Ceremonia “BET” erdhi me një edicion të veçantë dhe emocional

29 Qershor, 2020 - 2:55 pm

Fuqia e komunitetit të zezakëve, vuajtjet e tyre dhe beteja për drejtësi, ishin në qendër të vëmendjes në edicionin e fundit të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “BET”, e cila u mbajt të dielën në formë virtuale.

Kjo është ngjarja e parë madhore e cila e feston këtë komunitet dhe që u mbajt në Amerikë, prej se kanë shpërthyer protestat kundër racizmit sistematik në vend, transmeton Koha.

Ceremonia e cila e nderon kontributin e afrikano-amerikanëve në industrinë e muzikës, filmit, sportit dhe fushën e bamirësisë, ishte e mbushur me fjalime të fuqishme, këngë, imazhe nga protestat e kaluara dhe të tashme, si dhe i përfshiu emrat e disa burrave dhe grave të këtij komuniteti të cilët kanë vdekur në duart e policisë, gjatë vjetëve të fundit.

Beyonce, e cila u nderua me shpërblim për filantropi nga ish zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama, i nxiti të gjithë personat e komunitetit të saj që ta shfrytëzojnë votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në mënyrë që ta luftojnë pabarazinë dhe racizmin sistematik.

“Ne duhet të votojmë, sikur jeta jonë të varej nga secila votë. Dhe në fakt, ky është realiteti,” citohet të ketë thënë këngëtarja.

Ceremonia e cila për herë të parë në 20 vjetët e organizimit u mbajt online, u transmetua live në kanalin “CBS” si dhe përfshiu reklama nga kompani të mëdha botërore si: Coca-Cola, Ford, Nissan, P&G, L’Oreal dhe rrjeti social Facebook. Që të gjitha këto kompani kontribuuan në festimin dhe promovimin e arritjeve të zezakëve në Amerikë, si dhe sfidat me të cilat ata përballen në jetën e përditshme.

Shou u hap me versionin remix të këngës së rep grupit “Public Enemy” të lansuar në vitin 1989, “Fight the Power”, e cila u shoqërua me shfaqjen e disa fotografive nga protestat e këtij muaji nëpër rrugët e Amerikës.

Performanca e yllit DaBaby e këngës “Rockstar”, rrëmbeu vëmendje të madhe te publiku. Ajo filloi me reperin duke interpretuar i shtrirë në tokë, teksa një polic qëndron me gju mbi qafën e tij, duke e rikrijuar kështu skenën nga arrestimi dhe vrasja e George Floydit në Minneapolis, ngjarje kjo e cila shkaktoi protesta anembanë botës kundër racizmit sistematik.

Reperi i ri, Roddy Ricch, interpretoi i veshur me një bluzë ku shkruhej “Black Lives Matter”, John Legend e performoi baladën e tij shumë të pëlqyer, “We Will Never Break”, dhe Alicia Keys e solli një performancë prekëse të këngës së saj të re, “Perfect Way to Die”, e cila i dedikohet të gjithë zezakëve që e kanë humbur jetën gjatë dekadave të fundit si pasojë e racizmit.

Në mesin e yjeve të nderuar gjatë mbrëmjes ishin edhe, Roddy Ricch i cili e fitoi çmimin “Albumi më i mirë i vitit” me incizimin e tij “Please Excuse Me for Being Anti-Social”, Megan Thee Stallion e fitoi shpërblimin “Artistja më e mirë e muzikës hip-hop”, Lizzo u emërua “Artistja më e mirë R&B dhe pop”, gjimnastja Simone Biles dhe basketbollisti, LeBron James, u nderuan me çmimin “Sportistja përkatësisht sportisti më i mirë i vitit”, dhe muzikanti nga Nigeria, Burna Boy, u shpall “Artisti më i mirë ndërkombëtarë”.

Ceremonia përbëhej nga performanca të incizuara më herët dhe paraqitje virtuale të yjeve, për shkak pandemia e koronavirusit i ka mbyllur të gjitha organizimet televizive nga mesi i muajit mars. / KultPlus.com

Të ngjajshme