Balerini Eno Peçi mahnitë me paraqitjen në ‘Trëndafilat e jugut’

3 Janar, 2018 - 5:15 pm

Dirigjenti që drejtoi Orkestrën e Filarmonisë se Vjenës këtë vit ishte Rikardo Mutti, italiani që ngjitet për të pestën herë në pultin e dirigjentit të Koncertit më të famshëm në botë.

Programi përmbante valse të njohura të dinastisë Shtraus, nga Johan ati, Johan Biri dhe Jozef Shtraus, si edhe një uverturë nga Franz Von Zyppe.

Temat ishin nga më të larmishmet, që nga valset e brishta romantike, valset homazh për fshatin dhe qytetin deri tek polkat e shpejta dhe dramatike.

Gjatë interpretimit të orkestrës u transmetuan edhe imazhe nga Biblioteka Kombëtare e Vjenës në Pallatin Perandorak, ku pamë edhe dorëshkrime të vjetra prej 650 vjetësh, si edhe punime porcelani nga artizanet vjeneze 300 vjet para, pyjet dhe rezidencat perandorake rreth Vjenës etj.

Në pauzën mes dy pjesëve u transmetua një reportazh që tregonte Vjenën moderne nga viti 1918 deri më 2018-n. Trupa e Baletit Shtetëror të Vjenës shoqëroi disa nga valset.

“Trëndafilat e jugut” ishte valsi më i gjatë që u luajt nga kërcimtarët e Baletit Shtetëror të Vjenës, në ambientet magjike të vilave perandorake, ku në rolin kryesor interpretoi balerini i njohur shqiptar, Eno Peçi.

Së fundmi orkestra interpretoi valsin “Danubi i bukur”, duke na dhënë njëkohësisht pamje të lumit Danub, pyjeve dhe fushave përgjatë të koloritit të stinës së Vjeshtës dhe bardhësinë e dimrit.

Koncerti u mbyll me “Marshin e Radeckut”, i shoqëruar edhe me duartrokitjet e publikut entuziast që kishte tejmbushur sallën.

Johann Sattler, Ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri, ka vlerësuar me superlativa balerinin shqiptar Eno Peçi. Solisti i parë i Operës Shtetërore të Vjenës prej 15 vjetësh, Peçi performon në koncertin e Vitit të Ri.

Ambasadori Sattler është shprehur i emocionuar në rrjetin social Twitter për rolin e balerinit shqiptar në koncertin e madh vjenez duke u shprehur me këto fjalë “Pra, cili është kontributi i shqiptarëve në koncertin e Vitit të Ri në Vjenë? I jashtëzakonshmi Eno Peçi i Baletit e Operës Shtetërore…” -përgjigjet po vet ambasadori i Austrisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme