Bujar Berisha: “Troja” është shpërberë para dy viteve, këngët i kam shkruar vetë dhe i këndoj kur të më teket

17 Qershor, 2020 - 5:12 pm

Faqja “Troja” në rrjetin social facebook sapo ka njoftuar se grupi “Troja” është ndarë, dhe sipas atij postimi bëhet e ditur se muret e këtij grupi tashmë janë përçarë, shkruan KultPlus.

“Pas gati 30 viteve TROJA e mbyllë kapitullin e saj. Murret e TROJËS janë përçarë. Përkundër që politika është munduar me u identifiku me neve, Troja asnjëherë nuk ka këndu në “ahengje” të organizuara nga ata””, thuhet mes të tjerash në këtë status, e që aludohet për pjesëmarrjen e vokalistit Bujar Berisha, në protestën e fundit të Vetëvendosjes.

Por Bujar Berisha ka bërë të ditur për KultPlus, se ky lajm është vetëm për të tërheqë vëmendje, sepse, sipas tij, grupi “Troja” është ndarë tash e dy vite.

“Që dy vjet nuk jemi bashkë, nuk është ndonjë lajm ky që paska qarkulluar nëpër medie”, ka thënë Bujar Berisha për KultPlus, i cili ka thënë se kjo komunikatë ka pas për qëllim tërheqjen e vëmendjes.

Ndërkohë, për paraqitjen e tij në protestën e fundit të Vetëvendosjes, ai ka thënë se në këtë protestë është paraqitë si Bujar Berisha e jo si “Troja”.

“Më ka ftuar Albin Kurti, dhe i jam përgjigjë pozitivisht, nuk mund të rri neutral në këtë kohë, të jesh neutral në këtë kohë, është njësoj sikur të rrinim neutral në vitin 99, as atëherë nuk kam qenë neutral, e nuk do të jem as sot”, ka thënë Berisha.

Për shpërbërjen e grupit para dy viteve, Berisha e shpjegon si një ndarje pa llafe, ku sipas tij është ndërpre puna dhe aq. Kurse sa i përket të drejtave të autorit, Bujar Berisha ka thënë se askush nuk mundet ta pengoj që ti këndojë këngët që i ka shkruar vet.

“I kam shkruar vetë këto këngë, dhe i këndoj kur më teket. Nuk mund të marr leje për këngët që i kam punuar vet. Kurse sa i përket emërtimit të grupit “Troja”, është çështje tjetër, por unë nuk jam prezantuar si “Troja”, por si Bujar Berisha.

Bujar Berisha ka thënë për fund se ai nuk është me Vetëvendosje, sikurse që nuk është as Vjosa Osmani me Vetëvendosje, por të qëndrosh neutral në këtë periudhë, sipas tij është pa kuptim. /KultPlus.com

Të ngjajshme