Zëri i një të vdekure

16 Mars, 2021 - 3:01 pm

Nga Gëzime Azemi

Sot dashurinë tonë të mëparshme e kurorëzuam me një plumb. E mbaj mend kur jemi martuar, i pata premtuar se vetëm vdekja do të na ndajë, por një vdekje të tillë nuk e kisha menduar. Ai plumbi i nxehtë të cilin ma fali, ai plumb ma tregoi ftohtësinë̈ e jetës. Tërë kujtimet po më kalojnë si imazhe para syve. Po qaj, jo nga dhimbja për veten, por për të gjitha femrat të cilat përfunduan njësoj si unë. Nuk jam viktima e parë, por as e fundit nuk do të jem. Edhe mua më ishte premtuar përjetësia, por përfundova në tunelin e vuajtjes, dëshpërimit. Personit të cilit ia fala veten, nuk i mjaftoi por ma mori edhe jetën. Zëri im e i plot grave nuk u dëgjua asnjëherë̈. Britma jonë për ndihmë përfundoi në vesh të shurdhër. Durimi ynë̈ nuk kishte fund sepse na mbante gjallë një shpresë, por edhe shpresën na e keni vrarë para se të na vrisni. Sot, po marr guximin të flas për të gjitha ato gra, zëri i të cilave nuk u dëgjua asnjëherë. Neve nuk na vrau një person, por na vrau shoqëria. Ju me negelizhencën tuaj na keni vrarë. Fjalitë që më së shumti i dëgjuam ishin “Duro se e ki burrë”, “Zonjë rasti është në procedurë e sipër”, ” Qetësohu se nuk ndodh më”. E vërtetë̈ se më nuk ndodh, sepse e tëra përfundoi. Edhe rastin mund ta mbyllni sepse nuk ka më palë të dëmtuar, edhe po, e durova se e pata burrë. Por durimi na u shpërbly me grushta dheu mbi fytyrë. Tash kur gjithçka përfundoi mos na sillni lule tek varri e as lavde mos na thurni, por mbi të gjitha dhimbje mos ndjeni për ne sepse ne ishim në derën tuaj, por ju na e mbyllët para syve. Atë që nuk e bëtë për ne, bëjeni për duart që do të ju trokasin në derë. Merrni mësim nga ne dhe mos lejoni të ndodhin përsëri histori të njëjta me personazhe tjera. Ndihmoni që zëri tyre të dëgjohet. Bëhuni drita e tyre në fund të tunelit. Qofsha unë viktima e fundit, e tash po pushoj e qetë. / KultPlus.com

Të ngjajshme