Bob Dylani shet thesarin me 600 këngë

8 Dhjetor, 2020 - 9:59 am

Kujtimet e Bob Dylanit “Chronicles: Volume One” hapen në vitin 1962 me nënshkrimin e marrëveshjes së tij të parë muzikore – një kontratë për të drejtat e veprës së tij në embrion. Kushtet e asaj marrëveshjeje, të hartuar nga Lou Levy i “Leeds Music Publishing”, patën miratimin e Dylanit të ri.

“Lou më kishte dhënë si paradhënie qindra dollarë kundër honorarëve të ardhshëm për të nënshkruar atë letër”, shkroi ai, “dhe kjo ishte në rregull për mua”.

Për pesëdhjetë e tetë vjet, më shumë se 600 këngë dhe tevona një çmim “Nobel”, vlera kulturore dhe ekonomike e korpusit të Dylanit është rritur në mënyrë eksponenciale.

Të hënën, “Universal Music Publishing Group” ka njoftuar se ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë krejt katalogun e këngëve të Dylanit – përfshirë edhe klasikë që ndryshuan botën si “Blowin’ in the Wind”, “The Times They Are A-Changin’” dhe “Like a Rolling Stone” – në atë që mund të jetë më e madhja blerje e bërë ndonjëherë për të drejtat muzikore të publikimit në një akt të vetëm.

Marrëveshja, që përfshin krejt karrierën e Dylanit, nga këngët e tij të hershme deri te albumi i fundit “Rough and Rowdy Ways”, është pranuar drejtpërdrejt nga Dylani, 79 vjeç, që prej kohësh ka kontrolluar të drejtat e shumicës së teksteve të tij.

Çmimi nuk është bërë i ditur, por vlerësohet të jetë më shumë se 300 milionë dollarë.

“Nuk është sekret që arti kantautorit është çelës fondamental për krejt muzikën e madhe, dhe as nuk është sekret që Bobi është një prej praktikuesve më të mëdhenj të këtij arti”, ka thënë Lucian Grainge, drejtor ekzekutiv në “Universal Music Group”, nëpërmjet një deklarate që ka njoftuar mbi marrëveshjen e bërë.

Jody Gerson, drejtoresha ekzekutive e sektorit të publikimeve në Universal, ka shtruar: “Të përfaqësosh trupin e veprës së një prej kantautorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave – rëndësia kulturore e të cilit nuk mund të mohohet – është sa privilegj, aq edhe përgjegjësi”.

Dylani nuk ka dhënë ndonjë koment për këtë.

Marrëveshja është më e freskëta prej një profili të lartë për tregun zhurmues për katalogët e muzikës, teksa artistë të rinj e të moçëm i kanë shitur këngët e tyre, dhe publikuesit e investitorët kanë mbledhur miliarda dollarë nga burime publike e private për t’i rrumbullakuar këto marrëveshje.

Javën e kaluar Stevie Nicks ka shitur një thelë të madhe nga katalogu i saj për një shumë të vlerësuar 80 milionë dollarë për “Primary Wave Music”, publikues i pavarur dhe kompani marketingu.

“Hipgnosis Songs Fund”, një kompani britanike që ka bërë një hop të shpejtë në treg për vetëm dy vjet e gjysmë, së fundmi ka bërë të ditur se ka shpenzuar rreth 670 milionë dollarë nga marsi deri në shtator për të blerë të drejtat e më shumë se 44 mijë këngëve nga Blondie, Rick James, Barry Manilow, Chrissie Hynde nga Pretenders dhe të tjerë.

Por katalogu i Dylanit është një prej xhevahireve të muzikës botërore – një vitrinë këngësh që ka rimodeluar muzikën folk, rock dhe pop, si dhe ka frymëzuar pafund artistë. Ai është nderuar me çmimin “Nobel” për letërsi më 2016 se “ka krijuar shprehje të reja poetike brenda traditës së madhe amerikane të këngës”.

Dylani është edhe ai lloj autori për të cilin jargavitën publikuesit e muzikës. Jo vetëm që vepra e tij i ka qëndruar testit të kohës, por shumica e këngëve të tij janë shkruar vetë prej Dylanit dhe janë kënduar shpesh nga artistë të tjerë – ku secili përdorim ka përftuar honorarë. Sipas “Universalit”, këngët e Dylanit janë incizuar më shumë se 6 mijë herë.

Publikimet muzikore janë ajo anë e biznesit që merret me të drejtat e teksteve të shkruara dhe kompozimeve – lirikat dhe meloditë e këngëve në formën e tyre më themelore. Publikuesit dhe shkrimtarët mbledhin honorarë dhe tarifa leje kurdo që veprat e tyre shiten, transmetohen në radio apo përdoren në filma apo në reklama televizive.

Streamingu e ka ngjitur me të madhe krejt tregun e muzikës – publikuesit në ShBA kanë mbledhur 3.7 miliardë dollarë vitin e kaluar, sipas “National Music Publisher’s Association” – që ka sjellë investitorë të joshur nga të hyrat e qëndrueshme dhe në rritje që sjellin të drejtat muzikore.

Marrëveshja e Dylanit përfshin 100 për qind të të drejtave të tij për të gjitha këngët në katalog, përfshirë edhe të hyrat që ai merr si autor dhe kontrollin e tij për të drejtat e secilës këngë. Në shkëmbim për pagesën për Dylanin, “Universal”, një sektor i konglomeratit francez mediatik “Vivendi”, do të mbledhë të gjitha të ardhurat e ardhshme nga këto këngë. / The New York Times \ Koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme