3 Qershor, 2025 - 9:30 pm
Shqipëria po mirëpret një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vitit, edicionin e 9-të të “Albania Guitar Festival”.
Nën drejtimin artistik të kitaristit të njohur Denis Bizhga, ky edicion i dedikohet dueteve, duke sjellë në skenë emra të mëdhenj të muzikës klasike nga e gjithë Europa.
Mbrëmjen e djeshme në ambientit e Liceut Artistik Italian dueti italian Giovanni Masi dhe Lucio Matarazzo ofruan një përvojë virtuoze për publikun, me një repertor që përfshin disa nga kryeveprat e muzikës italiane për kitarë.
Performanca kaloi përtej tingujve, duke krijuar një udhëtim emocional dhe theksoi rëndësinë e edukimit dhe bashkëpunimit në zhvillimin dhe formësimin e talenteve të reja.
Ky aktivitet shërbeu si një shembull i fuqisë së artit për të bashkuar brezat dhe për të nxitur krijimtarinë dhe inspirimin në skenën muzikore shqiptare.
Më 13 qershor, skena do t’i përkasë Barcelonës: Luís Robisco dhe Ekaterina Záytseva do të sjellin ritmet pasionante të flamengos në kryeqytet, duke sjellë një atmosferë mesdhetare dhe një performancë që pritet të jetë ndër më të veçantat e festivalit.
Ndërkohë, më 14 qershor, Kisha e Shelbuemit në Rubik do të kthehet në një tempull të muzikës klasike. Duo austriake Rosa Franziska Maier (kitarë) dhe Anna Maria Niemiec (violonçel) do të sjellin një mbrëmje intime dhe emocionale, që shkrin tingujt dhe arkitekturën në një përvojë shpirtërore.
Finalja e festivalit do të mbahet më 21 qershor në Himarë, me performancën e triolës së kitaristit virtuoz nga Kosova, Agron Peni. Me një karrierë ndërkombëtare dhe një stil unik, Peni do të mbyllë këtë edicion me energji dhe pasion.
Përveç koncerteve, Albania Guitar Festival do të ofrojë masterclass-e, ëorkshop-e, si dhe prezantime speciale nga artistët pjesëmarrës. Një nga risi të këtij viti do të jetë “Guitar Test” – një aktivitet ku të rinjtë do të kenë mundësinë të provojnë instrumente të ndërtuara nga mjeshtri Luthier Sergei Rusakov.
Gjithashtu, festivali do të mbështesë talentet e reja përmes koncertit “Albania Young Talent”, ku studentë të kitarës klasike do të performojnë para publikut dhe profesionistëve të fushës.
Edicioni i 9-të i Albania Guitar Festival nuk është thjesht një seri koncertesh – është një lëvizje që synon të krijojë ura mes artistëve, të frymëzojë të rinjtë dhe të forcojë rolin e muzikës në jetën kulturore të vendit. Me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe mbështetje të gjerë, festivali përfaqëson një hap të rëndësishëm në vendosjen e Shqipërisë në hartën kulturore europiane./atsh/KultPlus.com