Bik Ndoja, zaambli i jares shkodrane, fisniku i traditës dhe qytetarisë

27 Dhjetor, 2022 - 9:00 pm

Kur thue Shkodra, mundesh me nënkuptu tançka përfaqson kyt gurthemel të rand të historisë, kulturës, traditës dhe qytetarisë. 

Kur përmend Shkodrën, mundet me ndërmend gjithçkaqë që asht ngjiz dhe ka marrë vullnesë krenie në t’gjallt e t’pasionuemit, bijt e bijat e këtij qyteti, njiksaj përkatësie, e cilla ma shum’ se gjeografike, mundet me ken shpirtnore dhe artistike, siç diti me dëshmu dhe me xan vend në faqet e lavdishme të historisë si gurthemel i rand i kaprcyelleve. 

E ndërsa lup me dallue prej tan atyne yjeve qi kan shndrit qiellin mëkimit të naltuar në shpirtje shkodrane, tue e nusnue këtë amë legjendash, ma i shndritshmi vezullim n’ta asht jarja shkodrane. E kur nëpër këtë tempull të muzikës kërkon me gjet nji emën, nji za, nji prej atyne qi e kanë këndue dhe e naltue këtë mjeshtëri të krijimit, do ta kesh sa t’pamujtun njaq edhe sfiduese. Gjithqysh, prej atyne që u përfaqësuen, e jarja shkodrane u mori njaq sa dhe u dha, nji za i gjithpranum në këtë virtuozitet interpretues, asht Bik Ndoja. Shpirti i tij krijues dhe tansia mëkuese përgjat nji jete në skenën e kangës dhe në ëndjen e adhurimit, u plazmu duke mbetun tash e përgjithmon të pashlyem, shkodrane, n’traditën e jares dhe shqiptare, n’galerinë e veprave që morën status thesari kombëtar.

Bik Ndoja, jo vetëm me jaren, por me tan pasuninë shpirtnore që mori jetë kah kanga, mujti me i dhan njat za qi kishte me mbet ma i epërmi, ma i andshmi, ma i duartrokituni në skenën shqiptare dhe asaj botnore. Bik Ndoja kishte lindun për me këndu dhe kurrgja nuk mujti me e ba njat za me pushue, e njat zemër me rrah me dashni pa cak. Ai u ngjit në apogje dhe shndriti si yll, pa arritun për me shkëlqy si n’skenë njashtu edhe në podet e nderimeve dhe titujve, edhe pse meritoi ndoshta ma shumë se gjithkush tjetër. Shndriti me virtuozitetin e interpretimit të jares shkodrane, njashtu siç shndrin në ag nji diell qi lind tue dëbu terrin.

Bik Ndoja bani jetën e nji njeriu t’përkorë, pa ankime dhe trazime, megjithëse rreth tij, siç nuk i munguen njerëz qi e vlerësuen talentin, u gjindën ndër ta qi u rreken ta pengonin në ngjitjen e këtij ylli n’qiellin e vet. Por ai nuk u dha, nuk e shterri zanin e tij të magjishëm, nuk e la atë shpirt artisti dorzan dredhive dhe smirës. Gjithqysh ai triumfoi.

Fakt

Në vitin 1969, Bik Ndojës i’u akordua titulli “Artist i merituar”.  Plot 30 vite më vonë, Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoi titullin “Krenaria e qytetit”. Në vitin 2007, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, duke qenë ky vlerësimi i fundit së gjalli. Në lëmin e meritave vlen të përmendet fakti se që nga viti 2011, dosja “Mjeshtri i Madh” pret në institucionin e Presidencës, për t’iu akorduar ndoshta pas vdekjes.

Ludovik Ndoj Gjergji i njohur si Bik Ndoja, u lind në Shkodër me 13 gusht të vitit 1925 për t’u shue më 27 dhjetor 2015. Ishte dhe mbetu lëvruesi dhe përçuesi i jares shkodrane, këtij visari të papërsëritshëm, kësaj urëbashkimi mes Lindjes dhe Perëndimit, traditës dhe bashkëkohjes në artin e këndimit.

Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Të ngjajshme