Blue Ivy fiton shpërblimin e parë në moshën 8-vjeçare

24 Shkurt, 2020 - 4:50 pm

Vajza e çiftit Beyoncé dhe Jay-Z, e ka pranuar shpërblimin e saj të parë muzikor në ceremoninë e sivjetme të ndarjes së shpërblimeve “NAACP Image Awards”, e cila u mbajt gjatë fundjavës.

8-vjeçarja Blue Ivy Carter u nderua në kategorinë “Dyshja apo bashkëpunimi më i mirë” për hitin “Brown Skin Girl”, ku ajo ka performuar dhe i ka shkruar disa pjesë të saj. Kënga vjen në bashkëpunim me nënën e saj dhe artistët Saint Jhn dhe Wizkid si dhe është pjesë e albumit të vitit 2019, “The Lion King: The Gift”.

Ky sukses i 8-vjeçares së famshme ndërkombëtarisht vjen pasi në korrik të vitit të kaluar, kënga “Brown Skin Girl” kishte arritur të pozicionohet në vendin e 76-të të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”. Atëkohë, Blue Ivy ishte vetëm 7-vjeçare, transmeton Koha.net.

Gjyshja e saj, Tina Laëson, ishte ajo e cila me krenari e kishte ndarë lajmin në Instagramin e saj.

Nëna e këngëtareve, Beyoncé dhe Solange, kishte shkruar: “Artistja më e re që po fiton shpërblim të rëndësishëm muzikor. Gjyshja është shumë krenare me ty. Ti po iu dhuron zë të gjitha vajzave të vogla me ngjyrë ”.

Beyoncé, e cila po ashtu i ka dy binjak me reperin Jay-Z, Rumi dhe Sir, ishte ndër fitueset kryesore të ceremonisë “NAACP Image Awards”, duke i fituar gjashtë shpërblime gjithsej në kategori të rëndësishme si, “Artistja më e mirë femër” dhe “Kolonat zanore dhe kompilimet më të mira” për albumin “The Lion King: The Gift”. /koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme