‘Zoti në kinema’ i Dritan Dragushës, një reflektim mbi filmat nga një këndvështrim filozofik

12 Maj, 2021 - 11:03 am

Era Berisha

Qasja origjinale e pikëpamjeve filozofike në një thurje të letërsisë dhe kinemasë solli promovimin e librit të eseve nga Dritan Dragusha, të titulluar ”Zoti në kinema”, me ç’rast u diskutua rrënja e relacionit mes hyjnores (Zotit) dhe njerëzores (Njeriut), përmes trajtimit artistik të të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Diskutimi rreth këtij libri nisi qysh në fillim në ambientin e ngrohtë të kafenesë Dit’ e Nat’, që ofron pamje mbizotëruese të librave të llojllojshme të cilat po njëlloj sikur të pranishmit, kishin rastin të dëgjonin hyrjen nga shkrimtari Ag Apolloni, i cili foli rreth nisjes së këtij libri që fillimin e gjeti nga shkrime të herë pas hershme por fundin e finalizoi me promovimin e tij ku reflektohet mbi filma nga një këndvështrim filozofik i autorit.

“Si origjinalitet i autorit është pikëpamja filozofike e tij. Këtu trajtohen disa filma të vlerësuar edhe nga të tjerë ku autori ndërton një teori të veten në raport me këta filma. Ai e sheh filmin dhe ashtu si e sheh e komenton. Titulli është mjaft goditës dhe në momentin kur kam dëgjuar atë kam qenë pro botimit sepse është një titull që nxit të tjerët ta lexojnë”, tregon Apolloni.

Sipas tij, temat e tjera janë objekte trajtimi ku përflitet, analizohet dhe komentohet një segment që shumë kritikë e kanë përmendur, e që është heshtja. Krejt eseja e diskuton heshtjen e Zotit në raport me krijimet që i ndodhin njerëzimit. Pra, heshtja bëhet motiv kryesor. Pastaj, trajtohen edhe filmat e tjerë që nuk flasin direkt për Zotin por janë filma që flasin për njerëz që ndihen të ‘zotë’ si diktatorët që e projektojnë komplet një realitet duke e simuluar atë. Pra, libri ka shumë filozofi edhe pse nuk ka fusnota në bibliografi por ka shumë referenca të nënkuptuara për çka edhe autori e ka vështirësuar edhe më shumë punën e shtëpisë botuese ”Bard Books”.

“Pra, kjo është edhe një thirrje për një dëgjim aktiv ku dëgjuesi kërkon lidhje të tekstit me referencat, prandaj libri edhe pse si format është një libër i vogël, për nga dija është një libër i madh”, përfundon Apolloni.

I pranishëm në këtë promovim ishte edhe publicisti dhe shkrimtari Blerim Shala i cili nisi fjalimin e tij me fjalët: Libri ‘Zoti në Kinema’ i Dritan Dragushës mund të lexohet për një pasdite të qetë.

Shala, procesin e një shkrimi të tillë që duhen muaj të tërë të artikulimit të fjalive të qarta e të renditura mirë, e cilëson si një shkreptimë vetmitare të mendjes së autorit ku nevojitet një përzdritje që mundëson rrëfimin duke lidhur kështu lexuesin me shkrimtarin.

Sipas tij, rrëfimi i Dragushës, vjen në librin me titull joshës, ngashënjyes dhe provokues, nuk ka as fillim dhe as fund. Pra, libri ofron një ndalje, që është në kundërshti të plotë me lëvizjen dhe shpejtësinë tonë të vazhdueshme. Ndërsa, autori i ri-bën pyetjet dhe i ri-shfaq përgjigjet, për temat e përjetshme për vdekatarë, për tema të cilat vijnë nga amshimi, kalojnë̈ në kohë dhe i kthehen sërish amshimit. Prandaj, sa të ekzistojë njeriu, do të ekzistojnë̈ edhe këto tema që nuk kanë afat skadimi.

“Në librin e tij ‘Zoti në Kinema’, pyetja se ‘A e ka krijuar Zoti njeriun apo anasjelltas’, ka një motërzim tjetër, interesant dhe të saktë: A është Zoti regjisori suprem, i cili e ka bërë këtë film të madh (të quajtur Jetë dhe Njeri), në të cilin ne të gjithë luajmë pa një skenar të qartë, pos që e dimë se në fund të këtij ‘filmi’ të gjithë vdesim, apo, ne jemi vetë regjisorë të filmit, ku Zoti është një vepër e jashtëzakonshme e jona filozofike, religjioze dhe artistike?”, përfundon Shala.

Kështu, krejt në fund, fjalën e mori edhe vetë autori i këtij libri, Dritan Dragusha, i cili ka shpalosur rrugëtimin e tij rreth procesit të shkrimit.

“Për procesin e shkrimit unë frikësohem shumë sepse kur lexon shkrimtarë të cilët ne i lexojmë, filloj të frikësohem. Filmat që i kam shkruar janë një këndvështrim ndryshe i imi sepse mua në film më ndjek diçka, një moment i caktuar brenda filmit dhe atë e marr si bazë për të reflektuar mbi një fenomen ose për të shkruar një shkrim”, tregon Dragusha.

Sipas tij, karakteristikë e librit është heshtja që vjen nga Zoti ose që njerëzit e besojnë si të tillë ose edhe heshtja që vjen në raport me ‘zotninë’ sepse ka edhe trajtime të kësaj natyre. Duke qenë vokacioni përmes filozofisë, heshtja autorit i është dukur shumë më shumë aktive dhe vepruese se sa fjalët.

“Ka momente të tilla të cilat ekzistojnë dhe heshtjet ku ne si popull i kemi përjetuar sepse në vitet e 99-ta, ne e kemi ditur se çfarë është të mos heshtësh. Një moment tjetër interesant është përshtypja që më është lënë se pse ekzistojnë ngjarjet e mëdha apo njerëzit e mëdhenj, në varësi të çka dhe në varësi të kujt”, shpalos Dragusha.

Për autorin, ekzistojnë momente të caktuara të fundit që atij i lënë përshtypje dhe ai vendos ti trajtojë tutje. Disa nga to janë edhe pyetjet si: A do të ekzistonte Krishti po të mos ishte Juda?, A do të ekzistonte Avni Rrustemi pa Esat Pashë Toktanin?, e shumë të tjera që kanë të bëjnë me histori të ndryshme e të cilat pasojnë edhe në shkrime.

Kështu, krejt në fund të pranishmit patën rastin që të diskutojnë̈ jo vetëm rreth librit por edhe filmave që autori i ka trajtuar në librin e tij. Ndërkaq, nuk munguan as autografet e autorit me rastin e promovimit të librit ku mjaft të interesuar patën rastin ta blinin atë. / KultPlus.com

Të ngjajshme