Zija Çela vjen me romanin e ri, përkthyesja rumune: Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt

15 Nëntor, 2023 - 11:04 am

Një letër përgëzimi për Zija Çelën dhe për romanin më të fundit, “Pilisama Selfie”. Përgëzimet i mori nga Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i Akademisë në Tiranë.

Kraja shprehet se në romanin “Pilisama Selfie” shkrimtari Zija Çela ndërton një qytet gjysmë provincial, të mbushur deri në grykë me vanitete njerëzore autentike, të cilat marrin jetë nga përballja me marrëzitë dhe lajthitjet kolektive, ku gjedhja letrare parodiake plekset me prirjen tashmë të sprovuar të autorit për të përqeshur pa mbarim bashkëkohësit e vet.

Një tjetër emër i madh i letrave shqipe, shkrimtari Rexhep Qosja vlerëson Zija Çelën si një shkrimtar shumë i çmuar i letërsisë shqipe, me dhunti të madhe krijuese dhe me vepra që do të jenë të gjithmonshme në historinë e kësaj letërsie. Sipas tij, Zija Çela adhurohet prej lexuesve dhe çmohet shumë prej kritikëve dhe historianëve të letërsisë. Ndërsa Oana Glasu, albanologia rumune apelon shqiptarët: E dua Zija Çelën për gjithçka që është, për gjithçka që jep, duke respektuar njëkohësisht lexuesit e shkrimtarit për vlerësimet e shumta.

E meriton dhe jua kam zili që e keni këtë kolos të letërsisë suaj kaq afër. Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt!”. Vet shkrimtari Zija Cela flet për shpirtrat e mëdhenj që happen si horizont, komunikimin midis kolegëve, në rastet kur korrespondenca ekziston. Ai thotë se “shpirtrat e mëdhenj janë si horizonti që pason horizontin dhe, ndërsa hapësira zgjeron kufijtë, e madhërishmja nis e zotëron aty”.

MEHMET KRAJA: Në romanin “Pilisama Selfie” shkrimtari Zija Çela ndërton një qytet gjysmë provincial, të mbushur deri në grykë me vanitete njerëzore autentike, të cilat marrin jetë nga përballja me marrëzitë dhe lajthitjet kolektive, ku gjedhja letrare parodiake plekset me prirjen tashmë të sprovuar të autorit për të përqeshur pa mbarim bashkëkohësit e vet.

Një depërtim i hollë, alegorik, pak cinik dhe më shumë i parodizuar, në realitetin politik dhe mentalitetin e korruptuar të ditëve të sotme. Një realitet onomastik dhe topografik tërësisht i sendërgjuar, por me lidhje të forta me përditshmërinë shqiptare në të gjitha nivelet, deri edhe më i fundit, “padronazhistët” që kërkojnë diktatin e tyre mbi jetën e njerëzve. Një botë e mbyllur në iluzionet e veta, iluzione tashmë të komprometuara nga shpërputhja e madhe e ëndrrave të parealizuara dhe një jete meskine, ku çdo gjë merr pamje grotesku, veçmas projeksioni i gënjeshtërt i së ardhmes.

Me një lehtësi të jashtëzakonshme, autori sjell një galeri personazhesh metaforikë, të cilët barten nëpër situata të ndryshme, gjithnjë duke manifestuar cilësi dhe karaktere njerëzore, që përfshihen në prirjen kolektive të kotësisë dhe shpresave të rreme. Një rrjet hekurudhor që duhet të kalojë pa ndërprerje në disa komunitete, pra edhe në atë pilisam, bëhet sinonim i zhgënjimit, i ëndrrave të parealizuara, mbi të gjitha sinonim i pamundësisë për të arritur hapin e prosperitetit dhe civilizimit.

Duke qenë kuptim universal i shpresës dhe dështimit për Pilisamat e ngjashme të botës, ajo bëhet gjithashtu garë stigmatizuese për pushtet, prestigj e rang shoqëror, madje edhe për të arritur kuptimet e pamundura të universit.

REXHEP QOSJA: Zija Çela është një shkrimtar shumë i çmuar i letërsisë shqipe, me dhunti të madhe krijuese dhe me vepra që do të jenë të gjithmonshme në historinë e kësaj letërsie. Zija Çela adhurohet prej lexuesve dhe çmohet shumë prej kritikëve dhe historianëve të letërsisë.

Krijimtaria e tij është një pasuri shpirtërore me mvetësi e origjinalitet të veçantë, është krijimtari e disallojshme e shumaspektore në të cilën me fjalët janë bërë beteja kundër të këqijave politike, shoqërore, morale e kombëtare dhe në të cilën njëkohësisht janë bërë beteja për rëndësinë, kuptimin, figurshmërinë e bukurinë e fjalës.

Ajo është krijimtari me një varg romanësh e përmbledhjesh me tregime në të cilat është trajtuar e djeshmja dhe e sotmja e shoqërisë shqiptare, në të cilën janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë krijuese të fjalës shqipe dhe në të cilën janë krijuar mundësi të reja kuptimore, domethënëse, të figurshme, artistike të kësaj fjale. Qëndrimi ndaj gjuhës është në këtë krijimtari, si ka thënë për gjuhën shkrimtari i shquar Franc Kafka, dashuri deri në vdekje.

OANA GLASU (albanologe rumune): E dua Zija Çelën për gjithçka që është, për gjithçka që jep, duke respektuar njëkohësisht lexuesit e shkrimtarit për vlerësimet e shumta. E meriton dhe jua kam zili që e keni këtë kolos të letërsisë suaj kaq afër. Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt!

JETA DHE KRIJIMTARIA

Zija Çela është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë së sotme shqiptare. Ai dallohet për romane, novela, por ka lëvruar, kohët e fundit, edhe tregimin dhe esetë letrare. Zija Çela lindi më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpiake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për gjuhë shqipe dhe letërsi. Në atë kohë u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit.

Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet. Në Tiranë punoi si redaktor në revistën letrare “Nëntori”, ndërsa nga viti 1984-1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Në vitet ’90, kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i Shtëpisë Botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 e gjejmë kryeredaktor të së përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht, që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.

Si autor u bë i njohur shpejt me librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili, për realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare, ku veçojmë: Çmimi i Republikës (“Buletini i borës”) (1984); Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Monedha e dashurisë”) 1996; Çmimi “Velija” për romanin më të mirë të vitit (“Banketi i hijeve”) 1998; Çmimi “Buzuku” (Kosovë) për romanin më të mirë të vitit (“Lëngata e hënës”) 2002; Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Las Varrezas”) 2006; Çmimi Kriterion, 2010; Çmimi “Petro Marko” për romanin më të mirë të vitit (“Apokalipsi sipas Shën Tiranës”) 2012; Çmimi “PEN i Shqipërisë”, 2013 dhe Urdhri “Nderi i kombit” 2016 – dhënë nga -sh-Presidenti i ndjerë z. Bujar Nishani etj.

Në qershorin e vitit 2005, së bashku me bashkëshorten, Çela u zhvendos në Itali për t’i qëndruar te koka të birit, Dritanit, i cili u sëmur nga kanceri dhe mbylli sytë nëntë muaj më vonë. Duke pasur për protagonist të birin, i njohur gjerësisht në Shqipëri si përkthyes nga italishtja, kësaj ngjarjeje tragjike shkrimtari do t’i kushtonte librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Opinioni e priti me interesim të veçantë dhe profesionistët e cilësuan si një nga librat më të mirë të këtij lloji (elegji në prozë) që janë shkruar në letrat e përbotshme. “Toena”, prej disa vitesh ka marrë përsipër botimin e veprave të Zija Çelës dhe i fundit ishte romani “Ora e Zooparkut”. / Panorama / KultPlus.com

Të ngjajshme