займ на карту онлайн потребительский кредит

1976, Viti kur Kori i Prishtinës ‘Kolexhium’ interpretonte Këngën e Rexhës në Shqipërinë Socialiste (VIDEO)

14 Shtator, 2020 - 8:45 pm

Këngën e Rexhes e dijmë të gjithë, e kemi dëgjuar e vazhdojmë ta dëgjojmë të këndohet nga këngëtarë të ndryshëm, një këngë me një histori tejet të dhimbshme, shkruan KultPlus.

Sonte, KultPlus ju sjell Këngën e Rexhes të interpretuar nga Kori i Prishtinës ‘Kolexhium’, në vitin 1976.

Kjo këngë e komponuar nga Lorenc Antoni, nën dirigjimin e Mark Kaçinarit gjatë një shfaqjeje në Korçë, kur artistët nga Kosova vizituan Shqipërinë socialiste.

KultPlus poashtu ju sjell edhe historinë që supozohet të jetë e vërteta mbi ngjarjen e Rexhës.

Sipas rapsodit Demir Krasniqi, kjo ngjarje ka ndodhur disa vite para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në afërsi të Medvegjës, ku për qëllime trashëgimie Rexhën jetim e ka vrarë mixha i tij.

Gjithmonë është menduar se Rexhën e kishte mbytur kali, madje shpeshherë edhe është ironizuar me rastin, duke thënë se Rexhën e ka mbytur pela. Por, duket se e vërteta është ndryshe dhe jo ajo që kemi besuar të gjithë ne. Demir Krasniqi pretendon se e di versionin origjinal të këngës së njohur të Rexhës, ku sqarohet gjithë ngjarja, që, sipas tij, ka ndodhur në fshatin Stubëll, afër Medvegjës, rrethi i Jabllanicës.

Rexhës i kishte vdekur babai kur ai ishte dyvjeçar. Nëna e tij, sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, me qëllim që të mos lërë djalin jetim, kishte pranuar të martohej për kunatin, i cili u kujdes për ta rritur Rexhën. Pastaj e fejoi dhe vendosi që ta martojë me dasmë dhe krushqi, sipas zakoneve dhe traditave shqiptare të rrethit.

Ditën e dasmës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipur në kokë një mërzi e madhe, ngase e dinte se Rexha, pasi të martohej do të ndahej prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë, që do t`i takonte si trashëgimi nga babai.

Kjo vesvese e shtyri atë që ta vrasë Rexhën në ditën e dasmës së tij. Ai e mashtron Rexhën dhe e çon tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’i ushqyer ata dhe atje e vret tinëzisht, duke e lënë të vdekur në grazhd të kalit. Dasmorëve ua dha haberin duke u thënë se njëri prej kuajve e kishte qëlluar Rexhën me shqelm dhe e kishte lënë të vdekur në vend.

Nëna e Rexhës ishte kthyer nuse për kunatin

Dasmorëve nuk u kishte shkuar mendja se këtë krim mizor mund ta ketë bërë xhaxhai i Rexhës. Ata i besuan fjalëve të axhës së Rexhës. Demir Krasniqi thotë se ngjarjen e kishte dëgjuar nga Qamili i Vogël. Të vërtetën e vdekjes së Rexhës e kishte treguar vetë nëna e tij, disa vite më vonë, pasi asaj i kishte vdekur burri i dytë, që ishte axha i Rexhës.

Pra, vrasësi i vërtetë i Rexhës ishte axha i tij e jo kali, siç është kënduar kënga plot një shekull e disa dekada. Sipas Krasniqit, këtë këngë e kishte sjellë në Gjakovë familja e këngëtarit Qamili i Vogël, që ishin shpërngulur pikërisht nga fshati Stubëll i Medvegjës. Qamil Muhaxheri ishte i pari që e këndoi këtë këngë në Radio-Prishtinë. Kënga është përhapur shumë shpejt nëpër të gjitha trevat dhe krahinat shqiptare, ku këndohet edhe në ditët e sotme, por është e ndërtuar mbi një rrëfim të pavërtetë, duke krijuar edhe versione që shkojnë deri në banalitet.

Krasniqi e ka përpunuar dhe përshtatur për këngë origjinalin e kësaj ngjarjeje dhe për herë të parë e ka incizuar në audio kasetë më 25 korrik 2012. Ai pretendon se kjo është e vërteta e vdekjes së Rexhës dhe ky version nuk është kundërshtuar ende nga rapsodët dhe muzikologët. / KultPlus.com

Të ngjajshme