5 vite të KultPlus u përmblodhën nën magjinë e interpretimit e paraqitjes së Flaka Gorancit

9 Tetor, 2018 - 1:04 pm

Gili Hoxhaj

Flaka Goranci, ylli operistik që ka mahnitur audiencat evropiane e botërore, duke jetësuar rolet që rrallë kujt i besohen, mbrëmë KultPlus e solli për herë të parë me një solo-koncert në Prishtinë, duke i dhënë një ngjyrim të veçantë shënimit të 5-vjetorit të gazetës së parë online për art e kulturë- KultPlus, e cila gjithnjë duke u rritur e duke i qëndruar besnik misionit të saj, tashmë ka arritur gjysëm dekade të suksesshme e stoike në mesin e mediave në vend.

Para që publiku të njoftohej me Flakën e mahnitshme në interpretim, fillimisht dëgjoi për rrugëtimin e Flaka Gorancit e natyrën e saj kërkuese që nga ëndrrat e hershme, kur lufta e kishte gjetur 12 vjeçare e si refugjate në Shqipëri, atje ku veçse kishte nisur ta hetoj pasionin për këndimin. Nga studimet në Tiranë e në Tel- Aviv të Izreailit, ajo tregoi për depërtimin në skenat më prestigjioze të Evropës e jashtë saj, por duke mos harruar kurrë rrënjët, por duke u kthyer tek to ose duke i marrë me vete.

Ndriçimi u fokusua në daljen e Flaka Gorancit e Pranvera Hoxhës, duke sinjalizuar fillimin e koncertit i cili nisi e përfundoi mes duartrokitjeve. Pas një komunikimi me sy me pianisten Hoxha, Flaka Goranci futet brenda veprës së kompozitorit italian Giacomo Puccini, duke e sjellë atë tek publiku në çdo ngritje e ulje zëri e çdo lëvizje të duarve e syve. Pas ”Gianni Schicchi ” – ”O mio babbino caro”, që ishte kompozuar para një shekulli, Flaka Goranci me zërin e saj të magjishëm e dërgoi publikun nën përjetimin e thellë tek vepra e kompozitorit austriak, R. Stolz ”Der Favorit” – ”Dusollstder Kaisermeiner Seelesein”. Për të vazhduar me „ Over the rainbow „ from ”The Wizard of Oz”, të Harold Arlen / HerbertStothart e deri tek ”Ariettaallaspagnola” e G. Rossini.

Flaka Goranci pavarësisht lëvizjeve të udhëtimit nëpër veprat më të njohura të kohëve e kompozitorëve më të njohur botëror, gjithnjë u ka qëndruar besnik rrënjëve. Kështu ndodhi edhe mbrëmë. Me “Lule Bore” të Simon Gjonit, ajo bindshëm e mbajti pothuajse pa frymë publikun deri në veprën e fundit. Flaka Goranci në cdo hap të koncertit e mbizotëronte me siguri skenën, e dëshmonte që tashmë është mishëruar me të. Derisa zëri i saj përhapej në sallë e dëgjohej dhe jashtë saj, ajo përmes shikimit lëvizte në secilin kënd të skenës e mes duartrokitjeve kalonte nga një vepër tek tjetra, duke e mbajtur publikun të përqendruar deri në fund. “Kur me vjen burri nga stani” erdhi në lëvizje e në interpretim tejet besnik ndaj veprës, duke arritur ta marr me vete publikun, përmes lëvizjeve të lehta të fustanit e mimikës.

Pas duartrokitjeve që ky interpretim ngjalli tek publiku e që e bëri Gorancin e Hoxhën të përkuleshin me shumë se dy herë duke i përgjigjur duartrokitjeve të tyre, Goranci dëshmoi fuqinë e veçantinë vokale e interpretitive dhe në një nga perlat shqiptare “Margjelo” të kompozitorit Prenk Jakova. Si rrallëherë, ajo në çdo lëvizje duke iu përshtatur tingujve, e futi publikun në muzikalitetin e kësaj vepre, duke bërë që publiku të ngrihet në këmbë për ta risjellë përsëri shpejtë në skenë, madje edhe më të fuqishme. Goranci krejt në fund u kthye për t’i sjellë publikut të Prishtinës “Carmenin” më të bukur që e kanë dëgjuar ndonjëherë. Me një buqetë me lule, ajo erdhi në skenë për të jetësuar operën më të njohur botërore të kompozitorit francez Georges Bizet. “Carmen” përmes zërit të Gorancit erdhi si një komunikim i afërt me secilin në sallë, madje me një prani më të madhe artistike Goranci zbret nga skena e me lëvizje të trupit në përcjellje të veprës, ajo nis e shpërndan lule për të pranishmit.

Mes elegancës në lëvizje e dukjes përrallore, Flaka Goranci qëndron në skenë duke i bartur fuqishëm publikut të saj, ndjesitë që i ka dhuruar publikut të skenave më të njohura. Zëri i saj rrëmbyeshëm mbajti vëmendjen e publikut në skenë, duke afruar duart pranë vetës, zëri i saj arrinte të depërtonte dhe jashtë sallës. Me këtë solo-koncert Goranci dëshmoi se është një artiste e jashtëzakonshme, që di ta mbaj publikun në çdo lëvizje, zëri ndërsa i dëshmoi publikut të saj që është përfaqësimi i jashtëzakonshme me të cilën lidhet me emrin e Kosovës.

Për ngrohtësinë dhe pritjen e mbrëmshme, Flaka Goranci thotë që e ka bërë që të ndihet shumëfish më e vlerësuar dhe e çmuar. Ajo thotë se ndihet e privilegjuar të prezantohet me një koncert solistik pranë publikut të saj dhe të jetë e përzgjedhura e ciklit të rrëfimeve “Ta zbardhi ftyrën”. Ajo shprehet e lumtur që feston së bashku me KultPlus-in, 5 vjetorin ndërsa thotë se beson në jetëgjatësinë e KultPlus-it që e ka përcjellë në çdo hap të karrierës.

“E kam përcjellë që nga fillimi KultPlus-in dhe ka qenë një gjetje shumë e bukur, diçka për të cilën ka pasur shumë nevojë vendi ynë, më vjen mirë që është krijuar një gazetë kaq serioze që përcjellë lajme nga kultura e mirëfilltë. Kam qenë gjithnjë përkrahëse, dhe KultPlus ka qenë një ndër të parët që ka përcjellë lajmet për karrierën, dhe gjithnjë e kam përcjellë nga afër dhe më vjen mirë që një grua si Ardiana Pajaziti ka arritur ta sjellë në këtë nivel këtë gazetë, dhe me stafin që reflekton një harmoni që rrallë kund e sheh. Unë besoj që nga këto 5 vite, KultPlus do të ketë një jetëgjatësi edhe më të madhe”, u shpreh mezzo-sopranoja Flaka Goranci.

Pas koncertit, mezzo-sopranoja Goranci tha se u ndje shumë e kënaqur me praninë e publikut i cili arriti ta marr pjesën artistike të cilën ajo e përcolli në skenë duke sjellë një gërshetim muzikor, nga muzika operitstike, operetat, këngët dhe këngë shqiptare.

“Unë po kthehem pas dy vitesh në Kosovë, para dy vitesh kam qenë në një meshë në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, kurse sot ka qenë një koncert solistik, jam ndjerë shumë e lumtur dhe e privilegjuar që të jem një nga artistet e përzgjedhura për për ciklin “Ta zbardhi ftyrën”. Ka qenë një koncert shumë i bukur pasi që publiku ishte i afërt. Më e rëndësishmja është kur njerëzit ndahen të kënaqur dhe marrin pjesën artistike që artisti mundohet me përcjellë tek publiku. Gjithmonë e shoh programin varësisht nga ajo se çfarë mund të kërkohet më shumë, çfarë mund të jetë më e pranishme dhe çfarë është më risi për publikun dhe në këtë mënyrë jam munduar ta sjellë këtë program që për publikun të jetë një rritje graduale dhe të ketë diçka më të re”, tregoi Goranci për KultPlus.

Pranë saj në piano e përcolli pianistja Pranvera Hoxha e cila tha që ishte kënaqësi ta përcillte në këtë koncert mezzo-sopranon Flaka Goranci, ndërsa tha se nga emocionet e publikut ishin shtysë në krijimin e gjërave edhe më interesante.

“Së pari falënderoj Ardiana Pajazitin për ftesën e cila si më ka treguar që do të jetë një mbrëmje me Flakën me kënaqësi kam pranuar, dhe pasi biseduam për repertuarin mezi e prisja, pasi që performancat me këngëtarë janë më të veçantë, pasi që kanë laramani stilesh dhe teksti përçon mesazhe dhe të bën të mëshirohesh më tepër. Flakën e njoh qysh moti dhe kemi studiuar bashkë në Shqipëri dhe më pas kur ajo vazhdoi studimet në Izrael e më pas u vendos në Vjenë, e mbaja si përgjegjësi që të dalë mbrëmja e bukur. Komentet që morëm nga publiku na bënë të ndihemi shumë mirë”, tregoi Hoxha.

Pianistja Pranvera Hoxha tha se e ka përcjellë KultPlus-in që nga hapat e parë, dhe sipas saj, është impresionuar me punën e KultPlus, pasi që shumë pak është shkruar në atë kohë për artistët e veçmas, instruminstët e muzikës klasike, pasi që fokusi ka qenë tek artistët e muzikës rep, pop, pra të muzikës më të përhapur.

“Shpesh herë prej KultPlus-it kam mësuar për ndonjë shfaqje të re dhe kam shkuar dhe tanimë që të gjithë përdorim rrjetet sociale, më ka bërë që ta zë lajmin me kohë dhe të arrij në atë ngjarje. Unë personalisht kam eksperiencë shumë të mirë dhe gjithnjë kanë qenë të kujdesshëm për punën time, uroj që të mos ndalen pasi që në Kosovë vitet e para, por edhe më tutje dinë me qenë shumë të vështira. Më emocinoi ajo që e tha Ardiana, pasi që jam nënë edhe unë, dhe një kohë të bukur që do të mund ta kaloja me fëmijët, duhet ta kalosh me dikë tjetër, dhe dikur e sheh që fëmijët janë rritur”, u shpreh mes emocionesh Hoxha.

Në mesin e të pranishmëve që kishin mbushur sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, ishte dhe profesoresha Lejla Pula. Ajo tha se tani që po e dëgjon Flaka Gorancin pas një kohe të gjatë, vërejti që ajo kishte edhe një zhvillim shtesë, një siguri të madhe në skenë, një bukuri të të shprehurit të kultivuar në tingull. Ajo tha se me këtë kapacitet, Goranci e ka një perspektivë akoma para vetës.

“Kam pasur gjithnjë një respekt të veçantë për Flaka Gorancin edhe për zërin e këndimin e saj jashtëzakonisht të kultivuar po ashtu dhe një prezencë shumë të madhe e të fuqishme në skenë që e krijon. Me të gjitha këto kualitete që Flaka i ka, jo vetëm me një zë të shkëlqyeshëm dhe një shkollim të mirëfilltë që Flaka e ka si këngëtare e operës, dhe tani po e zhvillon një karrierë të jashtëzakonshme jashtë kufijve të Kosovës”, tha pianistja e profesoresha Lejla Pula.

Lejla Pula tha se ajo është jashtëzakonisht e lidhur me KultPlus-in si pianiste, interprete dhe drejtoreshë artistike e festivalit “Chopin Piano Fest”.

“E kam ditur që gazeta online- KultPlus do të ketë një prespektivë të jashtëzakonshme me Ardianën, pasi që e njoh qysh herët si gazetare dhe i njoh të gjitha kualitetet e saj, pasi që ka qenë gjithnjë në nivel të detyrës, e jashtëzakonshme dhe profesionale dhe e ka mbledhur një ekip të gazetarëve entuziast, me plot vullnet për punë”, u shpreh Pula.

Tenori Luan Durmishi po ashtu ishte në mesin e të pranishmëve që erdhi për të festuar rrugëtimin pesëvjeçar të gazetës onlinë- KultPlus, e për të dëgjuar Flaka Gorancin. Ai tha që nga bashkëpunimet e para me Gorancin i ka bërë përshtypje si vokal shumë i bukur, ndërsa kësaj radhe ishte befasuese pasi që kualiteti i saj si këngëtare ka marrë premisa edhe më të mëdha, kjo ndikuar edhe nga eksperiencat dhe trajtime vokale jashtë vendit.

“Këto vepra i dëgjova në një format interpretativ shumë më ndryshe se më herët, sonte Flaka mu duk shumë më e kompletuar me këtë koncert dhe i uroj shumë suksese dhe të arrij nivel edhe më të lartë, sonteishte jashtëzakonisht bukur”, u shpreh Durmishi.
Tenori Durmishi tha që prej se është në skenë, bashkëpunimin me KultPlus-in e cilëson si më të veçantin në karrierën e tij.
“Prej se jam në skenë shkruajnë mediat dhe shkruaj për mediat por rrugëtimi me KultPlus-in është më i veçanti në karrierën time. Një platformë, një portal jashtëzakonisht i duhur për Kosovën në momentet më të duhura, një portal i cili vërtetë ka treguar tepër shumë kujdes ndaj vlerave dhe kështu ka arritur suksesin e vet. Uroj që të vazhdojë traditën, ndoshta dhe qindra vjeçare”, u shpreh Durmishi.

Ky është koncerti i parë solistik i Gorancit në Kosovë, ndërsa për KultPlusin është gjysëm dekade bashkëjetese me artistët e fushave të ndryshme e me publikun që veçse rritet, ndërsa mbrëmë shënoi edhe ciklin e dytë të rrëfimeve “Ta zbardhi Ftyrën”. / KultPlus.com

Të ngjajshme