Bebe Rexha shpërblehet me trofeun e vendit të parë nga “Official Charts”

22 Dhjetor, 2022 - 11:51 am

Këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha, ka kaluar nëpër një vit me suksese të mëdha, shkruan KultPlus.

Hiti i saj “I’m Good (Blue)”, në bashkëpunim me David Guetta, është dëgjuar kudo në botë dhe e ka rikthyer atë në top listat britanike e amerikane.

“Official Charts” që llogarit statistikat dhe shpërblen artistët e arritur, i ka dhuruar trofeun e vendit të parë këngëtares shqiptare me origjinë nga Dibra e Maqedonisë së Veriut.

Ka qenë vet Bebe Rexha, ajo e cila përmes një videoje të publikuar në rrjetin social TikTok, ka bërë të ditur se ka pranuar trofeun në fjalë dhe se ndjehet tej mase e lumtur dhe e vlerësuar.

@beberexha

Slay

♬ I’m Good (Blue) – David Guetta & Bebe Rexha

“Më në fund mora vendin e parë. E mora këtë çmim nga ‘Official Charts’ për ‘I’m Good’ të renditur në vendin e parë. Është hera ime e parë që renditem e para në Mbretërinë e Bashkuar, kështu që faleminderit shumë. Do të fle e qetë sonte”, ka thënë artistja e hitit “I’m Good (Blue)”.

Dueti i Rexhës dhe Guettas është nominuar edhe për çmimet Grammy. /KultPlus.com

Të ngjajshme