346 vjet nga lindja e Vivaldit, kompozitori që kishte shkruar operë për Skënderbeun

4 Mars, 2024 - 9:30 am

Antonio Lucio Vivaldi lindi më 4 mars 1678 në Venecia, Itali. Mësoi violinën nga babai i tij Xhovani Batista (Giovanni Battista) që punonte si berber. 

Lista e kompozimeve të rralla të realizuara nga Antonio Vivaldi përfshin dhe operën “Skënderbeu”.

Shfaqja e parë e kësaj opere u realizua në Teatro de la Pergola në Firence të Italisë më 22 qershor 1718. Ajo përuroi rihapjen për publikun të këtij teatri. Libreti u shkrua nga Antonio Salvi, libretisti i preferuar i Dukës së Toskanës, Ferdinando de’ Medici, nga familja e njohur e Mediçëve. 

Ngjarjet zhvillohen në muret e Krujës në rrethimin e parë të saj në 1450, ndërsa qyteti është i rrethuar nga trupat turke që drejtohen nga sulltan Murati. Ushtarët otomanë kapin rob Donikën, ndërsa Skënderbeu i shqetësuar rrëmben vajzën e sulltan Muratit duke menduar që konflikti të zgjidhej me këmbimin e dy robëreshave. Në fund Skënderbeu e çliron vetë Donikën e tij me trimëri dhe kritikët mendojnë se ka Vivaldi ka dhënë me këtë opera triumfin e dashurisë dhe burrërisë shqiptare.

Si shikohet subjekti është melodramatik, ku nuk mungojnë intrigat dhe zgjidhjet “Deus ex machina”, karakteristike për artin barok të kohës. Në fakt është një Skënderbej tjetër nga ai që jemi mësuar të shikojmë në artin shqiptar.

Në artin europian të kohës nuk ishte fort i rëndësishëm epizmi i karaktereve sesa lirizmi dhe fryma kalorësiake e kohës. Fakti që Vivaldi zgjodhi Skënderbeun si subjekt të operës për këtë rast të rëndësishëm, konfirmon ndikimin që kishte ende në Europë heroi ynë kombëtar pothuajse 300 vjet pas vdekjes së tij. Ai ishte përfytyruar gjithmonë si një hero europian , “mik i virtytit dhe jo i fatit” si shprehej dhe vet Skënderbeu në letrën e tij të famshme dërguar Ferdinantit të Napolit. 

Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte (210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel) 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome ( disa sonata për fyell) si dhe Muzikë të Shenjtë. Vepra e tij më e famshme është “Katër Stinët”, kompozuar në vitin 1723.

Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinevë. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. / KultPlus.com

Të ngjajshme