Ansambli Folklorik “Amantia” dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar në Poloni

22 Gusht, 2023 - 9:06 pm

Ansambli Folklorik “Amantia” nga Vlora fitoi dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Folkut në rajonin e Bielsko-Biata të Polonisë.

Në këtë festival ansambli u nderuan me çmimin për performancën e shkëlqyer artistike ndër 16 grupe konkurruese dhe çmimin e interpretimit më autentik të këngës tradicionale për burrat (polifoni).

Kryetari i bashkisë së Vlorës,  Ermal Dredha priti në një takim drejtorin e Ansamblit,  Elidon Brahimi, i cili e informoi për suksesin e arritur.

“Mjeshtrat e mëdhenj të polifonisë, Nazif Çela dhe Vendim Kapaj ndanë mendime dhe ide për të vazhduar zhvillimin e polifonisë dhe ruajtjen e traditës së veçantë krahinore. Krenar për grupet tona artistike që përfaqësojnë denjësisht trashëgiminë kulturore, doket, zakonet dhe historinë tonë, duke kontribuar gjithashtu në promovimin e resurseve turistike të zonës”, tha Dredha.

Ansambli “Amantia” u vlerësua me çmimin për performancë të shkëlqyer artistike nga 16 grupe konkurruese si dhe çmimin e interpretimit të këngës më autentike për burra (Polifoni). Grupi gjatë netëve të festivalit ka performuar në 8 skena të ndryshme, ndërsa në një nga mbrëmjet dha shfaqje për konkurrim me një performancë 45 minutëshe e ndërthurur me këngë polifonike të interpretuara mjeshtërisht nga Nazif Çela, Golik Likaj dhe Gëzim Rakipaj, shoqëruar me fyell nga Vendim Kapaj.

 Pjesë e performancës së grupit ishin dhe këngët qytetare vlonjate si dhe grupi i valleve që elektrizoi skenën e festivalit me vallet me motive Çame, të jugut, Shqipërisë së mesme dhe duke e mbyllur performancën me vallen “Festë të madhe ka sot Shqipëria”.

Çmimet u shpërndanë nga kryetari i bashkisë së qytetit Wisla, Drejtori i Qendrës së Kulturës dhe Presidenti i Jurisë së Festivalit. /ATSH /KultPlus.com

Të ngjajshme