30-të vjetori i vdekjes së Lorenc Antonit

21 Tetor, 2021 - 3:45 pm

Si sot më 21 tetor 1991 është ndarë nga jeta kompozitori, dirigjenti dhe etnomuzikologu shqiptar Lorenc Antoni.

Antoni ka lindur në Shkup më 21 tetor 1901. Ai studioi në Fakultetin Filozofik në Shkup dhe muzikën e ka mësuar privatisht në qytetin e lindjes dhe në Beograd.

Veprimtarinë muzikore e fillon së pari si dirigjent koresh. Jo shumë vonë fillon të kompozojë edhe pjesë të ndryshme, veçanërisht për orkestra mandolinash dhe tamburash, të cilat i udhëhiqte. Bashkë me kompozime fillon të merret njëkohësisht edhe me mbledhje të folklorit dhe me etnomuzikologji, kurse veprimtarinë si pedagog muzike e fillon më vonë. Këto katër veprimtari Lorenc Antoni i zhvilloi në Shkup deri në vitin 1941.

Në prill të vitit 1941 zhvendoset në Kosovë, më parë në Ferizaj e pastaj në Prizren duke u marrë me muzikë.

I vetmi dirigjent i korit shqiptar atëherë ishte Lorenc Antoni. Fondi tepër i vogël i muzikës korale që kishte kompozuar qysh para lufte i shërbeu për të filluar punën me kore. Për punën e mëtejshme iu desh të krijojë një literaturë korale të re. Për nevojat e korit të Shoqërisë Kulturale Artistike “Agimi” në Prizren, të cilin e udhëhoqi deri në gjysmën e vitit 1956, kompozoi një varg pjesësh korale.

Më 1948, kur u hap shkolla e parë e muzikës në Prizren, Lorenc Antoni qe drejtori i parë i saj deri më 1956. Pas kalimit në Radio Prishtina, si redaktor i muzikës popullore, udhëheq shumë kohë edhe korin e saj. Më se 40 vjet ka dirigjuar kore të ndryshme në Shkup, Ferizaj, Prizren e Prishtinë e gjithkund ka korrë suksese të dukshme.

Antonit iu desh që ta hapë vetë ta rrugën e vështirë të shkencës dhe të artit muzikor dhe të zgjidhë shumë e shumë probleme lidhur me jetën muzikore. Kontributi i tij është aq më i vlefshëm dhe merita e tij është po aq e madhe.

Në AQSH ruhet një përmbledhje e krijimtarisë së Lorenc Antonit e botuar nga shtëpia botuese “Prosveta” të Beogradit, në vitin 1957./KultPlus.com

Të ngjajshme