75-vjetori i Liceut Artistik, Orkestra Simfonike e RTSH-së luan kryeveprat e Morricones

11 Nëntor, 2021 - 6:00 pm

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar luajti të mërkurën në mbrëmje në sallën “Tonin Harapi”, me rastin e përvjetorit të 75-të të Liceut Artistik “Jordan Misja”.

Te ftuara ishin mezzo-sopranoja Vikena Kamenica si dhe pianistja Merita Rexha Tershana, dikur liceiste ndërsa sot dy prej emrave të njohur të skenës kulturore të vendit.

Të shoqëruara nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, ato i ofruan publikut disa nga kryeveprat e kompozitorit të famshëm italian, Ennio Morricone, babait botëror të muzikës së filmave.

“Si ish-liceiste, kishim një detyrim shpirtëror për t’u bërë pjese e festimeve të 75-vjetorit të krijimit të Liceut Artistik. Një koncert me muzikën magjepsëse të Enio Morricones, që bëri histori në kinematografinë botërore”, tha Kamenica.

Liceu artistik “Jordan Misja” është krijuar në janar të vitit 1946. Që në fillim të veprimtarisë së tij, me punën dhe angazhimin tregoi se është një qendër e rëndësishme edukative dhe arsimore për përgatitjen e artistëve të rinjë në gjini të ndryshme të artit. Liceu artistik “Jordan Misja” për disa dekada ishte e vetmja shkollë e mesme artistike në Shqipëri.

Aktualisht aty mësojnë rreth 900 nxënës të profilizuar në degët e arteve figurative dhe muzikore, si dhe klasat e përgjithshme./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme