Alice Cooper e lavdëron Johnny Deppin si kitarist

4 Shtator, 2019 - 4:30 pm

Alice Cooper e ka mbrojtur interpretimin në kitarë të anëtarit të bendit të tij në Hollywood Vampires, Johnny Depp, duke insistuar se ai është po aq kitarist i mirë sa kushdo që ka interpretuar ndonjëherë me të.

Veterani i rokut, i cili e formoi super bendin me Depp dhe Joe Perry në vitin 2015, pretendon se ylli i Pirates of the Caribbean është një kitarist i shkëlqyeshëm – dhe nuk është për t’u habitur që ai ka interpretuar me bendet si Black Keys, Aerosmith dhe Marilyn Manson.

Në një intervistë me radiostacionin e New Yorkut, Q105.7, Cooper tha se “Johnny është po aq kitarist i mirë sa edhe të tjerët (me të cilët kam interpretuar). Njerëzit gjithmonë e vënë në pyetje interpretimin e Johnnyt në kitarë. Unë u them atyre: “A e dini se me kë po interpreton tani ai në bend?” Ata pyesin: “Me kë?” Unë u them, “Jeff Beck”.

Image

“Nëse jeni duke interpretuar me Jeff Beckun, kitaristin më të mirë të të gjitha kohërave, kjo do të thotë diçka në lidhje me interpretimin tuaj në kitarë”.

Cooper gjithashtu zbuloi se, Depp dhe Perry po planifikojnë të hyjnë në studio në fillim të vitit të ardhshëm për një vazhdim të albumit të kësaj vere ”Rise”, duke shtuar, “Johnny po bën filma tani, Joe është me Aerosmith…, dhe unë jam në turne deri në dhjetor, kështu që ndoshta nuk do të takohemi përsëri deri në fillim të vitit. Pastaj do të fillojmë të planifikojmë kur do të bëhet turneu, dhe cili do të jetë albumi i ardhshëm”. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme