Billie Eilish me brendin e saj të instrumentit ‘ukulele’

8 Shtator, 2020 - 8:00 pm

Këngëtarja e njohur amerikane, Billie Eilish, është bërë bashkë me kompaninë “Fender” në dizajnimin dhe lansimin e kitarës së saj të njohur si ‘ukulele’.

Instrumenti i përshkruar si një kopje e guximshme e kitarës klasike me kater tela, vjen me modelin e ri të dizajnuar nga Eilishi dhe e përmban simbolin e saj identifikues.

Kitara e përmasave të vogla ‘ukulele’, ishte instrumenti i parë të cilin këngëtarja e kishte mësuar qysh në moshën gjashtë vjeçare, dhe me të e kishte performuar këngën e saj të parë, “I Will” nga grupi legjendar “The Beatles”. Nga atëherë, Billie e ka shfrytëzuar ‘ukulelen’ edhe në këngët e saj të tilla si, “Party Favor” dhe “8”.

Duke folur për dashurinë e saj të gjatë për këtë instrument, Eilish tha: “Mendoj se ‘ukulele’ e sjell një ndjenjë tjetër tek secila këngë, dhe më inspiron të shkruaj tekste të ndryshme. Mua çdo instrument më bënë të shkruaj ndryshe nga tjetri”.

Eilish dhe kompania për prodhimin e instrumenteve muzikore “Fender”, po ashtu e kanë bërë një donacion për fondacionin “Aloha Mele Fund”, që u themelua së fundmi nga komuniteti i Hawaiit, me qëllim të njohjes së historisë së ‘ukuleles’ në këtë vend.

Donacioni do të ndahet për disa organizata jofitimprurëse të cilat po punojnë në lehtësimin e situatave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit për banorët lokal dhe komunitetet e Ishullit Paqësor në Hawaii.

Javën e kaluar, Eilish hyri në mesin e artistëve që e kanë paraqitur një dizajn për logon e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike të vitit 2028 në Los Angeles.

Billie Eilish e cila fitoi famë brenda natës, vazhdon të jetë një prej këngëtareve më të veçantë të skenës muzikore.

Të ngjajshme