Akademia muzikore ESMA përmes aktiviteteve synon të promovojë dhe fuqizojë nivelin artistik

21 Gusht, 2019 - 1:30 pm




Akademia Muzikore Verore Evropiane (ESMA) në një konferencë për shtyp të mbajtur sot ka dhënë të gjitha detajet në lidhje me edicionin e sivjetmë, shkruan KultPlus.

ESMA synon që çdo vit në një periudhë të caktuar kohore të mbledh në Kosovë të rinjë të talentuar që përmes kurseve të ndryshme muzikore, koncerteve dhe aktiviteteve tjera të promovojë dhe fuqizojë nivelin artistik dhe profesional.

Drejtori artistik i ESMA-s 2019, Desar Sulejmani, pasi falënderoj të pranishmit ai ka bërë të ditur se risia e këtij edicioni të ESMA-së është zgjerimi gjeografik i aktiviteteve.

“Në vitin e tetë ESMA është zgjeruar gjeografikisht në Kosovë duke përfshirë katër qytete të Kosovës: Mitrovicën, Prishtinën, Pejën dhe Gjakovën. Ndërkohë që vitin e kaluar  ne kemi qenë të fokusuar në një qytet apo dy e shumta, por këtë vit e kemi shtrirë aktivitetin tonë në katër qytete”.


Tutje, ai ka njoftuar edhe për numrin e pjesëmarrësve,  fillimin e aktiviteteve të tyre në Mitrovicë në muajin korrik si dhe për koncertet që do të mbahen në Pejë, Gjakovë, dhe në Prishtinë.

“Kemi pasur rreth 85 lajmërime online për pjesëmarrje nga vendet e ndryshme kryesisht nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga vendet europiane si Franca dhe Gjermania dhe presim që nga nesër të fillojmë me kurse”.

“Master klasat e kitarës kanë përfunduar në korrik, atje kemi pasur tre profesorët e nderuar Xhevdet Sahaqija, Erhan Mujka dhe Darko Bagesti nga Maqedonia  e Veriut me 14 pjesëmarrës dhe me koncerte të ndryshme dhe them se e kemi nisur një histori të mirë artistike në Mitrovicë me instrumentin e kitarës”.

“Siç e thash koncerte do të kemi në çdo qytet, dy koncerte janë në Pejë me datë 28 dhe 30, më pas janë katër koncerte në Gjakovë, dy koncerte me studentë që studiojnë jashtë shtetit dhe koncerti përfundimtar është këtu në Bibliotekën Kombëtare, me aktivitetin “Opera Night of ESMA 2019” ku klasa e solo këndimit do të ketë një koncert me veshje, një shfaqje operistike skenike ku do përmblidhen numrat më të mirë të master klasave të solo këndimit dhe master klasave nga qytetet e tjera të ESMA-së në gusht nga Peja dhe Gjakova”.

Koordinatori i kurseve të kitarës së ESMA 2019, Erhan Mujka,  është shprehur i kënaqur me kurset e kitarës që janë mbajtur në Mitrovicë dhe ka uruar për mbarëvajtje të mirë edhe në qytetet tjera.

“Në Mitrovicë është mbajtur edicioni i dytë i kurseve të kitarës në kuadër të ESMA 2019, këtë vit kemi pasur nga 15 deri 21 korrik kursin e kitarës me 14 pjesëmarrës dhe me tre profesorë, gjithashtu kemi pas edhe koncerte të ndryshme. Është një nismë shumë e mirë për Mitrovicën dhe për ESMA-në dhe është shumë shpresëdhënëse sepse në raport me vitin e kaluar numri i pjesëmarrësve është dyfishuar dhe ky është një sinjal shumë i mirë për interesimin e të rinjve nga Kosova dhe nga jashtë”. 

“Kemi pasur pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria Greqia, Bullgaria dhe kështu kemi bërë një “Union Evropian” të muzikantëve. Unë jam shumë i kënaqur me ecurinë e përgjithshme të ESMA-ës në Mitrovicë dhe shpresoj që të shkojmë mirë edhe në pjesë të tjera të ESMA-së 2019”.

Ardita Statovci, profesoresha e pianos në ESMA 2019, ka folur për rëndësinë e këtij organizimi edhe pjesëmarrësit.

“Mendoj që për të rinjtë nga rajonet tona Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, master klasat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e nivelit të tyre, zhvillimin artistik dhe profesional por do të thoja edhe njerëzor natyrisht sepse muzika ka të bëjë me emocion, me pasion, me dashuri dhe kjo është një urëlidhëse mes njerëzve pa marrë parasysh se nga cili vend vinë ata, nga cila shkollë, pra është një simbiozë që ngërthen të gjitha këto elemente në vete”.

Presidenti i Shoqatës Artium Eudora, Pierr Veba, ka treguar më shumë sesi shoqata që ai drejton ka dhënë kontribut që ESMA të mbahet çdo vit pasi shoqata në fjalë ka ndërtuar siç është shprehur ai “shtëpi të përhershme” për këtë akademi muzikore.

“Nga viti 2015 ishte radha e Ambasada e Luksemburgut që ta merr përsipër realizimin e edicionit të katërt të ESMA-së dhe ishte përnjëmend një përvojë e këndshme dhe e pasur, më pas kemi menduar se patjetër duhet një shtëpi e përhershme për ESMA-në, sepse organizatorët në fillim ishin një ambasadë pas tjetrës, pastaj disa ojq që e kishin marrë këtë si një kontratë pune dhe më pas ne themeluam Shoqatën “Artium Eudora” me mision që ESMA të mbahet çdo vit dhe që muzika dhe artet tjera të përforcohen dhe inkurajohen në Kosovë”, përfundoi ai. / Qendrim Badalli / KultPlus.com




Të ngjajshme