Bebe Rexha shpërblehet me çmim në MTV Video Music Awards 2019

27 Gusht, 2019 - 9:06 am

Mbrëmë është mbajtur një prej ngjarjeve më të mëdha të vitit, MTV Video Music Awards, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje nuk munguan as emra shqiptarë të cilët tashmë janë ndër emrat më të lakuar në botën e muzikës.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ishte një prej tyre.

Pos paraqitjes së mrekullueshme, ajo nga ky event nuk doli edhe pa një çmim.

Pas Rita Orës e cila ishte fituese e këtij çmimi vitin e kaluar, është Bebe Rexha ajo e cila mbrëmë ka triumfuar në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike”, e cila njëherësh ishte kategoria e vetme në të cilën ishte nominuar.

Ajo e fitoi këtë çmim për këngën e saj shumë të suksesshme “Call you mine” në bashkëpunim me The Chainsmokers, gjersa ishte e nominuar edhe për këngën tjetër “Say my name” në bashkëpunim me David Guettan dhe J Balvin.

Duke triumfuar në këtë kategori, Bebe Rexha ka lënë prapa këngët e tjera në nominim si: “Solo” nga Clean Bandit dhe Demi Lovato, “Taki taki” nga DJ Snake, Selena Gomez, Ozuna & Cardi B, “Happier” nga Marshmello & Bastille, dhe këngën “Electricity” të kënduar nga shqiptarja tjetër e famshme, Dua Lipa, në bashkëpunim me Silk City.

Bebe Rexha është dukur shumë e lumtur pas fitores së këtij çmimi teksa ka pozuar me trofeun në dorë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme