Adea Badivuku rrëfen sukseset dhe angazhimin e madh këtë vit: Realizova ëndrrën time

26 Dhjetor, 2021 - 11:41 am

Vullneti dhe dëshira për të mos u dorëzuar asnjëherë kanë ndikuar që puna e jashtëzakonshme e pianistes shqiptare, Adea Badivuku, të vlerësohet maksimalisht dhe pjesëmarrja e saj të jetë në nivel global e mbarëkombëtar, shkruan KultPlus.

Së fundmi, pianistja nga Kosova pati një performancë të veçantë në njërën ndër skenat më prestigjioze në botë “Carnegie Hall”.

Rreth këtij suksesi, Badivuku ka thënë për KultPlus se ky vit ka qenë i mbushur me plotë angazhime sikurse në aspektin profesional po edhe atë performoues.

“Tani jam angazhuar edhe në anën hulumtuese në fushën e pianos, meqenëse tashmë jam duke punuar si asistent-profesor në Universitet të Nevadas, e në të njëjtën kohë edhe duke doktoruar”, ka thënë ajo.

Pianistja shqiptare është shprehur tutje se ka pasur rastin të paraqitet në koncerte e salla madhështore në shtetet më të mëdha në Amerikë.

“Si pjesëmarrëse e vazhdueshme e garave dhe fituese e çmimeve të shumta, mund të them se çmimi i parë këtë herë në New York dhe performimi në sallën prestigjioze në Carnegie Hall ishte një përjetim përrallor. Një ëndërr e bërë realitet dhe përmbyllje fantastike e arritjeve të mia në vitin 2021”, u shpreh ajo mes tjerash, duke treguar me emocione të arriturat e saj të jashtëzakonshme.

Artistët dhe sidomos pianistet nuk marrin vlerësimin e duhur nëpër botë dhe vështirësitë e tilla i tregon edhe Badivuku për KultPlus.

May be an image of 1 person, standing and indoor

“Të jesh pianiste dhe artiste nuk është aspak e lehtë, pasi kërkon punë të vazhdueshme, sakrificë dhe përkushtim të madh ndaj instrumentit”, pohoi Badivuku.

Edhe pse arritja deri te majat e suksesit është rrugë e gjatë dhe sfiduese, ajo tregon se vullneti dhe dëshira për të vazhduar edukimin e sidomos dashuria ndaj profesionit ishin shtytjet më të mëdha që ajo të arrij ku është tani.

“Unë ndihem e privilegjuar dhe shumë krenare të jem pianistja e parë nga Kosova në nivel të lartë akademik “PhD” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ajo.

Sa i përket ëndrrave të rë rinjve, 26 vjeçare thotë se nuk duhet të dorëzoheni asnjëherë në gjetjen e rrugëve të ndritshme, sepse suksesi është rezultat i punës së fortë dhe nxënies nga dështimet. /KultPlus.com

Të ngjajshme