nji “rreth vicioz” në kërkim të lirisë, ndërsa ajo rrin atje larg tue u zbavitë pamëshirshëm për marrinë e gjithmonshme të turmave që kërkojnë “nji prijës”, e adhurojnë atë, ecin mbas ligjeve të tija e jo të Zotit … / KultPlus.com

Të ngjajshme