A do të kualifikohet Jonida Maliqi në finalen e Eurovizionit?

10 Prill, 2019 - 9:30 am

Edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i Eurovizionit – Festivalit Evropian të Këngës, ku edhe shqiptarët po përfaqësohen denjësisht.

Jonida Maliqi po qëndron shumë mirë në bastet momentale të gjysmëfinales së dytë, kur edhe do të këndojë.

Ajo është në pozitën e nëntë në Eurovision World Odds 2019, pra gjasat janë të mëdha që ajo të mund të kualifikohet për në finalen e Eurovizionit.

Jonida këtë vit përfaqëson Shqipërinë me këngën “Ktheju tokës”, dhe këndon në atë që po quhet gjysmëfinalja e ferrit – sepse të gjitha këngët e forta të Eurovizionit këtë vit janë në këtë gjysmëfinale, dhe kësisoj konkurrenca bëhet më e fortë, shkruan KultPlus.

Jonida ka shkëlqyer ditë më parë në koncertin Eurovision in Concert në Amsterdam, duke i dhënë hov dashurisë së fansave për këtë këngë, dhe për vokalin e saj të fuqishëm në paraqitjet e fundit reklamuese për Eurovizion.

Shqipëria merr pjesë në Eurovizion që nga viti 2004. Nëse Jonida Maliqi këtë vit kualifikohet për në finale, nga 16 pjesëmarrje do të jenë gjithsej 9 herë që Shqipëria merr pjesë edhe në finale të Eurovizionit.

Pozita e pestë dhe e shtatë në finale janë rezultatet më të mira ndër vite të shqiptarëve në Eurovision Song Contest. / KultPlus.com

Të ngjajshme