Ava Max debuton në listën “30 nën 30 vjeç” të përpiluar nga “Forbes”

2 Dhjetor, 2020 - 5:55 pm

Doja Cat, Roddy Ricch dhe Ava Max janë në mesin e yjeve të përfshirë në listën e përvitshme, “30 nën 30 vjeç”, të përpiluar nga revista “Forbes”.

Çdo vit kjo listë ka për qëllim t’i nderojë sukseset financiare të 600 personalitete të reja, në 20 kategori të ndryshme derisa këtë vit përfshihen edhe emra të tillë si: Lil Baby, Lana Condor, Sabrina Carpenter, Kaitlyn Dever, Ramy Youssef dhe të tjerë.

Mosha mesatare e personaliteteve të nderuara sivjet është 27 vjeç, ndërsa 20 për qind prej tyre janë imigrant nga 62 shtete të ndryshme të botës.

Në 20 kategoritë që i nderojnë këta persona për suksesin dhe arritjet e tyre, përfshihen fusha të ndryshme si: arti dhe stili, teknologjia, edukimi, energjia, financat, ushqimi dhe pija, lojërat, shëndetësia, showbizi, prodhimtaria, marketing, mediat, muzika, shkenca, rrjetet sociale, sporti dhe të tjerë.

Në të kaluarën revista “Forbes” i ka nderuar edhe tri këngëtare tjera me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Rita Ora, derisa këtë vit në listën “30 nën 30 vjeç” debuton ylli i njohur i muzikës, Ava Max.  

Këngëtarja ka reaguar ndaj lajmit të mirë duke e postuar një mesazh në Twitter ku shkruhej: “Faleminderit për këtë nderim revista ‘Forbes’. “30 nen 30”!!! Wow, ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe ne sapo kemi filluar…”/ KultPlus.com

Të ngjajshme