‘Babiloni’ dhe BB Poqi: Kur muzika rok është filozofia e ekzistencës

26 Shtator, 2020 - 1:17 pm

Arbër Selmani

‘Muzika rok është pikënisja dhe filozofia e ekzistencës sime në këtë botë kaq të ndryshueshme. Ishte ai moment kur për herë të parë dëgjova tingullin e parë të kitarës së John Lennon, dhe menjëherë brenda meje lindi dëshira e zjarrtë që edhe unë t’i ‘mshoj kitarës’, përafërsisht si John Lennon ose si Elvis Presley. Ishin ata idollët e mi në moshë fare të re, 12 vjeçare, kur unë dëgjoja çdo këngë nga Beatles, çdo lëvizje, çdo tingull të kitareve të tyre, çdo lajm rreth tyre ishte kënaqësi dhe një motivim për mua që të merrem edhe unë me këtë zhanër muzikor’.

Me këto personalitete si frymëzimin kryesor, shtoja këtu edhe influencat prej Jimi Hendrix, Toto e U2, që Poqi i quan dinosaurët e rokmuzikës botërore, ngadalë në skenë do të dilte BB Poqi, një prej zërave më shumëngjyrësh e me plot nuanca, aspak bardh e zi, një prej meshkujve që e mbajti dhe e mban gjallë rokun shqiptar, kitarën shqiptare dhe vokalin e ndërthurur bukur me çdo element tjetër të një kënge.

BB Poqi, siç e njohin të gjithë ata që ushqehen me artin e tij, Bajram Bylykbashi do të futej herët në skenën e muzikës shqipe në Kosovë. Përderisa një grup i rokerave të kohës dinin vetëm artin e kitarës, ai e zbërthente edhe zërin e tij në meloditë që i servonte për dëgjuesin me shije. Poqi i vogël u rrit me dy inicialet e emrit dhe mbiemrit, duke u transformuar në atë që menyja shqiptare e muzikës rok e njeh dhe e respekton me emrin – BB Poqi.

Në radio, e dëgjon një këngë dhe, nuk ka rëndësi nëse ti nuk e di këngën apo edhe emrin e saj, as tekstin as refrenin, patjetër do ta dallosh grrithjen e çjerrjen aspak banale të zërit karakteristik të BB Poqit.

*

I lindur në vitet e 60-ta, në të 80-tat e shekullit të kaluar Poqi veç do të provonte shpalosjen e talentit të tij. Ngadalë edhe futemi në botën e Poqit me tregimin e tij aspak të sforcuar.

“Në atë kohë muzika dëgjohej nga gramofoni me LP ose plloqa, por ishin edhe kasetat. Erdhi momenti që edhe unë të hyj në rendin e kitaristëve kur axha im një ditë më tha – “A mos po don pahiri me të mësu me i ra kitarës” e unë mbeta i habitur e i gëzuar dhe pranova menjëherë. Unë isha majtak dhe ishte problem për kitarën e axhës tim, në fakt duhej që të gjithë telat e kitarës të vendoseshin në anën e kundërt. Kjo doli si alternativë e pamundur. Ndryshuam taktikë. Mësimi i akordeve filloi menjëherë dhe ishte një ndër periudhat më të mira të jetës. Pas kësaj ishte edhe mësimi i këngës së parë: ‘Let it be’ nga Beatles” na tregon BB Poqi si një libër i hapur dhe i lexueshëm, ku provojmë të kuptojmë më shumë mbi rrjedhën e jetës dhe muzikës së Poqit.

“Pas kësaj kënge repertoari im u pasurua, aty ishin edhe shumë këngë të famshme të bendeve të famshme të viteve të 70-ta si Pink Floyd, Led Zeppelin, Deep Purple. Dëshira e madhe për tu bërë roker nisi të bëhej realitet e në ato momente edhe lindi ideja e formimit të bendit tim të parë. Ishte viti 1985 kur unë dhe shokët e mi Urani, Besimi dhe Mentori vendosëm që të formojmë rok bendin e parë. Ishte dëshira dhe dashuria aq e madhe për të performuar rok muzikë. Ideja rreth emrit të grupit, ‘Babilon’, ishte ekskluzivisht ideja e Uranit dhe si pikënisje ishte teksti i tij i shkruar më herët. Babilonia është civizilimi më i lashtë në botë dhe natyrisht që ne duhej të ishim rokera me vlera të reja në rokun kosovar, stili ynë duhej të ishte unik dhe shumë origjinal. Teksti i këngës ishte gati, mungonte kompozimi i këngës dhe natyrisht që ajo punë u krye nga unë. Në mendjen time u projektua një ide dhe një tingull më i rëndë – një hard rock. I vetmi problem ishte që në atë kohë ne nuk kishim kitarë elektrike, Besimi kishte një kopje të Fenderit dhe zmadhuese që i kishte improvizuar në një kasetofon me disa lidhje speciale elektromagnetike. I rëndësishëm ishte edhe vendi për ushtrime, garazha e Uranit. Garazha kishte ambient shumë të këndshëm, brenda saj ishte vetura e babait të Uranit me gërshetimet e dritave të veturës si dhe tymi i veturës gjatë ndezjes, duke e mundësuar atë ndjenjën e një rok koncerti. Ishin këta hapat e parë të hyrjes në një botë të re, në moshë aq të re, në botën e rok muzikës. Sa vështirë ishte të ishe kreativ dhe të imponoje vlera të rok muzikës në një mjedis aq të pafavorshëm” më tregon tutje BB Poqi.

*

Jo se këngët e BB Poqit mund të ndahen ose vendosen në peshoren e suksesit, sepse në fund të fundit secila ka vleftë në vete, por hitet e mëdha të BB Poqit të prodhuara nëpër vite nuk mund të anashkalohen prej ndjenjave dhe jetëve të plot gjeneratave në Kosovë. Poqi, ky zë i fortë i rokut nëpër kohëra e momentume, nëpër regjime e nëpër disponime të ndryshme, nëpër presione e censura, nëpër gëzime e hidhërime, nëpër Jugosllavi e Kosovë, nëpër shqiptarë të Kosovës e kosovarë të nënshtruar e të privuar, nëpër stuhi e nëpër kohë me diell, me këshilla për të qeshur e për të mos u dashuruar në të, sepse, siç thotë vet në një prej teksteve të këngëve të tij, ‘Unë jam i tillë, kurrë s’besova në dashuri, ja paratë për taksi, shko në shtëpi…’  

Babilon – 1987

Po e nisim me ‘Babillon’ – simbolika edhe e emrit të grupit ku dikur ishte pjesë edhe Poqi.

‘Kthehu’ nuk bën të mungojë në mozaikun e diskografisë së Poqit. ‘Ti je vetëm një iluzion’, ‘Qeshu’, ‘Mendoj për ty’, ‘Diku pranë shtëpisë sime’, ‘Unë jam i tillë’, ‘Më mungon’ ‘Qyteti’, ‘Rri zgjuar’, ‘Rrugët janë fate’, ‘Të gjeta dy’, ‘Ata na rrejtën’ janë disa prej këngëve ku Poqi ka përkthyer në qindra versione ndjenjat e tij, magjitë, fantazitë, mërzitë, harmonitë e fjalëve. Fjalëve që dhembin më pak në të thënë, më shumë në të kënduar.

Dëgjoni secilën këngë, pa ndonjë radhitje, dhe do të mahniteni prej njëfarë matematike të llogaritur mirë prej BB Poqit nëpër vite, sikur secila këngë është përpjesëtimi i tjetrës, barazimi i tjetrës, sikur secila këngë është vazhdimësi e tjetrës, me emërues të përbashkët dhe eksperiment laboratorik të menduar deri në detaje, por duke të goditur për një tjetër kohë, për një tjetër vend e tjetër njeri.

Ky është Poqi pra. Prej një BB Poqi më të thellë e më të fortë, drejt Poqit mesatar e më pas edhe atij më të butë e fragjil, më të puthur me imazhin e një rokeri me më pak rok agresiv.

*

“Fillimisht, gjatë karrierës sime me grupin ‘Babilon’, nga viti 1986 deri me 1990 kemi regjistruar katër këngë: ‘Babilon’, ‘Ti je vetëm një iluzion’, ‘Edhe një natë si kjo’ dhe ‘Diku pranë shtëpisë sime’. Tekstet i ka shkruar i ndjeri Uran Bajrami – ish basisti i grupit. Muzikën e këngës ‘Babilon’ e kam kompozuar unë ndërsa tri të tjerat i ka kompozuar Besim Hajdini, solokitaristi i grupit tone. Albumi im i parë ishte ‘Ndoshta me një blues’ në vitin 1995, të gjitha tekstet dhe këngët janë shkruar e kompozuar prej meje, përveç këngës ‘Mos më harro’ e kompozuar nga kitaristi i TNT, Nexhat Macula. Më pas vijojnë albumet ‘Sa për fillim, ‘Mos thuaj jo’, ‘Sa për çudi’ dhe ‘Albumi nr:5’ me tekste nga Blerim Gjoci, Agron Shala, Lusan Muhametaj-Lusi, një këngë nga Muhamet Veseli – Muha i Armadillo Blues Band dhe disa tekste të shkruara nga Muthat Sadiku”.

“Teksti është një faktor shumë i rëndësishëm në një këngë, sikurse edhe muzika. Teksti duhet doemos të ketë një porosi të qartë dhe një qëllim që shpreh një brengë, një problem social apo një temë dashurie që është aktuale, e jo si tekstet që kohëve të fundit i dëgjojmë e që përmbajnë tematika banale ose që nuk përkasin fare me realitetin tonë” tregon Poqi.

*

Gjithmonë jam kurioz ta di se cilën këngë e pëlqejnë më së shumti emrat si BB Poqi, të cilët kanë krijuar shumë dhe ndoshta në një pikë e kanë problem ta dallojnë një këngë që i lëvizë gurët më shumë se të tjerat.

Shumë rrallë ka ndodhur që një pyetje si kjo të mos prekë thellë e të mos nxjerrë një përgjigjje shpotitëse.

“Kanga ‘Diku pranë shtëpisë sime’ është kanga ime e preferuar dhe kjo më kujton vdekjen e shokut tim të fëmijërisë dhe anëtarit të grupit ‘Babilon’. Vdekja e Uranit ishte vdekja e grupit ‘Babilon’, një grusht i rëndë për të gjithë ne, një goditje e paimagjinueshme. Para vdekjes së Uranit ne ishim duke e përgatitur këngën e ardhshme për incizim, këngën vetëpërkushtuese ‘Diku pranë shtëpisë simë’ të cilën e kishte shkruar ai. Ushtrimet shkonin si më së miri edhepse në mungesë të instrumenteve. Urani po planifikonte që të shkonte në Bullgari për disa ditë për të blerë një bas kitarë. Shkoi dhe e pësoi në një fatkeqësi komunikacioni, rrugës së kthimit, në afërsi të kufirit me Kosovën. Vdekjen e tij ai sikur e kishte paralajmëruar me tekstin e këngës. –Sikur të ktheheshim e të shikonim gjurmët që i lamë dikur dhe ditët që s’do të kthehen më kurrë – Vdekja e Uranit ishte e pabesueshme. Në atë kohë aktiviteti i grupit ‘Babilon’ pushoi së ekzistuari. Më nuk kishte kuptim që të vazhdonim pa Uranin, njeriun që kishte shkruar tërë këngët tona të mrekullueshme. Pas një viti e regjistruam këngën e Uranit, në vitin 1990, dhe grupi u shpërnda e bashkë me të edhe Radio Televizioni i Prishtinës u mbyll nga regjimi serb. Kënga e incizuar u dëgjua, me tekst intuitiv dhe me fjalët e fundit – Me kujtimin për ty…- , dhe përnjëmend ‘Babiloni’ pushoi në atë moment. Grupi mbeti në historinë e rok muzikës kosovare të viteve të arta, viteve 80-të, së bashku edhe më shumë bende të asaj kohe, me të gjitha vështirësitë e kohës” më tregon BB Poqi.

https://www.youtube.com/watch?v=-fobZJswSkY

Pjesëmarrjet e BB Poqit në festivale dhe paraqitjet e tij muzikore vështirë të numërohen tani, brenda kësaj përmbledhjeje ku ka edhe emocione të rënda edhe tregim të lehtë.

Edhe me videoklipe, Poqi nuk ka përtuar të jetë aktiv, njëjtë sikur edhe në mbrëmjet muzikore ku ai gjithmonë është djersitur prej energjisë që del prej tij e shkon pingul drejt deri te njerëzit që e dëgjojnë dhe pëlqejnë muzikën e tij. Nëna natyrë e kishte në fletoren e saj të shkruar qartë se Bajram Bylykbashi do të shndërrohej në BB Poqi, dhe prej një studenti të gjimnazit ‘Xhevdet Doda’ në Prishtinë, në duart e tij do të kalonin kitarat e famshme të tipeve Gibson Les Paul, Ibanez, Fender Stratocaster e bardhë dhe Fender Stratocaster e gjelbër.

BB Poqi, 1972

Kohët e fundit, Poqi nuk është shumë aktiv, por kjo nuk do të thotë që treni i tij i muzikës ka ndaluar.

“Kohëve të fundit nuk kam qenë aktiv meqenëse edhe nuk kam qenë në Kosovë, por nuk jam shkëputur nga muzika. Jam në procesin e demo-incizimeve për albumin tim të ri, dhe po përgatitem shumë. Duhet kohë dhe përkushtim i jashtëzakonshëm, gjithmonë duke u munduar të lansoj vlera të mirëfillta të rokut shqiptar. Nuk kam ndonjë datë të finalizimit të projektit por ju siguroj se jam në proces të punës dhe se bëhet fjalë për një album i cili i nevojitet publikut të etur rokdashës, e i cili është në numër jo të vogël” shprehet tutje BB Poqi.

*

“Axha im ka performuar në kitarë dhe ishte mësuesi im i parë dhe ndikim i madh në muzikë. Daja im ka ndikuar që të dëgjoj muzikë të mirë meqë ai ka dëgjuar muzikë të mirë sidomos të viteve 70-të, që për mua mbetet muzikë me produktivitet dhe kualitet të jashtëzakonshëm në çdo aspekt”.

Për fund, Poqin e pyes edhe për vlerësimin që ai ia bën muzikës shqipe momentalisht dhe për, ndoshta më kryesoren, rëndësinë e muzikës në jetën e tij.

“Në Kosovë ka pasë muzikë të mirë në vitet 80-të, faktikisht koha e artë kjo e muzikës në Kosovë, në krahasim sidomos me kohën e sotme që unë e cilësoj si periudhën katastrofike me tendencë të bastardimit të muzikës sone. Tendenca e një përmirësimi të lehtë u vërejt por u stopua shkaku i materialeve të bendeve të reja, pastaj servimi i pandershëm nga mediat tona, dhe elemente tjera”, tregon Poqi.

“Muzika për mua është vetë jeta dhe pa të ekzistimi im do të ishte i pamundur. Muzika është një motiv i pazëvendësueshëm për të jetuar, një kënaqësi që nuk përshruhet me asnjë fjalë” më thotë për fund të intervistës, BB Poqi.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Të ngjajshme