Armend Rexhepagiqi: Muzika ka frymëzim, ka zanat, ka prekje të Zotit, ka ndjeshmëri

3 Shtator, 2019 - 8:39 pm

Arbër Selmani

Armend Rexhepagiqi edhe sot çuditet me efektin që kanë pasur këngët e tij tek njerëzit. Pa marrë parasysh nëse është këngë të cilën e këndon ai, apo këngë ku ai është në rolin e kompozitorit, Armendi nuk preferon t’i dëgjojë këto këngë pas lansimit të tyre. Nëse është në restorant, ose largohet ose mbulon veshtë që mos t’i dëgjojë krijimet e tij, sepse merret shumë me to, thotë se qindra herë i dëgjon ato prej krijimit e deri sa publikohen. Pastaj nuk i duron më, i shijon jashtëzakonisht pak dhe vetëm në raste të veçanta. I duhet të kalojë kohë e gjatë, vite e vite që përsëri të jetë në gjendje ti dëgjojë qetë.

Armend Rexhepagiqi, zëri i fuqishëm i të cilit ka sjellë në jetë tekste të mrekullueshme dhe melodi profesionale muzikore, është sot një djalë i thjeshtë të cilit i kujtohet se si dikur një videoklip nuk u realizua shkaku i sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Amerikë, apo se si një këngë e fuqishme nga ai nuk morri asnjë pikë nga juria në një festival në Shqipëri.

Nuk dëshiron vetëkënaqësi dhe kërkon perfeksion, e këto bëhen arsye që puna e tij të zgjasë më shumë se rëndomtë. Nuk dëshiron as të bëhet prepotent e mendjemadh, është gjithmonë i hapur për gjërat e reja. Së shpejti do të rikthehet por nuk zbulon shumë prej kësaj tabloje. Nëpër vite zëri i tij ka munguar por jo edhe krijimet e tij. Shumë herë ka thënë jo, prandaj edhe thotë se një pjesë e mirë e pozicionit që sot ai e gëzon i atribuohet faktit se ka ditur të refuzojë, për ta mbrojtur veten dhe estetikën të cilën e ka ndërtuar me vite e vite.

Armend Rexhepagiqi është një botë e cila duhet hulumtuar pak e nga pak, hap pas hapi.

***

Babai, profesor i pedagogjisë dhe filozofisë, të cilin e humbëm para dhjetë vjetësh, ka qenë edhe poet. Ka shkruar disa permbledhje me poezi. Aida ime, para dhjetë vitesh e ka shkruar një tekst për këngëtaren Tuna, me titull ‘Testamenti’, ndërsa babai im 2-3 vite më vonë e kishte botuar përmbledhjen e fundit me poezi me po këtë titull. Është interesant ky zingjiri artistik. Mama, arsimtare e matematikës në pension. Këta dy prindër, më të mirët në botë për mua kuptohet, ishin intelektualë qe nuk kanë insistuar tek fëmijët e tyre të merren me profesione elitare të kohës së tyre” tregon Armendi.

Armendi ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, dhe përderisa asokohe një pjesë e mirë e prindërve shqiptarë dëshironin që fëmija i tyre të anazhohej me këtë fushë, babai i Armendit, Jashar Rexhepagiqi, e njihte të birin dhe e përqafoi talentin e madh të Armendit.

https://www.youtube.com/watch?v=yBq-tlex7pA

“Babi im më thoshte – ti je për muzikë, regjistroje Akademinë. Kjo është pak paradoksale për atë kohë, por kam përshtypjen se e ka njohur djalin e vet. Ashtu edhe doli, muzika u bë dashuria më e madhe. Më kujtohet që mamës i thosha para se të filloja klasën e parë të shkolles fillore që nuk du me hy në orën e muzikës, nuk më pëlqente, isha i turpshëm. Pianon e parë ma kanë blerë prindërit, nuk ishte shpenzim i vogël, vitin e parë të shkollës së muzikës u regjistrova  në violinë por isha dështim i plotë, nuk e duroja tingullin e violinës në duart e mia të paditura. Në piano e solfexho isha i mirë, por klasika nuk më ka tërhequr shumë. Si nxënës shumë i mirë në shkollë, prej prindërve e kam pasur përkrahjen të bëj çkado që dëshiroj në kohen time të lirë” vazhdon Armendi.

***

E pamundur të mos e ngacmosh intelektin e Armendit e të mos përmendësh hitet e tij më të mëdha ndër vite. Ata që dëgjojnë këngët “Harrova”, ose “Shkel” apo edhe “Dashurinë ku e kam” dhe “Edhe një herë” nuk e programojnë shpesh në mendjen e tyre faktin se secila këngë është krijuar para më shumë se dhjetë vitesh, disa edhe para njëzetë e pesë vitesh.

“Për këngën ‘Harrova’ gjithmonë jam çuditur se si ka arritur ta gjejë rrugën e vet, sepse nuk ka videoklip, as nuk është kënduar në ndonjë festival apo manifestim që tërheqë vëmendje, ndoshta ekziston në ndonjë videokasetë nga koha e errët e mungesës së mediave tona dhe lirisë në përgjithësi. Kudo që dal e shetis, nuk ka vend që dikush nuk ma këndon refrenin. Flas për “Harrova” të para 25 vitesh, kur e këndova vetëm e jo për versionin e ri me Tunën time brilante. Për këngën “Nuk banon këtu dashuria” shembull, më kujtohet që donim t`i bënim një videoklip por ditën e planifikuar për xhirim ndodhën sulmet e 11 shtatorit në Amerikë dhe kuptohet xhirimi u anulua, dhe nuk u bë asnjëherë më” shpalosë Armendi.

“E kam njëfarë fati apo fatkeqësie që këngët e mia po mbesin të gjalla për shumë e shumë vjet. Më pëlqen faktikisht kjo, që njerëzit i zbulojnë këngët e mia pas shumë vitesh dhe ato disi rikthehen vet”.

Tekst idiotik Armendi e quan tekstin e këngës së tij të parë. Thotë se është i dobët në shkruarjen e teksteve dhe qeshet kur njerëzit mendojnë se këngët të cilat ai i këndon, janë të shkruara nga ai.

“Të gjitha tekstet e këngëve të mia janë të Aidës. Unë jam për muzikë, jo për vargje. Unë shkruaj në mënyrë përshkruese, infantilo-imbecile, në kuptimin ‘Ftohtë është, po bjen shi, po fryn era…’. Skandaloze. Fati i madh që e kam Aidën dhe mjeshtërinë e saj pranë meje. Në muzikë vetëm tek ne zhvlerësohet teksti…në disa raste është më shumë se 50 përqindëshi i këngës. Teksti është edhe përshkrues i mirë i muzikës, përcjellës i ndjenjës, rrumbullakësim i personalitetit të këngëtarit dhe strukturës së kompozimit” tregon Armend Rexhepagiqi në këtë bashkëbisedim dhembshurisht të sinqertë.

“Gjithçka në jetën time është rreth muzikës. Muzika ka frymëzim, ka zanat, ka prekje të Zotit, ka ndjeshmëri, talent, por edhe profesionalizëm. Nuk duhet pritur momenti i prekjes së Zotit, se ashtu mbesim me 2 këngë në vjet. Duhet kërkuar shumë prej vetes – vetëm me punë dhe punë” më thotë Armendi, derisa pijmë kafe dhe ai reflekton në retrospektivë karrierën e tij, që e lakmojnë shumë.

***

“I kam të gjitha këngët e mia, për një kohë të gjatë kam qenë i kujdesshëm për dallim nga krejt kjo shoqëri e jona, e cila nuk është e tillë. Ne flasim për trashëgimi dhe mendojmë që ajo është vetëm folklori, tradita dhe zakonet. Trashëgimi është edhe ajo e artit modern, e pop kulturës, për të cilën nuk kemi fare kujdes. I kam edhe versionet origjinale në CD me këngët e mia. I kam video xhirimet e ruajtuna, me përjashtim të disa emisioneve që me Aidën i kemi realizuar në KTV apo edhe në RTK. Më kujtohet që me ciklin “Air Condition” në RTK – emision që transmetohej të dielave, kam realizuar 52 këngë të reja për fëmijë të cilat asnjëherë më nuk janë transmetu. Sa gjynah për tërë këta fëmijë të sodit. Ndoshta një ditë e bëj kanalin tim në Youtube dhe i marr të drejtat për të gjitha postimet” tregon Armendi.

Është e dhimbshme që ata të cilët duan t’i dëgjojnë këngët e Armendit, nuk e kanë një adresë të caktuar dhe të vetme.

“Nuk kam iluzion që numri i njerëzve që dëgjojnë këngët e mia është i madh. Me këngët e mia, këngët për të tjerët, këngët për fëmijë, do të ishte një arkivë e bukur edhe për prindërit të cilët duan t`ua prezantojnë fëmijëve të tyre këtë lloj të muzikës” tregon Armendi.

Nëse ka diçka që Armendi e bën me vështirësi është të bisedojë për të kaluarën. Këtë e bën vetëm pasi unë insistoj.

Familja Rexhepagiqi por edhe Armendi vetë nuk janë kursyer nga jeta me sfida të ndryshme dhe me kapituj të cilët nuk i kanë shijuar Armendit dhe shpirtit të tij artistik.

 “Gjithmonë është e vështirë kur pëson goditje dhe humbje, sëmundjet, vdekje të të afërmve. Të ngritesh dhe të vazhdosh me ecë përpara kur ke sfida të rënda jetësore është e domosdoshme por jo e lehtë. Thyerjet emotive na lëndojnë krejtve, por secili e gjen një rrugë, dhe këtu po flas edhe për lëndime e zhgënjime profesionale, apo bllokada krijuese. Jeta në Kosovë në përgjithësi të detyron të bësh kompromise. Mua dhe Aidën na ka shpëtuar fakti që kemi qenë të shkathtë në lëmi të ndryshme dhe kjo ka krijuar një stabilitet ekonomik që mos të bëjmë kompromise, gjithmonë duke u përpjekur të mos përfundojmë si karikatura të vetvetes. Artist është ai që krijon art dhe kreativitetin e ka të parin, jo argëtimin ndaj publikut. E dua kombinimin mes komerciales dhe artistikes, por nuk dëshiroj vetëm argëtim” tregon Armend Rexhepagiqi, një prej këngërtarëve më të mirë shqiptarë, në mos zëri më i mirë mashkullor që shqiptarët e kanë njohur e dëgjuar në më shumë se tri dekada.

“Vetëkënaqësia dhe momenti kur nuk kërkon shumë prej vetes janë autogol. Kur i shoh të njëjtit njerëz që pretendojnë se krijojnë, tërë ditën nëpër lokale, pyetem se kur kanë kohë ata të krijojnë? Pos talentit dhe inteligjencës, puna është super e rëndësishme. Aq shumë këngë i bëj dhe i hedh në ‘recycle bin’ për mos t’i publikuar kurrë, në procesin e krijimit të një kënge të mirë, deri sa nuk arrij tek rezultati që më kënaqë. Ka edhe raste kur koha e krijimit të një kënge është e barabartë me kohëzgjatjen e saj – Këngën “U shërova” që e këndon Hana Cakuli e kam kompozuar për tre minuta e gjysmë, ndërsa këngën “Fustani i bardhë” që e këndon Jehona Sopi për rreth 1 muaj, çdo ditë, duke e kërkuar e përpunuar me qindra orë punë. Nuk e them dot cila është më e mirë si këngë! Rregull nuk ka por pa punë, pa u ulë me kërku prej vetes më shumë, pa mbetë me dy këmbë në tokë, pa i thënë vetes që mundet edhe më mirë, vetëkënaqësia e shkatërron përparimin e një krijuesi” tregon Armendi.

“Kujt do t’ia shpreh pikëllimin tim”, “Rruga e fundit”, “Kur dashuria vdes”, “Betohem me këngë”, “Çka do të ndodhë me ne”, “Dude dudie”, “Kalle kalle”, “A edhe ti je pjesë e qytetit tim”, “Qëndresa”, “Dikur”, “Ajo”, “Kam kojshiken”, “Si vërshimë e vetëtimë”, “Nashtë”, “I vetmuar sonte”, “Qaforja”, “Dugi”….Lista vazhdon, e këngëve të cilat Armendi i ka sjellë në jetë nëpër vite. Sa fëmija sot është rritur me këto melodi. Plot e kujtojnë videoklipin e “Dashurinë ku e kam” afër sallës 1 tetori në kryeqytet. Të tjerët e kujtojnë Armendin dhe Violetën, grupin ‘Vivien’ me hitet e tyre si “Romantika” apo “Anijet e fundosura”. Plot këngë janë realizuar edhe në bashkëpunim me Aida Barakun, bashkëudhëtaren e jetës së Armendit.

Gjatë tërë takimit tonë, kur Armendi flet për të, thotë “Aida ime”, mëngjesin më të bukur dhe flladin më të hyjnishëm të ditëve të Armendit.

“Me Aidën grindjet më të mëdha janë rreth këngëve, gjithmonë kemi qenë shumë kritik ndaj njëri tjetrit, shume kërkues. Është përparësi por edhe minus kur me partneren e jetës je edhe bashkëpunëtor i parë. Çdo problem i punës bartet edhe në jetë private. Unë jam peshore në horoskop, një” artist në qiell”, ndërsa ajo është binjak – me dy këmbë në tokë. E kam të domosdoshëm atë shikimin e ftohtë dhe racional të saj ndaj këngëve. Aida është më inteligjente, më efikase, më profesioniste se unë. Ajo më pret gjithmonë mua ta krijoj këngën, dhe me qindra herë këngën e krijojmë bashkë. Unë gati se kurrë nuk duhet ta pres atë për tekste, gjithmonë kreative duke mos e përsëritur veten asnjëherë” rrëfen Armendi.

Në Kosovë më pas do të ndodhte lufta, dhe në një formë a tjetrën do ta godiste edhe Armendin.

“Unë nuk kam qenë i edukuar si disa familje shqiptare, me atë kulturën e dashurisë ekskluzive vetëm për popullin tim shqiptar. Kam qenë i edukuar me idenë që të gjithë njerëzit janë të barabartë, pra në një atmosfere globale. Me atë çka ndodhi u ndjeva tepër i zhgënjyer- dhe më vonë u bëra më patriot se patriotat që prej fillimit janë edukuar veç me Mic Sokolin dhe me Festivalin e RTSH-së. Lufta që ndodhi ma ka rritur nacionalizmin e domosdoshëm shqiptar, atë të mençurin dhe konstruktivin, nacionalizmin e matur” më tregon Armendi derisa bisedojmë si dy shokë që njihen prej vitesh, e të cilët po takohen mrekullisht për herë të parë në një dyluftim të syve dhe rrugëtimeve.

Përndryshe, çka bën tjetër Armendi, në kohën e lirë, kur nuk i kushtohet muzikës?

“Mbrëmjeve, Netflix. Ajo çka të gjithë i çuditë është fakti se më pëlqejnë librat e vetë-ndihmës, ata që janë të punuar mirë dhe jo kjo beletristika idiote, të gjithë më thonë ç’të duhen ato ty, ti je mirë. Ja që më intrigojnë. Paulo Coelho shembull, ia kam lexuar gati tërë veprimtarinë. Lexoj shumë intervista me regjisorë të ndryshëm, sepse mendoj se kompozitori është një lloj regjisori i cili e mban balancin mes tërë ekipit. Shoku im dhe kolegu Yll Limani, multi i talentuar, kantautor që do të shpërthejë, mua dhe Aidës na lexon ndonjëherë poezi të bukura botërore por edhe poezi që i ka shkruar vet. Diskuton me Aidën rreth vargjeve, unë në heshtje i dëgjoj dhe turpërohem sa mbrapa kam mbetur me poezi. Filmin shqip nuk e njoh, kjo njëjtë është minusi im. Humorin shqip nuk dua ta njoh, nuk më pëlqen, nuk e ndjej, nuk qesh, jam komplet ndryshe nga ai mentalitet. Jam rritur me humorin anglez i cili dallon shumë nga ky i yni” tregon Armendi.

***

Armendi shenjën e tij e ka lënë edhe nëpër festivale, nëpër vite.

Kënga “Ti nuk më meriton” e cila i solli Shqipërisë së viteve 90-të një teatër në skenën e Pallatit të Kongreseve, e kënduar nga Aida dhe Armendi, nuk morri asnjë pikë asokohe nga juritë e Festivalit të njohur të TVSH-së.

“Ka qenë e vetmja këngë e edicionit e ndërprerë me dy duartrokitje të publikut gjatë interpretimit të parë. Nuk po përmend emra, më kujtohet se si anëtari i jurisë nga Tirana erdhi dhe na e shprehi adhurimin për këngën, por pas gjysmë ore në votim nuk na dha asnjë pikë. Ishte një lëndim i pa shpjeguar, aty pashë hipokrizinë live. Kaluan vitet. Kënga edhe sot e kësaj dite dëgjohet dhe sa herë jam në Tiranë ma këndojnë kudo. Në TVSH morra pjesë edhe me “Betohem me këngë” por pata probleme me zërin gjatë festivalit, nuk dola shumë mirë, e rikompozova këngën në skenë sepse më mungonin pesë nota më të larta, kuptohet ishte prezantim i zbehtë. Edhe mos ta harroj “Kalle Kalle”, paraqitjen tjetër në këtë festival- viti 1992-Shqipëria e lënduar dhe e plagosur, unë si jashtëtokësor i shokuar” qeshet Armendi.

Në dy raste të tjera, Armendi erdhi si kompozitor i këngëve. Teuta Kurti, Rrona Nishliu dhe Vesa Luma kënduan këngën “Flakareshë” në vitin 2005 dhe u shpërblyen, ndërsa Rovena Dilo këndoi “Rrëfimi”, këngë këto që mbajnë vulën e Armendit dhe Aidës brenda festivalit në fjalë. Me këtë të dytën poashtu pati zhgënjime, meqë ishte ndër favoritet por pos që nuk morri trajtimin e duhur, nuk u fut as në finale.

“Festivali i TVSH-së është biletë e mirë për Eurovizion. Përndryshe, disa herë kam refuzuar të paraqitem në skenën e festivalit si mysafir kur më kanë ftuar. Jam shumë kurioz cila është formula e këtij viti për Eurosong? Po matem shumë, të konkurroj apo jo këtë vit?” vazhdon Armendi.

Dikur, me “Mami mami” Armendi provoi fatin e tij për Eurosong, kur shqiptarët e dinin pak se çfarë ishte Festivali Evropian i Eurosongut dhe kjo vite para se Shqipëria të debutonte.

“Në prova patëm dalë të dytët, në finale të gjashtit. Festivali u mbajt në Zarë, me një organizem të përkryer të zgjedhjes së këngës së Jugosllavisë për Eurosong. Kam qenë shumë i mirë në këndimin live, ka qenë kujtim i mirë dhe plasman i mire. Ajo çka mbeti si vlerë për mua dhe Aidën ishte organizimi fenomenal i festivalit, atë shkollë të organizimit e kemi aplikuar pastaj me vite nëpër të gjitha produksionet tona televizive” tregon Armend Rexhepagiqi.

***

Këngët e tij të fundit të realizuara për vete janë “Qaforja” dhe “Kur dashuria vdes”, e pak para tyre edhe hiti absolut “Shkel”. Me këngën “Kur dashuria vdes” Armendi triumfoi në festivalin ‘Kënga Magjike’ në Shqipëri në vitin 2006, dhe prej asaj kohe Armendi nuk ka publikuar këngë personale.

“Kur fitova në festival, dhurata ishte një udhëtim për në Turqi dhe një videoklip i këngës fituese i paguar prej produksionit. Klipin kurrë nuk e bëra e as në pushime nuk deshta të shkoj, edhepse pata mundësi. Paraqitja skenike në atë edicion të festivalit ishte maksimumi i mundshëm për atë moment, ishte prezantim skenik me të cilin mu duk arrita kulmin tim. Nuk deshta video, tregimi i asaj kënge kishte përfunduar në atë skenë” thotë Armendi.

 “Kur Rona Nishliu ta këndon këngën, nuk ke pse këndon vet. E ka botën, ndjenjën e saj. Mos të flas për Tunën, këtë gardën e këngëtareve si Hana Cakuli, Teuta Kurti, Vesa Luma.. janë më të mira se unë si interprete”, thotë pa shaka Armendi, sado që unë nuk e besoj këtë arsyetim të pauzimit të tij dhe sikur çdo fans i Armendit, nuk e pranoj.

Në fund, e pyes se kur do ta kemi një koncert të madh të Armendit. Gjeneratat e ndryshme që e duan Armendin e meritojnë një përmbledhje të këngëve të Armendit, të kënduara prej gojës së tij.

“Kam pasë ftesë prej Komunës së Prishtinës. E kam ende. Jemi duke biseduar, ndoshta vitin tjetër. Nëse e bëj, e dua një koncert të madh dhe të veçantë, është borxh ndaj njerëzve që kanë një adhurim prekës ndaj këngëve të mia. Tërë jetën kam pasë një estetikë në muzikë, në tekste, në veshje, në videoklipe, në festivale e koncerte të mia solistike dhe mendoj që në koncert do të duhej me e përmbledhë tërë këtë krijimtari. Nëse e bëj koncertin, do të këndoj edhe këngët që bëra për të tjerët, me mysafirë e me këngë të re” tregon Armendi.

Armendi së shpejti do të kthehet me një këngë, e poashtu edhe me një duet.

“Kënga nuk do të jetë ajo që pritet nga unë, por duhet të pëlqehet, Publiku edhe do të befasohet, patjetër, sepse nuk po vij ashtu si presin të gjithë”.

Nëse Armend Rexhepagiqi i kthehet skenës shqiptare të muzikës, në çfarëdo forme, kjo nënkupton se ka shpresë për të mirëfilltën dhe të mishëruarën. Shqiptarëve do t’u kthehej në vesh një vokal i trajtuar dhe qëndisur mjeshtërisht.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ).  

Të ngjajshme