Chopin Piano Fest i rikthen pianistet Ardita Statovci dhe Ariane Haering me koncert në Prishtinë

13 Prill, 2019 - 1:39 pm

Pianistja kosovare  Ardita Statovci lojën e saj pianistike e ka prezantuar në skenat më të njohura botërore, kurse pranë publikut të Kosovës ajo do të prezantohet këtë të hëne në kuadër të festivalit Chopin Piano Fest që ka filluar këto ditë në Prishtinë.

Pianistja Ardita Statovci do të interpretojë në piano së bashku me pianisten nga Zvicra, Ariane Haering. Statovci ka treguar për KultPlus se koncerti i së hënës përmban një program interesant me kryevepra të literaturës simfonike dhe veprat të kompozitorëve kosovarë, që do të interpretohen me katër duar nga ‘Ariadita Duo’.

Ardita Statovci në Prishtinë ka interpretuar edhe më parë me pianisten zvicerane me ftesë të Zyrës  së BE-së, kurse në  Chopin Piano Fest Prishtina ajo ishte paraqitur me koncert recital para katër vitesh.

“Ne Festivalin Chopin Fest, herën e fundit me recital isha ne vitin 2015, ndërsa ne Prishtine herën e fundit kam koncertuar me 2017 për Ditën e Evropës,  e ftuar nga Zyra e BE-se, si Duo Ariadita me kolegen time zvicerane, pianisten Ariane Haering”, tregoi Statovci për KultPlus.

Ajo tutje thotë se është kënaqësi e veçantë që po kthehet për të interpretuar në edicionin jubilar të Festivalit Pianistik, Chopin Piano Fest Prishtina 2019,  ku emri i saj është në mesin e shumë artistëve e pianistëve me renome.  Ajo po ashtu veçoi edhe pjesëmarrjen e pianistit Peter Donohoe, duke theksuar se për të është nder i madh që të jetë në mesin e këtyre emrave.

“Ky Festival është shndërruar në një  festë të pianos, ndërsa në epiqendër janë muzika, interpretimi dhe entuziazmi. Tek  publiku ndjehet një energji inspiruese e motivuese. Pak dite pas koncertit tim, në festival luan pianisti Peter Donohoe, i cili është ikonë e pianizmit britanik, ndërsa jam e lumtur që gjatë studimeve kisha fatin të mbaja masterklase me te në Akademinë në Birmingham.  Emrat e tille në festival tregojnë se sa çmohet puna e organizatoreve-dy zonjave të respektuara te pianos e muzikës, prof. Lejla Pules dhe prof. Besa Luzhës, të cilat me pune dhe entuziazëm që sfidon vështirësitë,  festivalit i kanë dhënë një vulë ekselence”, tha Statovci për KultPlus.

Pas interpretimit të saj të dytë në Kosovë me pianisten zvicerane Ariane Haerin, Statovci do të marrë rrugën për në vendlindjen e saj në Zvicër.

“Pas pak javësh do të performojmë serish edhe në Zvicër, në vendlindjen e saj. Përveç që është pianiste e jashtëzakonshme dhe ka luajtur në skena të mëdha gjithandej globit, Ariane është njeri i mrekullueshëm dhe puna/provat dhe interpretimi së bashku me të si ‘Duo Ariadita’, kanë një vlerë të madhe për mua si për nga aspekti profesional dhe ai njerëzor”, u  shpreh tutje pianistja Ardita Statovci.

Ardita Statovci ndër vite ka  interpretuar me dirigjentët më të njohur botërorë e ka ndarë skenën me orkestrat më të njohura ku ka interpretuar si soliste dhe është prezantuar me recitale pianistike dhe muzikë kamertale në shtete të ndryshme si Austri, ShBA, Zvicër, Itali, Maqedoni, Spanjë, Kroaci, Francë, Angl, Bosnjë, Hungari, Gjermani, Francë, Kinë dhe Slloveni dhe së fundmi në Japoni.

Koncertin “Duo Ariadita” mund ta ndiqni këtë të henë me fillim nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme