Çelet edicioni i 5-të i festivalit ‘Nona’

9 Gusht, 2025 - 10:00 am

Në qytetin e trëndafilave, Përmet, mbrëmjen e djeshme u çel edicioni i pestë i festivalit “Nona”, i njohur si festa e gjysheve shqiptare. Qytetarë të shumtë dhe turistë, vendas e të huaj, mbushën sheshin kryesor, duke e kthyer atmosferën në një festë të vërtetë popullore.

Ky aktivitet treditor, unik në llojin e tij, e shndërron Përmetin në një sofër të madhe mikpritjeje, të ngjashme me ngrohtësinë e shtëpisë së gjysheve. Festimet nisën që në orët e paradites me vizita në shtëpitë e gjysheve përmetare, ndërsa pasditja solli hapjen e panairit “Nga duart e gjysheve”, ku u shijuan gatime tradicionale të përgatitura me dashuri, transmeton KultPlus.

Mbrëmja u mbush me muzikë e argëtim, falë performancave të artistëve të njohur si Evgjeni Çulli, Mikel & Ervis Rrapaj, Luljeta Ilia, Çiljeta Xhilaga, Anxhela Peristeri, G Bani dhe aktorja Eva Alikaj. Përmes këtij festivali synohet të krijohet një urë lidhëse mes brezave, duke zëvendësuar hendekun që shpesh vërehet mes të rinjve dhe të moshuarve në jetën urbane.

Festivali do të vijojë edhe më 9 dhe 10 gusht, me një sërë aktivitetesh kulturore që premtojnë të mbushin qytetin me gjallëri e traditë./KultPlus.com

Të ngjajshme