Adele po e përgatit kthimin e saj me një himn për ndarjen

17 Shtator, 2019 - 10:30 pm

Adele thuhet se po e përgatit rikthimin e saj muzikor me një këngë të re “më të gjallë” të frymëzuar nga shkurorëzimi i saj.

Përfaqësuesit e këngëtares së hitit “Rolling in the Deep” më 19 prill konfirmuan në një email-njoftim për mediat se ylli është ndarë nga partneri Simon Konecki, dhe se ajo e paraqiti kërkesën për shkurorëzim nga biznesmeni duke i radhitur si arsye “dallimet e pakapërcyeshme”.

Image

Dhe derisa procedurat e shkurorëzimit janë duke vazhduar, këngëtarja (31) me sa duket po i kanalizon të gjitha emocionet e saj në muzikën e re – për çfarë një insajder i industrisë tha për gazetën “The Sun” në Britani se ka qenë një përvojë “katartike (shliruese)” për yllin.

“Kënga është më e gjallë dhe ka të bëjë me marrëdhëniet e Adele me ish-bashkëshortin e saj Simon”, thanë burimet. “Por është optimiste, reflektuese për kohërat e mira dhe për të mësuarit se si të ecësh përpara dhe të krijosh vetë kujtime të reja.

“Ka qenë përvojë katartike për të që t’i fusë ndjenjat në muzikën e saj. Fansat mund të presin të dëgjojnë detaje personale në albumin e saj”.

Burimet shtuan se ylli i hitit “Hello” ua ka dërguar këngën e patitulluar shefave të shtëpisë së saj diskografike, dhe pohuan se Adele po e planifikon publikimin e muzikës së saj të re në nëntor.

Kohët e fundit u raportua se këngëtarja ka kërkuar kujdestari të përbashkët fizike dhe ligjore të djalit të vetëm gjashtëvjeçar të çiftit, Angelo, dhe se është e gatshme t’i zgjidhë aspektet e tjera të ndarjes, përfshirë edhe financat, me ndërmjetësim. /KultPlus.com

Të ngjajshme