Zija Çelës iu nda Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta” në Podgoricë

1 Nëntor, 2022 - 2:29 pm

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” në Rahovec dhe në Podgoricë organizoi Manifestimin Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve”. Në kuadër të aktiviteteve u promovuan dy botimet më të reja, ndërsa Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta” iu nda shkrimtarit të mirënjohur, Zija Çela.

Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve”, ditën e parë të aktivitetit në Rahovec promovoi përmbledhjen me poezi të poeteve shqiptare dhe malazeze ”Perla poetike/Poetski biseri”. Të nesërmen, karvani i shkrimtarëve të “Teutës”, në praninë e figurave të shquara të kulturës dhe të medias shqiptare dhe malazeze, vazhdoi aktivitetin në bibliotekën e qytetit në Podgoricë.  Shkrimtari malazez Mirash Martinoviq,  në fjalën e hapjes ndër të tjera tha se: “Gjendemi në të njëjtin aktivitet si para dhjetë vitesh kur filluam shumë thjeshtë pasi Jeta Beqiraj dhe Natasha Lako erdhën te unë me idenë për themelimin e një shoqate jo vetëm të shkrimtarëve por të artistëve. Pra, me një karvan i cili do të udhëtonte nëpër të tria shtetet. Dokumentari që sapo pamë “10 vjet “Teuta”, në të vërtet është gjurma që lamë pas përgjatë një dekade, me aktivitete të shumta kulturore si dhe me personalitete të shquara, disa prej të cilëve janë shpërblyer me Çmimin për Vepër Jetësore “Teuta” si dhe iu kemi përkthyer dhe botuar libra dy prej të cilëve po i promovojmë sot”. 

Martinoviq: “Poetet shqiptarë dhe malazeze “bijat e pavdekshme të Minervës” 

Përmbledhja me poezi të poeteve shqiptare dhe malazeze “Perla poetike/Poetski biseri”, është njëri ndër të 6-të botimet e “Teutës”, në të cilin akademikët Mirash Martinoviq dhe Zuvdija Hoxhiq Berisha këto poete i quajnë “Bijat e pavdekshme të Minervës”.  

 “Këto poete malazeze e shqiptare, qëndistarë të pavdekshme të fatit dhe të vargjeve, thurin një fije poetike të pakëputur dhe duke u gërshetuar njësoj në tokë e në hapësirë, krijojnë lidhje midis popujve dhe kulturave të tyre. Ato dëshmojnë për kohën e tyre dhe  kohën mitike, duke lidhur bashkëjetesën në Ballkan dhe në Mesdhe, qëndisin një arabeskë të bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës. Dhe, ajo që këndon poeti vazhdon edhe përtej jetës në tokë!”-lexoi kritikën e shkruar Martinoviq. 

 Prof. Shefkije Islamaj, redaktore e këtij libri, poetet shqiptare dhe malazeze i vlerëson si poete që krijojnë në pajtim me kohën e kontekstin në të cilin jetojnë. Poezia e tyre demaskon zakonet e pashkruara patriarkale, por në të njëjtën kohë është kritike ndaj   dukurive shoqërore të shfaqura së voni në të ashtuquajturën “kulturë konsumuese” dhe dukurive të saj devijuese. Poezia e tyre shpreh ndjeshmëri, u jep zë e krahë atyre që në çfarëdo mënyre janë të skajuar, të cenuar, të diskriminuar, të viktimizuar në kohë e në rrethana të ndryshme familjare, shoqërore e politike”. 

 Natasha Lako: “Letërsia ballkanike noton në një det të trazuar” 

Shkrimtarja dhe skenaristja e mirënjohur Natasha Lako, e përfshirë në përmbledhjen poetike  tha se gëzimi më i madh është kur nëpërmjet letërsisë thyejmë barrierat gjuhësore. Ndërsa, tejet e rëndësishme për mua është që ne të njohim njëri-tjetrin, të njohim poetët brenda kufijve tanë. “Ndaj, më e bukura e kësaj është se unë po gërshetoj zërin tim me disa poete të Malit të Zi. “Një varg i Maria Montes thotë se ”dashuria është si një anije në një det të trazuar”. E tillë është dashuria jonë për njëri tjetrin me këto ndarje kufijsh. Është vet letërsia ballkanike e cila ka notuar në një det shumë të trazuar dhe është gjë shumë e bukur që ne po bashkohemi. Dhe, në këtë dhjetëvjetor unë habitem se sa kemi arritur dhe më duket e pabesueshme se çfarë vështirësish kemi kaluar si një shoqatë dhe gëzohem po aq që takohemi këtu me poetët e Malit të Zi”. 

Kaleziq: “Kënaqësi të përfshihem në librin që nuk këput lidhje por shtron ura” 

 Prof. Svetlana Kaleziq Radonjiq, njëra nga poetet e Malit të Zi tha se “është kënaqësi e veçantë që jam pjesë e një libri i cili nuk shkëput lidhjet por shtron ura ndërmjet njerëzve.  

“Ndërsa, pas dokumentarit 10 vjet “Teuta” ku pamë ndarjen e këtij çmimi domethënës përgjatë dhjetë viteve, unë do doja të shtoja se në të ardhmen të mos kemi vetëm laureatë por edhe laureate të këtij çmimi. Pra, gra poete të cilave iu ndahet ky çmim. Ju lumtë realizatorëve dhe laureatëve të deritanishëm të këtij çmimi. Ndërsa, jam shumë krenare me këtë përmbledhje poetike, meritat për të cilën duhet t’ia dedikojmë Beqirajt, e cila ka punuar shumë e ka qëndruar pa gjumë derisa e ka realizuar siç e meriton”, tha poetja malazeze Kaleziq-Radonjiq. 

 Ndërsa, shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Beqiraj, kryetare e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta” iu shprehu mirënjohje poetëve, përkthyesve, redaktorëve si dhe institucioneve mbështetëse, të cilët mundësuan realizimin e këtij libri i cili duke thyer barrierat gjuhësore i bën këto vlera të  përbashkëta pjesë të bibliotekës së njëri-tjetrit për ne dhe për brezat që do të vijnë”. 

“Ora e Zooparkut”-Vepra e parë e Zija Çelës në gjuhën malazeze 

Romani i përkthyer “Sat zooparka”(Ora e zooparkut) e shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela është libri i 6-të i “Teutës”, të cilat i ka botuar përgjatë 3 viteve të fundit. Ndërsa, në promovimin e tij Martinoviq tha ndër të tjera se në galaktikën e shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë, një vend të rëndësishëm zë prozatori Zija Çela, fituesi i çmimeve të rëndësishme shqiptare, ndër to edhe çmimet më të mëdha kombëtare, të cilat ndahen për më të mirët. 

 “Zija Çela është krijues i një shtrirjeje të gjerë, i një ndjeshmërie bashkëkohore i cili në veprat e tij letrare sjell frymën e epokës moderne, një frymë që ndihet nga të rrallët, të privilegjuarit, shumë të talentuarit dhe të aftit për të artikuluar frymën e bashkëkohores përmes punës së tyre. Zija Çela  është shkrimtar i një niveli dhe formati të tillë! Një pjesë e krijimtarisë së të cilit ka filluar të jetojë tek lexuesi malazez me përkthimin e romani Ora e zooparkut”. Me këtë roman,  i cili është një emblemë e kohës në të cilën është shkruar“. 

 Zija Cela – Laureat i 10-të i Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” 

 Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” në edicionin e 10-të të Manifestimit “Muzat e Alpeve”, çmimin  për Vepër Jetësore ia ndau Shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela me motivacion: 

“Zija Çela, ndoshta shkrimtari më origjinal dhe më profilik i prozës në gjuhën shqipe, përbën një rast unik në letrat tona. Ai shfaqet si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm, prandaj i rëndësishëm dhe vetvetja. Në librat e Zija Çelës ngjarjet mund të ndodhin kurdoherë. Dhe kjo u jep romaneve të autorit një dimension të përtejshëm e të përjetshëm. Me krijimtarinë e tij Zija Çela ka  provuar se letërsia e madhe i shpëton tiranisë së kohës. Kohës kalendarike. Por jo asaj ku rrinë së bashku veprat më të mira të letërsisë e të krijimtarisë shpirtërore, në atë zonë ku qëndron me dinjitet dhe krijimtaria e tij”(arsyet. i “Teutës”, përgatitur nga Rudolf Marku). 

 Rudolf Marku: “Te Zija Çela, është vepra që na çon tek autori” 

Shkrimtari i mirënjohur Rudolf Marku, i cili përgatiti arsyetimin për Çmimin “Teuta” 2022 shtoi se është një nder i madh që flas në Podgoricë, në një sallë jo fort larg prej së cilës ka lindur Danillo Kish. Një shkrimtar që për mua është ndër shkrimtarët më të mirë të gjysmës së dytë të shekullit 20-të”, duke vlerësuar romanet e Zija Çelës si librat e David  Grossman. 

“Aty nuk ke si të mos ndjesh të fshehur tensionin e përhershëm mes dëshirës për të rrëfyer hidhërimin tragjik dhe dëshirës për të heshtur. Librat e Çelës, ashtu si librat e Grossman-it, janë një betejë kundër dëshirës së shmangies, ikjes nga realiteti, nga vetvetja dhe guximit për t’u përballur me tragjedinë përmes qeshjes së hidhur. Vetë finalja e “Orës së Zooparkut” ndjek një ecje të kundërt me traditën letrare, nuk është autori që na çon te vepra, është vepra që na çon tek autori”.  

Beqiraj: “Bekim për ne sa herë Çmimin “Teuta” lëshuam në duar të zgjedhura 

Ndërsa, me rastin e ndarjes së Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” tek laureati i 10-të Zija Çela, Beqiraj tha se: “Të kesh fatin e bardhë e të jetosh në kohë gjigantësh dhe të mund të vlerësosh sadopak veprën e tyre lapidare që nderon kombin mbarë, është një bekim të cilin e ndjejmë sa herë  Çmimi “Teuta” bie në duart e zgjedhura të laureatëve tanë. Një nderim i vogël por veprën e tyre lapidare, e cila na radhit dinjitetshëm përkrah kombeve të tjera duke na lënë trashëgimi për ne dhe për brezat që do të vinë”. 

  Ky çmim në edicionin e 10-të kaloi tek shkrimtari i mirënjohur Zija Çela, të cilin ia dorëzuan Natasha Lako si dhe Mirash Martinoviq, i cili tha të jetë i nderuar dhe po aq i emocionuar teksa si laureatë paraprak ia dorëzon këtë çmim një shkrimtari të madh të letrave shqipe. 

Zija Çela, fitues i çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” ndër të tjera tha ta ketë ditur se do të vinte kjo ditë që nga fëmijëria, kur e ëma e tij ndonëse nuk dinte shkrim përpiqej të fliste me fqinjën malazeze në gjuhën e saj. Ndërsa shtoi se: 

 “”Teuta” për dhjetë vitet e saj ka bërë më të mirën e mundur. Përveç tjerash, po të mbledhësh veprat e dhjetë laureatëve të Teutes, teuta do të kishte në të ardhmen një bibliotekë të veten dhe kjo bibliotekë do të mund të quhej “Teuta”. 

 Rexhep Qosja përgëzon Zija Çelën për Çmimin

Akademik Rexhep Qosja, përgëzoi Zija Çelën me anë të një letre urimi, në të cilën ndër të tjera thuhej se: 

“Më gëzoi dhënia e këtij çmimi Zija Çelës si një shkrimtari shumë të çmuar të letërsisë shqipe, me dhunti të madhe krijuese dhe me vepra që do të jenë të gjithmonshme në historinë e kësaj letërsie. 

Krijimtaria e tij letrare, eseistike dhe publicistike është një pasuri shpirtërore me mëvetësi e origjinalitet të veçantë shumë e rëndësishme e letërsisë sonë kombëtare. 

Krijimtaria e tij është e shumë vëllimshme dhe njëkohësisht e shumëllojshme: ajo përbëhet prej rreth tridhjetë vëllimeve letrare, publicistike dhe eseistike”-thuhet ndër të tjera në letrën e Qosjes, të cilit Çmimi për Vepër Jetësore, iu dha vitin e kaluar në Prishtinë. 

 Boris Kastel:  “Muzat e Alpeve” shembulli më i mirë i qytetërimit ilir” 

 Manifestimin e përshëndeti edhe shkrimtari i mirënjohur malazez Boris Kastel, autor i rreth 30 veprave letrare, i cili ndër të tjera tha se: “Malazezët dhe shqiptarët kanë një rrugë të përbashkët të qytetërimit ilir në të cilin trashëgimia më e bukur është ajo e mbretëreshës ilire Teuta, në mozaikun e pa fund e të përjetshëm të Mesdheut si nënë e kombeve, si vel lirie dhe shkëndijë identiteti. Çfarë është tjetër qytetërimi ilir? Ja ku e kemi sot shembullin më të mirë!”- tha Kastel gjatë manifestimit në Podgoricë.  

Xhevat Limani: “TEUTA” e ka të qarte rrugën e vet” 

 Ndërsa, shkrimtari, aktori dhe regjisori Xhevat Limani, themelues i Teatrit Shqiptar në Amerikë si një “shekspirian” iu referua edhe thënies së tij: 

 ”Kam frikë se nga bukuria e drunjve mos e humbim rrugën në pyll”-thotë Shekspirit. Mendoj që “TEUTA” ka instinktin e kërkimit, të gjetjes, të prurjes, të prezantimit dhe të gjykimi të vlerave të mirëfillta letrare nën këtë nën qiell të ngrohur nga I madhi diell dhe me bekimin e të madhit babë të shenjtës nënë edhe në këtë terr të ndris e bukura hënë”-tha artisti Xhevat Limani, me  interpretimin e shkëlqyer të të cilit Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “TEUTA” mbylli edicionin e 10-të të Manifestimit Letrar Trekufitar. 

Realizimin e edicionit të 10-të të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve” e mundësuan Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Rahovecit dhe Komuna e Deçanit.  “TEUTA” me karvanin e shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” deri më tani ka ndaluar me aktivitetet e veta në 24 qytete të treshtetëshit Kosovë, Mal i Zi, Shqipëri. Ndërsa, Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta” iu është ndarë 10 përfaqësuesve të denjë të letërsisë shqipe dhe malazeze: Jevrem Bërkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq, Ramis Kelmendi, Zuvdija Hoxhiq Berisha, Xhevahir Spahiu, Rexhep Qosja dhe Zija Çela, të dielën në Podgoricë. / KultPlus.com

Të ngjajshme