‘Artistja e paqes’ hap sezonin koncertal të Filharmonisë së Kosovës, koncerti i muzikës serioze me një minutë heshtje nderon Heroin Bunjaku

25 Shtator, 2023 - 10:14 pm

Vjollca Duraku

Ndryshe siç ndodh rëndom, koncerti hapës i sezonës koncertale të Filharmonisë së Kosovës, i cili për soliste pati violinisten Aiman Mussakhajayeva, me dirigjent Antoine Marguier, filloi me një minutë heshtje, në nderim të policit Afrim Bunjaku, i cili u vra në Banjskë të Zveꞔanit.

“Artiste për paqen” është titulli që UNESCO i ka vënë violinistes Aiman Mussakhajayevan, e cila ishte përzgjedhur për të shënuar hapjen e sezonës 2023-2024 të Filharmonisë së Kosovës, titull ky që rastësisht shënon polaritet me rrjedhën e ngjarjeve të ditës së djeshme në Kosovë, e i cili vjen si një orkestrim universal me mesazh hyjnor për paqe, pas situatës së krijuar në vend.

Koncerti në Sallën e Kuqe, filloi fiks në orën 20:00 dhe pika e parë artistike e cila u interpretua në koncert ishte ajo e Aram Khachaturian, koncert për violinë në d-mol me Allegro on fermezza, Andante sostenuto dhe Allegro vivance.

Koncerti filloi me interpretimin e instrumenteve nga orkestra e Filhamonisë së Kosovës, së cilës për disa sekonda më vonë iu bashkua edhe violinistja nga Kazakistani, Aiman Mussakhajayeva duke i dhënë tingujve tonin e duhur dhe duke e bërë interpretimin më të fuqishëm.

Përgjatë kësaj performance pati edhe pika në të cilat interpretonte vetëm violinistja, duke nxjerrë tinguj të butë, dramaciteti i të cilëve shtohej kur interpretimit i bashkohej edhe Orkestra e Filhamonisë së Kosovës.

Pjekuria e saj si artiste vërehej lehtë duke filluar nga pozita e trupit, përqendrimi maksimal, lëvizjet me shpejtësi dhe të “mprehta” të kokës. Një kthim i artistes duke shikuar mbrapa, tregonte komunikimin, përshtatjen dhe respektin për kolegët e skenës.

Përderisa ngritja e kokës lart nga violinistja, duke lënë së ekzekutuari violinën dhe duke shijuar jehonën e tingujve të saj, dukej sikur artistja dha maksimumin e saj në ato mommente, e cila më pas dëshironte që ajo lloj energjie të kanalizohej dhe të regjistrohej thellë në qenien e saj, gjë të cilën publiku e vlerësoi jashtë mase, duke dhuruar duartrokitje të panumërta në fund të interpretimit të saj, në respekt të të cilave, violinistja vendosi të interpretojë edhe një pikë tjetër me violinë për disa minuta.

Pjesa e dytë e koncertit të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, filloi pas dhjetë minutash pauzë nga pjesa e parë, me interpretimin e pikës së Johannes Brahms, Simfonia Nr.4 në e-mol, OP.98, me Allegro non troppo, Andante giocoso dhe Allegro energico e passionate, me dirigjimin Antoine Marguier.

Pozicionimi i tij në qendër të sallës, i cili pas vetes dhe anash tij kishte publikun, përderisa para tij gjendej gjithë ai numër i madh i muzicientëve të Orkestrës së Filhamonisë, lejonte që çdo lëvizje e tij të vërehej nga gjithësecili në sallë. Fare lehtë vërehej edhe pasioni i tij për dirigjimin, ku herë kishte lëvizje strikte të shpejta, e herë dridhje të tërë trupit të tij, që së bashku me tingujt “shkriheshin” në sallë.

Se me kënaqësi punoi me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, e tha edhe vetë dirigjenti Marguier, në një prononcim për medie pas përfundimit të koncertit.

Dirigjenti Antoine Marguier më tej është shprehur të jetë shumë i kënaqur me punën e orkestrës me të cilën ka punuar për këtë koncert, i cili Orkestërn e Filharmonisë së Kosovës e ka vlerësuar si një orkestër shumë të motivuar, që sipas tij, ata bënë më mirën për këtë koncert. Duke spikatë përkushtimin e isntrumentistëve, ai ka thënë se kjo orkestër ka punuar me shumë përkushtim, duke e vlerësuar si një orkestër shumë të përpiktë.

Ndërsa drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në një prononcim për KultPlus, tha se ishte fat i madh për institucionin e Filharmonisë së Kosovës, që një pianiste e përmasave globale, kishte pranuar që të interpretojë në kushte të improvizuara pa një sallë adekuate.

 “Solistja ka një CV shumë të pasur. Ajo ka mbajtur koncerte në mbarë globin dhe është fituese e çmimeve të shumta ndërkombëtare e garave më prestigjioze në botë. Ne patëm fatin që ajo ka pranuar të perfomojë në kushtet tona, në këtë sallë të themi mjaft problematike që nuk është akustike, gjë e cila e dëmton shumë interpretimin, sepse e njëjta orkestër dhe i njëjti program në një sallë adekuate me një austikë të mire, do të dëgjohej shumë më mirë dhe do të linte përshtypje edhe më të mirë sesa që ishte”, ka thënë drejtori Jashari.

Drejtori Jashari po ashtu u shpreh se përkundër se ishin të ndikuar nga rrjedha e ngjarjeve në vend gjatë ditës së djeshme, në Koordinim me Minstrinë e Kulturës dhe organeve të tjera ishte vendosur që koncerti të mbahej, pasi Filharmonia është institucion që bën organizimin e koncerteve me muzikë serioze.

“Ajo që ka ndikuar te të gjithë ne, është ngjarja që ka ndodhur pikërisht në ditën e sotme e cila na ka mërzitur të gjithëve, tensionet në veri dhe natyrisht vrasja e policit në detyrë, plagosja e të tjerëve. Në bazë të koordinimit me Ministrinë e Kulturës dhe organet tjera relevante, është vendosur që koncerti megjithatë të mbahet. Ngjarja pati ndikim, por megjithatë muzika e ka rrugëtimin e vet, jeta duhet të vazhdojë. Vetë prania e publikut tregoi që pavarësisht situatës që ka ndodhur, ai shpirti luftarak i yni si popull që nuk dorëzohemi para asgjëje gjithësecili duhet ta vazhdojë jetën për një të ardhme më të mirë”, shtoi Jashari.

Më tej Jashari tha se ky koncert mund të llogaritet si homazh për ngjarjen e ditës së djeshme, sepse muzika klasike i përshtatet edhe situatave të tilla.

“Filharmonia e ka natyrisht rolin e saj institucional, organizimin e koncerteve me muzikë serioze. Mos të themi që edhe ky koncert mund të llogaritet me një aspekt edhe si homazh, sepse si muzikë klasike që është natyrisht që i përshtatet edhe situatave të tilla kështu që shpresojmë që koncertet e ardhshme do të kalojnë në një atmosferë më pozitive”, përfundoi Jashari.

Ndërsa, pjesëtari i Orkestrës së Fliharmonisë së Kosovës, Patris Berisha tha se koncerti i mbrëmshëm i kishte lënë shumë përshtypje, pasi një i tillë u realizua me profesionistë të mëdhenj siꞔ ishin violinistja Aiman Mussakhajayeva dhe dirigjenti Antoine Marguier.

“Zakonisht kemi suksese në koncerte por kjo ndoshta më ka lënë diçka përshtypje, sepse është koncerti i parë i sezonës 2023-2024, kështu që besoj që edhe publiku janë ndarë të kënaqur, kur kemi kësi dirigjentë dhe artistë sikur dirigjenti i sotëm, e po ashtu edhe solistja e cila ishte sonte në violinë”, përfundoi Berisha./KultPlus.com

Të ngjajshme