Artistët protestojnë sot kundër vendimit të qeverisë me sloganin “Muzika nuk vret”

20 Korrik, 2020 - 8:05 pm

Vendimi i fundit i Qeverisë për rimbylljen e klubeve të natës, lounge-ve apo diskove, në kuandër të masave anti-covid, nuk është pritur mirë nga publiku. Ky vendim dëmton rëndë ekonominë e personave që punojnë në këto biznese, që nga stafet e punonjësve e deri tek këngëtarët e muzikantët, duke qenë se këto aktivitete i kanë si burim kryesor të ardhurash. Madje një pjesë e vendimit, ku thuhet se nuk do të lejohet muzika në asnjë vend pas orës 20:00, është bërë objekt ironie dhe talljeje në rrjetet sociale.

Ndërkohë, sot është parashikuar edhe një protestë para kryeministrisë në lidhje me aktin normativ të miratuar nga qeveria. Në orën 20:00, që duket si një simbolikë e përdorur nga artistët sërish për të ironizuar vendimin, muzikantët dhe të gjithë personat që i preket puna dhe të ardhurat nga bllokimi i lokaleve, do të mblidhen nën moton “Muzika nuk vret”. Nga posteri i publikuar, ata kërkojnë që të mos ndalet muzika, të përmirësohet kontrolli për masat ndaj Covid-19 dhe dalin kundër informalitetit, një temë e diskutuar shpesh herë dhe e përdorur kundër këngëtarëve.

Thirrja për protestë po shpërndahet në rrjetet sociale, ku deri më tani e kanë nxjerrë artistë si Eneda Tarifa, Eugent Bushpepa Dj Sardi apo Capital T, por edhe figura si Olti Curri, i cili u shpreh kundër vendimit të qeverisë më herët sot.

Sot në orën 20:00 përballë kryeministrisë. /News31.al /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme