Zija Çela, shkrimtari pa korniza me shpirtin e madh si horizonti

25 Mars, 2024 - 10:01 pm

Sot shkrimtari Zija Çela mbush 78 vjeç.

Ai lindi më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpiake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet.

Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare “Nëntori”, ndërsa nga 1984-1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 e gjejmë kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.

Si autor u bë i njohur nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili për realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit.

Libri autobiografik “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” dëshmon pikërisht forcën shpirtërore e artistike të Zija Çelës, që humbjen e djalit e ktheu në dashuri e forcë krijuese, ndërkohë që romani “SOS, një buzëqeshje” është përgjigjja më e jashtëzakonshme, e pashembullt, e pangjashme që një shkrimtar mund t’u japë sfidave dhe pësimeve të jetës. “SOS” është ndër arritjet letrare më të realizuara të Zija Çelës dhe njëra ndër majat më të larta të prozës sonë. Në vitin 2023 boton romanin “Pilisama Selfie”.

Gjatë gjithë karrierës së tij, shkrimtari Zija Çela është vlerësuar dhe etiketuar me epitete mjaft stimuluese. Në vitin ‘88, kur shkroi “Mali i tejdukshëm”, studiuesi Shaban Sinani, në një shkrim kritik mbi librin, e quante Çelën “zharminal shqiptar”. Por ky Zharminal, të kujton Emil Zolanë. Në vitin 1990-1991, kur u botua “Gjaku i dallëndyshes” dhe “Gjysma e Xhokondës”, shkrimtari Eqerem Basha në Prishtinë shkruante në një revistë duke u bërë thirrje shqiptarëve “lexojeni Çelën, se ne kemi Garsia Markezin shqiptar”.

Më tej e kanë krahasuar me Kamynë, Kafkën, Letërsinë e absurdit.

Rexhep Qosja është shprehur për Çelën, se “krijimtaria e tij është një pasuri shpirtërore me mvetësi e origjinalitet të veçantë, është krijimtari e disallojshme e shumaspektore në të cilën me fjalët janë bërë beteja kundër të këqijave politike, shoqërore, morale e kombëtare dhe në të cilën njëkohësisht janë bërë beteja për rëndësinë, kuptimin, figurshmërinë e bukurinë e fjalës.”

Ndërsa albanologia rumune Oana Glasu, ka thënë: “E dua Zija Çelën për gjithçka që është, për gjithçka që jep, duke respektuar njëkohësisht lexuesit e shkrimtarit për vlerësimet e shumta. E meriton dhe jua kam zili që e keni këtë kolos të letërsisë suaj kaq afër. Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt!”

Zija Çela është fitues i disa çmimeve letrare, si Çmimi i Republikës (“Buletini i borës”) (1984); Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Monedha e dashurisë”) 1996; Çmimi “Velija” për romanin më të mirë të vitit (“Banketi i hijeve”) 1998; Çmimi “Buzuku” (Kosovë) për romanin më të mirë të vitit (“Lëngata e hënës”) 2002; Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Las Varrezas”) 2006; Çmimi Kriterion, 2010; Çmimi “Petro Marko” për romanin më të mirë të vitit (“Apokalipsi sipas Shën Tiranës”) 2012; Çmimi “PEN i Shqipërisë”, 2013 dhe Urdhri “Nderi i Kombit” 2016 – dhënë nga presidenti i kohës, Bujar Nishani./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme