18 Qershor, 2025 - 6:30 pm
Drita nis në një pikë dhe përshkon gjithë trupin.. Një trup që digjet përditë. Aspak i vlerësuar. Shndërrohen në trupa robotësh. Zëri jehon përtej. E artistet në skenë përpëliten ngadalë. E gëlltisin këtë realitet që vjen përtej imazheve sikur të grisura. Imazhet shumëzohen e mbesin veç numra. Por nga zërat transmetohen si histori të përveçme. “Zëra të heshtur” u bënë zëra që dëgjohen, histori që lexohen në mbrëmjen e dytë të “FemArt 13” që vjen nën moton “Çliroje mendjen”.
Shkruan: Gili Hoxhaj
Imazhet janë ato që shtrojnë pyetje. Krejt kjo e ndërthurur mirë artistikisht nga Biloura Intercultural Arts Collective, nën drejtimin e Angie Rottensteiner (Austri) dhe Chiara Bosco (Italia). Ato kanë bashkëpunuar edhe në dramaturgji e zërim. Performanca sjell copëza nga eksploitimi seksual i grave. Të bëjnë të rimendosh krejt çka di për këtë temë: me keqardhje për gjithë paragjykimet që mund t’i keh mbjellur në vete.
Performueset: Yunjung Kim, Silvia Ribero, Julienne Schembri sikur bëhen trupa që fuqizojnë historinë e reagim që i përcjell me lëvizje zërat e heshtur. Lëvizjet e tyre përcjellin edhe dhimbje. “Prostitucioni nuk është përvojë krejtësisht individuale, por kolektive” është zëri që vjen i pari dhe i hedh sytë e të gjithëve mbi kapitujt që po hapen. “Mendoj se tregtia e seksit i shfrytëzon të cenueshmit dhe institucionalizon aktin e shfrytëzimit. Po ndodhë gjithkah nëpër botë”, janë fjali që kanë ndërprje në mes dhe na fusin në një fenomen që s’është as individual, tash as kolektiv por krejt global. Shoqëria është krejt patriarkalee ndaj fenomenit përfshin rreth 40-42 milionë njerëz në botë.
Procesi kolektiv i krijimit përfshiu artistë nga Evropa dhe Azia si dhe dëshmi nga gra të Afrikës, Amerikës Latine, Azisë dhe Evropës, duke gjeneruar një reflektim ndërkulturor mbi këtë temë. Ai nuk jep përgjigje dhe as nuk paraqet një diskurs të vetëm mbi çështjen e prostitucionit, por ndan një kërkim pesëvjeçar mbi elementet e përbashkëta të këtij fenomeni kompleks.
Regjisroja Angie Rottensteiner thotë se kanë dashur të shtrojnë pyetje dhe vetëdijesim për industrinë e seksit dhe duan të lidhin fenomene globale.
“Kemi intervistuar shumë gra që kanë qenë prostituta, punonjëse sociale, avokatë. I kemi mbledhur të gjithë këta zëra dhe zërat që kemi përdorur janë prej tyre”, ka thënë ajo për “FemArt”.
Dhe në Kosovë sikur ia kanë dalur të prekun publikun dhe ngrisin pyetje rreth kësaj teme.
“Këtu kemi pasur mundësinë të takojmë shumë njerëz nga Forcat e KFORIT, organizata joqeveritare dhe Ministren e Drejtësie dhe avokatë dhe mendojmë që e kanë kapur qëllimin e kësaj performance sepse ishin shumë aktiv për ta na udhëzuar dhe të flasin për këtë punë edhe në Kosovë”, ka shtuar tutje ajo.
Zërat që bazohen në rrëfime të vërteta e paraqesin si një të keqe të nevojshme. Të ardhurat nga prostitucioni vlerësohen rreth 186 miliardë dollarë në nivel global. Prostitutat kurrë nuk fitojnë para përkundër mitit që e ngjall këtë besim. Historitë e vendosura në skenë nga “Zëra të heshtura” e prekin aspekte të fëmijërisë kur braktisesh e deri të një shpallje pune që s’di as çka të ofron- përveçse një shumë të majme parash. Njëra e filloi këtë punë fiks në moshën 14-vjeçare e braktisi kur ishte 28. Në mes ka histori të ndjenjës si në makineri automatike, ku s’ndihesh as njeri. “Sinqerisht, as qenin që e ke në shtëpi nuk do të trajtohej ashtu”, vazhdon zëri i saj gati si pa ndjenja tash. “Kur klienti të rrah, ti duhet të jesh aty për t’u rrahur” – janë copëza rrëfimesh që vijnë nga njerëz që trajtohen pa ndjenja dhe ti përfundon e ndihesh po aq bosh e dehur, nga burrat, paratë, varfëria, pa shpresë për ta pritur një moment më tej. “Pasi grindeshin me gratë në shtëpi, burrat e shkarkonin zemërimin mbi ne. Kjo do të thotë që ne jemi thjeshtë objekte”- vjen si një realitet tjetër dhe që klientët duhej trajtuar si ‘mbretër’ e ti je askushi në sytë e tyre dhe gjithkujt që e mundëson këtë interaktivitet teknik.
Mesatarisht, një prostitutë ka shtatë klientë në ditë. Kjo do të thotë që në dhjetë vjet ajo do të ketë rreth 25.000 burra. Përpiquni të imagjinoni 25.000 burra në një dhomë – këto janë fjalë të tjera që vijnë e që përcillen me imazhe që e fuqizojnë mesazhin.
Chiara Bosco dramaturgia e kësaj shfaqje ka thënë se janë munduar tu japin një skenë këtyre njerëzve të cilët nuk do askush t’i dëgjojë.
“Ka qenë një proces i gjashtë pesë deri në gjashtë vite. Mund të them se ka qenë një udhëtim sepse ka qenë lëvizje në këtë temë nga vende të ndryshme, të takosh realitete të ndryshme dhe mendoj që është shumë e bukur që e sollëm këtu, është një hapje e re në këtë anë”, ka thënë ajo. Duke shtuar se shfaqje prekë shumë thellë publikun dhe kërkohet një moment për të reflektuar.
Në këtë performancë lexon për vitet e çuar dëm, për një hapësirë private që gjithmonë mungon dhe për një nënshtrim shpërblimin e të cilit e merr dikush tjetër. Një nga personazhet përfundon në pragun e vetëvrasjes. Tregon se si njeriu mund të ngulfatet nga të pathënat. “Ah, do të ndryshoja vetëm kur të vdisja” – dhe pasi që ndan këtë rrëfim me gjithë ne, sikur çlirohet. “Ne mund të ishim ato” – të bën të ndihesh keq dhe një vorbull mendimesh të përcjell kur duartrokitjet e përmbyllin një realitet të hidhur. Një realitet që s’do të ndjekë pas. Kapitulli i fundit është shërimi dhe secili mund të bëjmë hap drejt tij – duke qenë më pranues dhe më pak paragjykues. Mëson sa e rëndësishme është ta bësh çdo zë të dëgjueshëm!/KultPlus.com